Demokratët, thirrje për hetim të përdorimit të forcës ndaj protestuesve

Amerika

Demokratët, thirrje për hetim të përdorimit të forcës ndaj protestuesve

Më: 10 qershor 2020 Në ora: 06:13
Ilustrim

Tre ligjvënës demokratë po i bëjnë thirrje agjencive federale për të hetuar nëse Policia e Parqeve shkeli ligjet në ndërhyrjen ndaj protestuesve në sheshin para Shtëpisë së Bardhë javën e kaluar.

Kërkesa u bë përmes një letre të publikuar të martën që ishte dërguar te Zyra e Inspektorit të Departamentit të Brendshëm, Mark Lee Greenblatt. Zyrtarët janë në fazat e para të shqyrtimit të kërkesës, tha zëdhënësja e zyrës së inspektorit, Nancy DiPaolo.

Policia e Parqeve dhe forcat e tjera të sigurisë përdorën agjentë kimikë, goditën demonstruesit, gazetarët dhe shpërndanë protestuesit në Sheshin Lafayette pranë Shtëpisë së Bardhë më 1 qershor, ndërsa po intensifikoheshin protestat kundër vdekjes nën arrest të afrikano-amerikanit George Floyd. Zyrtarët e administratës së Presidentit Trump kanë mohuar akuzat se forcat federale po i hapnin rrugë Presidentit Donald Trump që të bënte disa fotografi para kishës që ndodhet afër sheshit.

Kërkesa për një hetim u bë nga senatori Ron Wyden nga Oregoni, Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Burimet Natyrore, Raul Grijalva nga Arizona dhe Nënkryetarja e këtij komisioni, ligjvënësja Debra Haaland nga Nju Meksiko.

"Të drejtat e amendamentit të parë (të kushtetutës) për lirinë e fjalës, tubimet paqësore dhe lirinë e shtypit janë gurthemeli i të gjitha të drejtave të tjera," thanë tre ligjvënësit. "Çdo veprim i Policisë së Parqeve për të kufizuar këto të drejta është një sulm ndaj të gjithë amerikanëve dhe duhet të trajtohet me shpejtësi."

Policia e Parqeve është një forcë e vogël e Shërbimit të Parqeve Kombëtare nën administrimin e Departamentit të Brendshëm që është përgjegjëse për zbatimin e ligjit në Sheshin Lafayette përpara Shtëpisë së Bardhë, në zonën ku ndodhet Statuja e Lirisë në Nju Jork, dhe në një numër të vogël të zonave të tjera më të vizituara në vend.

Zëdhënësit e Shërbimit të Parqeve dhe ata Departamentit të Brendshëm nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për komente. Sekretari i Departamentit të Brendshëm, David Bernhardt i tha zotit Grijalva në një letër javën e kaluar se Policia e Parqeve kishte qenë në një "gjendje rrethimi" nga sulmet e dhunshme në shesh.

Ligjvënësit demokratë thonë se rrëfimet e dëshmitarëve, gazetarëve, fotografitë dhe pamjet filmike të publikuara deri më tani nuk mbështesin pretendimet e asaj shkalle të dhunës nga protestuesit.

Letra e tre ligjvënësve, e dërguar të hënën, kërkon nga zyra e Inspektorit të Departamentit të Brendshëm që të nis një hetim për të mësuar nëse forca e përdorur nga Policia e Parqeve ishte e ligjshme dhe në përputhje me rregullat, politikat dhe standardet e trajnimit për këtë forcë ligjzbatuese.

Ligjvënësit gjithashtu kërkuan nga hetuesit që të përcaktonin se kush në Departamentin e Brendshëm ka dhënë urdhrat për pastrimin e sheshit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat