Aktivistja egjiptiane për të drejtat e komunitetit LGBT, Sara Hegazy, është gjetur e vdekur në shtëpinë e saj në Kanada, ku ishte duke jetuar në ekzil nga viti 2018.
Aktivistja 30-vjeçare bëri vetëvrasje të dielën pasi e kishte lënë një letër, me të cilën u kërkonte falje familjes dhe miqve, shkruan “Al Jazeera”.
“Familjarëve të mi – u mundova të gjej shpëtim, por dështova, më falni. Miqve të mi – rrugëtimi ishte i vështirë dhe unë jam shumë e dobët për t’i rezistuar, më falni. Botës – ju ishit mizorë në masë të madhe, por unë fal”, shkruhet në letrën e lënë nga aktivistja.
Hegazy u bë e njohur pasi e kishte ngritur flamurin e komunitetit LGBT në një koncert në Egjipt në tetor të vitit 2017.
Ajo ishte në mesin e dhjetëra personave të arrestuar nga forcat egjiptiane të sigurisë pas urdhrit të prokurorëve që të hetoheshin personat që e kishin flamurin me ngjyra ylberi në atë koncert.
Hegazy ishte mbajtur për tre muaj në burg para se të lirohej me kusht. Më vonë, ajo kishte kërkuar azil në Kanada.