SHBA vendos sanksione ndaj çiftit Asad dhe shumë mbështetësve të tyre - Bota Sot
SHBA vendos sanksione ndaj çiftit Asad dhe shumë mbështetësve të tyre

Amerika

SHBA vendos sanksione ndaj çiftit Asad dhe shumë mbështetësve të tyre

Më: 18 qershor 2020 Në ora: 09:35
Bashar al-Asad dhe Asma Asad

Asma Asad është për herë të parë objekt i sanksioneve. Uashingtoni e konsideron gruan e despotit sirian si një nga përfitueset më të mëdha të luftës. Po ashtu një xhaxha i Asadit u dënua nga një gjykatë në Paris.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione ndaj sundimtarit sirian Bashar al-Asad, gruas së tij Asma dhe shumë prej mbështetësve të tyre. Departamenti i Shtetit në Uashington vendosi fillimisht sanksione për 39 individë ose organizata. Këto përfshijnë kufizimin për të udhëtuar për në SHBA si dhe ngrirjen e llogarive dhe të pronave në Shtetet e Bashkuara. Sekretari i Shtetit Mike Pompeo u shpreh për fillimin e një “fushate të vendosur presioni ekonomik dhe politik” kundër udhëheqjes në Damask. “Ne presim shumë më shumë sanksione dhe nuk do të ndalemi derisa Asadi dhe regjimi i tij t’i japin fund luftës së tyre të panevojshme, brutale kundër popullit sirian.”

Për herë të parë Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione edhe ndaj gruas së Asadit, Asma. Pompeo tha se me mbështetjen e të shoqit dhe të familjes së tij, ajo ishte bërë një nga “përfitueset” më të mëdha të luftës civile. “Kushdo që bën biznes me regjimin e Asadit, pavarësisht se ku është në botë, mund të përballet me kufizime udhëtimi dhe sanksione financiare,” kërcënoi Pompeo. Përkrahësit e Asadit po parandalojnë një “zgjidhje paqësore, politike të konfliktit”. Ata i mundësojnë Asadit të bëjë luftë kundër popullit sirian dhe “të kryej mizori masive”.

Goditje për ekonominë e vendit

Banka Qendrore Siriane zhvlerësoi ndërkohë monedhën vendase për shkak të sanksioneve të reja amerikane. Kursi zyrtar i këmbimit u vendos në 1250 paund sirianë për dollar. Deri tani ky kurs ishte 700 paund sirianë për dollar. Në tregun e zi monedha ka edhe më pak vlerë.

Katër vjet burg për xhaxhain e Asadit

Në Paris u dënua nga një gjykatë me katër vjet burg një nga xhaxhallarët e sundimtarit sirian. Për më tepër pasuria e Rifaat al-Asadit do të konfiskohet, njoftoi agjencia e lajmeve AFP. Gjykata e shpalli Al-Asadin fajtor për pastrimin e parave publike siriane. Al-Asadi, tani 82 vjeç, ka ndërtuar me mashtrime një perandori pasurish të patundshme. Këto përfshijnë një kështjellë, fermat për kuaj, dy shtëpi të spikatura të Parisit dhe rreth 40 apartamente. Sipas lajmeve pasuria vlerësohet me rreth 90 milion euro. Vetë Al-Asad nuk u paraqit as këtë herë në gjykatë. Ai nuk u paraqit as në fillim të gjykimit në dhjetor dhe avokatët e tij dhanë si shkak shëndetin të tij të dobët.

Xhaxhait të Asadit iu desh të largohej nga Siria në vitin 1984 pasi provoi një grusht shteti kundër vëllait të tij Hafis, sundimtarit të gjatë të Sirisë dhe babait të presidentit aktual. Rifaat ka qenë prej kohësh pjesë e udhëheqjes së vendit dhe akuzohet si përgjegjës për disa mizori në kohën kur qe komandant i trupave elitë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat