SHBA, shefi i ri i USAGM shkarkon drejtuesit e rrjeteve - Bota Sot
SHBA, shefi i ri i USAGM shkarkon drejtuesit e rrjeteve

Amerika

SHBA, shefi i ri i USAGM shkarkon drejtuesit e rrjeteve

Më: 19 qershor 2020 Në ora: 06:10
Ndërtesa e Zërit të Amerikës

Shefi i ri ekzekutiv i agjencisë që mbikëqyr Zërin e Amerikës ka shkarkuar drejtuesit e organizatave të tjera të agjencisë, përfshirë shefat e Rrjeteve të Transmetimit në Lindjen e Mesme, Radios Azia e Lirë dhe Radio Evropa e Lirë / Radio Liria. Drejtoresha e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett dhe zëvendësja e saj, Sandy Sugawara, dhanë dorëheqjen të hënën.

Shefi ekzekutiv i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Median Globale USAGM, Michael Pack i bëri shkarkimet përmes njoftimeve me këta drejtues në orët e vona të së mërkurës.

Agjencia e lajmeve Associated Press njofton se zoti Pack nuk dha arsye specifike për secilin largim nga puna, duke thënë vetëm se ai po vepron në përputhje me autoritetin e tij si shefi ekzekutiv i agjencisë.

Senatori Bob Menendez, demokrati i lartë në Komisionin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, kritikoi veprimet e zotit Pack, duke thënë se këto akte konfirmojnë se "ai është në një mision politik për të shkatërruar pavarësinë e agjencisë USAGM dhe për të minuar rolin e saj historik".

"Shkarkimi në grup i krerëve të rrjeteve të Agjencisë dhe shpërndarja e bordeve drejtuese për të vënë në vend të tyre aleatë politikë të Presidentit Trump, është një shkelje e hapur e historikut dhe misionit të kësaj organizate, çka mund të jetë e pariparueshme. Ky sulm është fatkeqësisht rasti më i freskët, por jo i fundit, në përpjekjet e administratës Trump për të shndërruar institucionet amerikane të rrënjosura në parimet e demokracisë në vegla për axhendën personale të Presidentit,” tha Senatori Menendez në një deklaratë të mërkurën vonë.

Alberto Fernandez, i cili drejtonte Rrjetet e Transmetimit në Lindjen e Mesme, tha se ishte krenar për punën që bënë këto rrjetet gjatë mandatit të tij tre-vjeçar dhe i nderuar që kishte punuar me gazetarë të talentuar në Shtetet e Bashkuara, Dubai, Bejrut dhe vende të tjera. Ai gjithashtu nënvizoi sfidat e vazhdueshme me të cilat përballen agjencitë përbërëse të USAGM për mbulimin e lajmeve për shikuesit, dëgjuesit dhe lexuesit në të gjithë botën.

"U përcjell urimet e mia atyre që do të fillojnë punë në USAGM,” komentoi përmes Twitterit zoti Fernandez të mërkurën vonë. "Shpresoj se e kanë të qartë se çfarë po bëjnë. Ata kanë një shans të menjëhershëm për të bërë ndryshime. Dje qeveria irakene mbylli transmetuesit e Radio Sawa-s në Bagdad, Basra dhe Karbala dhe kërcënoi se do të sekuestronte objekte që janë pronë e qeverisë amerikane."

Më herët të mërkurën zoti Pack komunikoi për herë të parë me punonjësit e Zërit të Amerikës që pas konfirmimit nga Senati javën e kaluar, duke u zotuar në një email për të respektuar rolin e tij të mandatuar për të ofruar gazetari të pavarur në të gjithë botën, edhe pse USAGM është një agjenci e financuar nga qeveria amerikane.

Pack shkruante se ai është "plotësisht i përkushtuar për të respektuar statutin e Zërit të Amerikës ... dhe pavarësinë e gazetarëve tanë heroikë në të gjithë botën".

Michael Pack u emërua nga Presidenti Donald Trump më shumë se dy vjet më parë për të drejtuar USAGM. Por emërimi i tij hasi në rezistencë të fortë nga demokratët. Senati i kontrolluar nga republikanët votoi vetëm dy javë më parë për të miratuar një mandat tre vjeçar për zotin Pack për të kryesuar USAGM.

Javët e fundit, zoti Trump ka kritikuar Zërin e Amerikës për mbulimin e lajmeve lidhur me reagimin e Kinës gjatë krizës së koronavirusit. Kur u pyet për emërimin e zotit Pack më 15 maj, Presidenti Trump tha: “Zëri i Amerikës po menaxhohet në mënyrë të tmerrshme. Ata nuk janë Zëri i Amerikës. Janë e kundërta e Zërit të Amerikës”.

Zoti Pack nuk përmendi Presidentin Trump apo polemikat e fundit në emailin e tij për stafin. Po ashtu ai nuk tha se kë planifikon të emërojë si drejtor të Zërit të Amerikës.

Ish-drejtoresha e VOA, Amanda Bennett ka folur me vendosmëri në mbrojtje të gazetarisë së pavarur në Zërin e Amerikës, duke kundërshtuar kritikat e fundit të Presidentit Trump dhe duke mbrojtur misionin dhe raportimin e agjencisë së lajmeve, që financohet me fonde federale.

"Ne eksportojmë Amendamentin e Parë për njerëzit në mbarë botën që nuk kanë qasje tjetër në informacione të bazuara tek faktet, të vërteta, të besueshme," tha zonja Bennett. Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane garanton lirinë e fjalës.

"Për këtë arsye më shumë se 80 për qind e audiencës sonë prej 280 milionë vetësh në 47 gjuhë në më shumë se 60 vende thonë se ata e konsiderojnë punën tonë si të besueshme," tha zonja Bennett.

Disa organizata për lirinë e shtypit kanë shprehur shqetësim për zotin Pack në rolin e shefit ekzekutiv të USAGM, duke përmendur punën e tij si regjisor konservator dhe bashkëpunëtor i ish-këshilltarit të Presidentit Trump, Stephen Bannon dhe duke parashikuar se ai mund të mos i bëjë qëndresë presionit të Shtëpisë së Bardhë për mbulimin e lajmeve në mënyrë të favorshme për presidentin.

Gazeta New York Times shkruante në një artikull redaksional të marten se "Mundësia e shndërrimit të Zërit të Amerikës në një vegël propagandistike të Shtëpisë së Bardhë duhet të jetë e frikshme për të gjithë amerikanët, pavarësisht nga prirjet politike. Artikulli përfundonte me fjalët “Zoti Trump dëshiron të ketë një altoparlant, jo një mjet diplomatik dhe ai kërkon me ngulm besnikëri”.

Kur zoti Pack mori detyrën e shefit ekzekutiv, anëtarët e Bordit të Guvernatorëve të Transmetimit, që më parë kontrollonte Zërin e Amerikës dhe rrjetet e tjera si-motra - publikuan përkufizimin e tyre të gazetarisë së pavarur në Regjistrin Federal të akteve të qeverisë.

"Secili nga rrjetet e financuara nga USAGM gëzon pavarësi të plotë redaksionale, në formën që ky term përcaktohet dhe kuptohet nga praktikat më të mira të gazetarisë," thuhet në deklaratë.

"Pavarësia redaksionale përfshin, por nuk kufizohet vetëm në faktin që vetëm individë brenda rrjetit mund të marrin vendime në lidhje me ndjekjen ose raportimin e lajmeve," thanë anëtarët e bordit. "Rrjetet e përfshira në Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Median Globale, USAGM dhe punonjësit e tyre, duke përfshirë drejtuesit e secilit rrjet, janë plotësisht të mbrojtur nga çdo presion politik ose presion tjetër i jashtëm ose nga procese që do të ishin në kundërshtim me standardet më të larta të gazetarisë profesionale”.

Michael Pack, në mes të të 60-tave, ka mbajtur më parë poste të ndryshme drejtuese në agjenci qeveritare apo publike amerikane. Por vitet e fundit, siç shkruan ai në emailin drejtuar punonjësve të USAGM, ai ka drejtuar një kompani private, Manifold Productions, që ka realizuar 15 dokumentarë që janë transmetuar në SHBA përmes Shërbimit të Transmetimeve Publike.

"Këto filma ishin gjithashtu mënyra ime për të treguar historinë e Amerikës," shkruante ai. "Megjithëse realizimi i dokumentarëve është proces shumë interesant, unë mezi prisja të kthehesha në transmetimet ndërkombëtare në këtë pikë kritike në historinë tonë”.

Ai shkruante më tej: "kundërshtarët e Amerikës kanë intensifikuar përpjekjet e tyre të propagandës dhe dezinformimit. Ata po promovojnë në mënyrë agresive vizionet e tyre shumë të ndryshme për botën”.

Zoti Pack shkruante se ai do të kërkojë të rrisë moralin ndër punonjësit në USAGM dhe "do të shqyrtojë disa nga problemet që janë shfaqur në media vitet e fundit”.

“Më e rendësishmja: misioni im do të jetë ta bëj agjencinë më efektive,” shkruan shefi i ri ekzekutiv i USAGM, Michael Pack./Voa/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat