Tubimi në Tulsa: Gjashtë anëtarë të fushatës së Presidentit Trump, të infektuar me koronavirus

Amerika

Tubimi në Tulsa: Gjashtë anëtarë të fushatës së Presidentit Trump, të infektuar me koronavirus

Më: 21 qershor 2020 Në ora: 06:35
Ilustrim

Fushata e rizgjedhjes së Presidentit Donald Trump thotë se gjashtë anëtarë të stafit të kësaj fushate që po ndihmonin me përgatitjet e tubimit të tij të shtunën në mbrëmje në Tulsa të Oklahomës, rezultuan pozitivë për koronavirusin.

Drejtori i komunikimeve të fushatës, Tim Murtaugh tha në një deklaratë se "procedurat e karantinës" u zbatuan menjëherë dhe se asnjë nga punonjësit e fushatës që rezultuan pozitivë nuk do të marrin pjesë në tubim. Ai tha se as personat që kishin pasur kontakt direkt me ta, nuk do të marrin pjesë.

Zyrtarët e fushatës thanë se të gjithëve atyre që do të shkojnë në tubim, do t'u matet temperatura para se të kalojnë përmes masave të sigurisë. Atyre do t'u jepen edhe maska nëse duan t'i vënë si edhe dizinfektant në qendrën me kapacitet prej 19 mijë vetësh.

Tubimi parashikohej që të ishte grumbullimi më i madh në ambjent të brendshëm në botë, gjatë pandemisë.

Presidenti Trump do ta mbajë tubimin mes shqetësimeve të nxitura nga pandemia e koronavirusit dhe pas disa javë protestash mbi pabarazinë racore, në një përpjekje për të ringjallur fushatën e tij për një mandat të dytë presidencial.

Zoti Trump është kritikuar mbi përgjigjet e administratës së tij ndaj pandemisë si dhe demonstratave të nxitura nga vdekja e George Floyd, një afrikano-amerikani i cili humbi jetën në duart e policisë së Mineapolisit.

Me vendimin e tij për të mbajtur tubimin e parë që pas mbylljes së vendit për shkak të virusit, Presidenti nxiti edhe më shumë kritika. Aktiviteti do të zhvillohet në Tulsa, vendi i një prej shpërthimeve më të përgjakshme të dhunës raciste kundër amerikanëve të zinj rreth 100 vite më parë.

Oklahoma ka raportuar një rritje të infeksioneve me COVID-19 ditët e fundit dhe departamenti i shëndetësisë i këtij shteti ka paralajmëruar pjesëmarrësit në miting mbi një rrezik të shtuar për t'u prekur nga virusi.

Sipas sondazheve Presidenti republikan radhitet pas kandidatit të mundshëm të demokratëve për president, Joe Biden.

Ndërkohë zyrtarë të fushatës së zotit Trump bënë të ditur se mbështetësit duket se janë të kënaqur të shohin zotin Trump t'i rikthehet fushatës dhe se ata që duan të marrin pjesë në miting në Tulsa e kanë tejkaluar numrin e vendeve në dispozicion.

Mike Boatman, 52 vjeç, udhëtoi të hënën prej Indianës në Tulsa për të garantuar një vend në stadium.

“Ka pasur një kërkesë prej mbi një milion biletash për këtë ngjarje, kështu që do të doja të isha herët", tha ai. "Kjo nuk është asgjë në raport me atë që presidenti ynë bën për ne çdo ditë. Ai sakrifikon për ne, secilin prej nesh ne, pavarësisht se kush jemi, pavarësisht nëse jemi të zinj, të bardhë, apo të verdhë. Nuk ka rëndësi ngjyra për të", shton zoti Boatman.

Ndarja në linja racore e vendit mbetet një dobësi politike. Reagimi për “ligj e rend” i zotit Trump ndaj protestave të shkaktuara nga vdekja e George Floyd e ka vendosur attë në pozita të vështira me shumicën e amerikanëve. Pas kritikash të ashpra, zoti Trump e shtyu tubimin me një ditë, në mënyrë që të mos përkonte me përvjetorin që shënon fundin e skllavërisë në Shtetet e Bashkuara.

Të premten, ai kërcënoi për veprime të cilat nuk i qartësoi, kundër çdo "protestuesi, anarkisti, provokatori, grabitësit apo keqbërësi" që udhëton drejt Oklahomës, një paralajmërim për të cilën zyrtarët e fushatës së tij thanë se nuk i drejtohej demonstruesve paqësorë.

Kritikët e akuzuan zotin Trump se po përpiqej të provokonte konflikt.

Zyrtarët e fushatës së zotit Trump dhe ata të Shtëpisë së Bardhë i kanë hedhur poshtë shqetësimet mbi sigurinë e mitingut, duke thënë se pjesëmarrësve do t’u vihen në dispozicion maska dhe desinfektues duarsh. Megjithatë pjesëmarrësve u është kërkuar të heqin dorë nga e drejta për të ngritur padi në rast se preken nga koronavirusi gjatë këtij aktiviteti.

Menaxheri i fushatës së zotit Trump, Brad Parscale tha për televizionin "Fox News" të premten se ai me gjasë do të vendosë një maskë gjatë tubimit, ndërsa zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany u tha gazetarëve se nuk do ta bëjë një gjë të tillë. Vetë presidenti Trump e ka shmangur vendosjen e maskës në publik.

Ekspertë e ish-zyrtarë të administratave të mëparshme thonë se zoti Trump duhet të bindë votuesit se politikat e tij do ta nxjerrin vendin nga recesioni i shkaktuar prej pandemisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat