Trump zgjat deri në fund të vitit kufizimet e vizave të punëtorëve të huaj

Amerika

Trump zgjat deri në fund të vitit kufizimet e vizave të punëtorëve të huaj

Më: 23 qershor 2020 Në ora: 08:25
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që ndalon përkohësisht hyrjen e disa punonjësve të huaj, përfshirë ata që janë të punësuar në industrinë e teknologjisë.

Vendimi vjen derisa Shtetet e Bashkuara po përballen me papunësi masive të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Urdhri ekzekutiv i nënshkruar më 22 qershor do të zgjasë deri në fund të vitit dhe pritet të ndikojë në lejet e qëndrimit (green card) të rreth 525,000 punonjësve të huaj.

"Në kuadër të administrimit të sistemit të migracionit të kombit tonë, ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm për ndikimin e punëtorëve të huaj në tregun e punës të Shteteve të Bashkuara, veçanërisht në mjedisin aktual të jashtëzakonshëm të papunësisë së lartë dhe kërkesës për punë," shkroi Trump në shpalljen e tij presidenciale .

Urdhri zgjat afatin e një kufizimi të mëparshëm për punëtorëve të huaj të shpallur në prill. Në atë kohë papunësia u rrit shumë për shkak të masave të izolimit si pasojë e pandemisë.

Urdhëri i ri ndikon në poseduesit e vizave H-1B për punëtorë shumë të kualifikuar, si dhe mbajtësit e vizave H-2B dhe J-1 për punë sezonale.

Punonjësit e kompanive që transferohen në Shtetet e Bashkuara me një vizë L-1, gjithashtu ju kufizohet hyrja deri në vitin e ardhshëm.

Ekzistojnë përjashtime për punëtorët e përpunimit të ushqimit, të cilët përbëjnë rreth 15 për qind të vizave H-2B.

Papunësia në SHBA në fillim të vitit ishte 3.5 për qind, por në muajin maj kjo shifër arriti në 13.3 për qind, pasi shtetet detyruan biznese të tilla si restorante dhe dyqane të mbyllen për të ngadalësuar përhapjen e virusit vdekjeprurës.

Numri i amerikanëve të papunë arriti në 21 milionë muajin e kaluar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat