Bizneset, industritë të shqetësuar për ndikim negativ nga ndalimi i vizave të punës

Amerika

Bizneset, industritë të shqetësuar për ndikim negativ nga ndalimi i vizave të punës

Më: 26 qershor 2020 Në ora: 06:54
Donald Trump

Urdhri ekzekutiv i Presidentit Donald Trump këtë javë për të zgjeruar më tej masat ndaluese ndaj kategorive të vizave për punonjës të huaj, me premtimin se po mbrohen 525 mijë vende pune për punonjësit amerikanë, u përshëndet nga activistët që kërkojnë kufizimin e imigracionit. “Duke pasur parasysh interesat e fuqishme të nxitura nga fitimi që kërkojnë importimin e punonjësve të huaj … vendimi i së hënës ishte fitore e vërtetë,” shkruante Mark Krikorian, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Studime mbi Imigracionin, një grup studimor, i cili synon të kufizojë numrin e imigrantëve në SHBA.

Por udhëheqës të biznesit dhe economist shqetësohen se zgjerimi i masave bllokuese ndaj punonjësve të huaj dëmton disa sektorë të ekonomisë, si dhe mund të dekurajojë punonjës të huaj të talentuar të përpiqen për të gjetur punë në SHBA në të ardhmen.

‘Keqinterpretim i madh’
“Kjo masë pasqyron keqinterpretimin e madh të administratës për mënyrën si funksionon ekonomia moderne amerikane dhe si ka funksionuar prej dekadash,” thotë Edward Alden, studiues në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë në Uashington. “Vështirë t’i gjesh emër tjetër përveçse ‘injorancë’,” thotë zoti Alden.

Njoftimi i bërë përmes një proklamate presidenciale, zgjat deri në fund të vitit ndalimin e vënë në zbatim para disa muajsh ndaj atyre që kërkojnë viza imigracioni. Gjithashtu, administrate do të ndalë një numër vizash për kategori të tjera jashtë imigracionit, deri në fund të dhjetorit, përfshirë viza për punonjës të kualifikuar, të cilët kërkohen nga industria teknologjike, apo viza të tjera që u japin mundësi kompanive të marrin punonjës nga jashtë.

Do të ndikohen edhe ata që vijnë në SHBA si punëtorë në bujqësi, si dhe vizat për studiues dhe të tjerë që vijnë për programe shkëmbimesh shkencore e kulturore, apo si dado. Në proklamatën e tij, presidenti shprehet se vendimi është reagim në përgjigje të papunësisë masive që ka rezultuar nga pandemia. “Në rrethanat e jashtëzakonshme të tkurrjes ekonomike nga COVID-29, disa programe që ofrojnë viza për punonjës të huaj përfaqësojnë kërcënim për punësimin e punonjësve amerikanë,” thuhej në proklamatë.

Proklamata u dënua gjerësisht nga grupe pro-biznesit dhe shoqata që përfaqësojnë industri të ndryshme. “Proklamata është një përpjekje e rendë dhe e gjerë për të kufizuar imigracionin e ligjshëm,” shkruante në një deklaratë shefi ekzekutiv i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Thomas Donohue. “Duke vënë njoftimin ‘Nuk jeni të mirëpritur’ për inxhinierë, informaticienë, infermierë dhe të tjerë, masa nuk e ndihmon, por e mban prapa vendin. Ndryshimet kufizuese në sistemin e imigracionit do t’i zhvendosin investimet dhe aktivitetin ekonomik jashtë vendit, do të ngadalësojnë rritjen ekonomike dhe hapjen e vendeve të punës”.

‘Studime pas studimesh, pas studimesh’
Zoti Alden i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë, shton “Ka studime, pas studimesh, pas studimesh, që tregojnë se duke tërhequr punonjës të talentuar, sidomos në fushat e shkencës e teknologjisë, nxitet novacioni. Nxitet produktiviteti. Të gjitha këto krijojnë më shumë vende të reja pune se sa marrin vende pune nga amerikanët. Ndikimi neto i kësaj mase do të jetë negativ për amerikanët, sidomos në sektorët më dinamikë të ekonomisë”.

Disa ekspertë kanë vënë në pikëpyetje ndikimin praktik të masës, sidomos në kushtet e kufizimit të udhëtimeve nga pandemia. “Ndoshta administrata nuk e ka vënë re, por sistemi është i pezulluar, thuajse plotësisht, si rezultat i pandemisë,” thotë Daniel Costa, jurist për Institutin për Politika Ekonomike në Uashington. “Duke pasur parasysh rritjen e vazhdueshme të infeksioneve të reja në SHBA dhe vende të tjera, vështirë të imagjinohet se sistemi i imigracionit do të vihej në lëvizje në periudhën afat-shkrurtër,” shkruante zoti Costa në një analizë të martën.

“Edhe sikur të mos ishin vendosur masat ndaluese, në kushtet aktuale, a do të nxirreshin viza për imigrancion? Nuk ma merr mendja”. Zoti Alden thotë se politika e re ka ndikim negativ përtej periudhës afat-shkurtër dhe mund të vazhdojë edhe në Presidenti Trump nuk i fiton zgjedhjet në nëntor. Shumë specialistë të informatikës vijnë në SHBA me mendimin se do të ndërtojnë një jetë të re në këtë vend dhe sjellin me vete familjen.

Dëshira për Stabilitet
Edhe nëse proklamata e Presidentit Trump nuk rinovohet në fund të vitit dhe në janar vjen në Shtëpinë e Bardhë një administratë më e butë ndaj imigracionit, për dikë që donte të vendosej në Shtetet e Bashkuara ndryshimi nuk ofron ngushëllim. Një inxhinier i huaj prapë do të druhej se pas katër vjetësh mund të vijë një administratë e re që rivendos masa kufizuese. Ai do të kërkojë një vend me politika më të stabilizuara imigracioni.

“Për një inxhinier apo shkencëtar të talentuar, SHBA ofron shanset më të mira se çdo vend tjetër. Kjo i ka tërhequr këto talente prej vitesh. Por tani një sistem imigracioni që po bëhet më i ndërlikuar dhe i paparashikueshëm, e ndryshon ekuacionin,” thotë zoti Alden. Eksperti shton se si rezultat, SHBA do të humbasin aftësinë për të tërhequr shumë njerëz të talentuar. Megjithëse nuk ka prova që SHBA po has në vështirësi për të tërhequr punonjës të kualifikuar, zoti Alden thotë se ndikimi do të shihet më vonë.

“Duhet të mendojmë për ata që janë më të talentuarit, më të zgjuarit, ata që kanë mundësi të shkojnë edhe në vende të tjera pë punë. Ata do të fillojnë ta mendojnë më thellë zgjedhjen dhe mund të vendosin të shkojnë diku tjetër për të ndërtuar karrierën,” thotë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat