Ndikimi i programit Fulbright tek shkëmbimet mes vendeve

Amerika

Ndikimi i programit Fulbright tek shkëmbimet mes vendeve

Më: 29 qershor 2020 Në ora: 16:51
Ilustrim

Që kur u krijua në vitin 1946, programi amerikan Fulbright u ka dhënë mundësi mbi 370 mijë pjesëmarrësve nga mbi 160 vende të zgjerojnë njohuritë e tyre dhe të kontribuojnë në këmbime kulturore mes vendeve të ndryshme. Mes studentëve, akademikëve dhe profesionistëve që kanë përfituar prej tij, gjatë dekadave të fundit kanë qenë edhe ata nga Shqipëria dhe Kosova. Kolegia Keida Kostreci bisedoi me Ira Papagjikën, një jurist nga Shqipëria e cila sapo përfundoi programin Humphrey, që është pjesë e Fulbright-it, si edhe me Afërdita Krasniqin, zyrtare Institutit për Arsim Ndërkombëtar, që rekruton kandidatë për programin.

Ira Papagjika, sapo ka përfunduar një vit studime për profesionistë në karrierë, në kuadrin e programit Humphrey, që është pjesë e Fulbright-it. Ajo thotë se përvoja në fushën e ligjit dhe të drejtave të njeriut në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin Amerikan, ishte e shkëlqyer.

“Unë kam ngelur absolutisht e mrekulluar nga profesorët, nga universiteti, nga mënyra sesi ata bëjnë mësim, metoda”, thotë ajo për Zërin e Amerikës.

Zonja Papagjika, me një përvojë të gjatë në fushën e e të drejtave të njeriut në Shqipëri, me një fokus tek të drejtat e fëmijëve thotë se program të ndihmon të zhvillosh një mendim kritik.

“Mendoj ne paksa vuajmë në Shqipëri për këtë pjesë”, thotë ajo.

“Kombinimi i teorisë dhe praktikës, network-u kontaktet me njerëzit, më kanë bërë që t’i shikoj gjërat me një perspektivë ndryshe. Të jem më e hapur ndaj ndryshimeve, ndaj novacionit, ndaj legjislacionit ndërkombëtar dhe ta aplikoj atë në Shqipëri.” thotë ajo.

Fulbright sponsorizohet nga zyra e Departamentit të Shtetit për Arsimin dhe Kulturën. Programet administrohen nga Instituti për Arsim Ndërkombëtar, ku Afërdita Krasniqi drejton programin për Evropën dhe Euroazinë në Nju Jork.

“Programi Fulbright është një mundësi e shkëlqyer për avancim profesional, akademik, program i financuar nga qeveria amerikane përmes departamentit të shtetit”.

Në thelb të programit janë shkëmbimet e përvojave që krijojnë një mirëkupim mes njerëzve.

“Aq sa jeni të kualifikuar akadamikisht, duhet të jeni të përgatitur edhe si ambasador i kulturës suaj, nëqoftëse vini nga Kosova dhe Shqipëria në Amerikë”, thotë zonja Krasniqi.

Si zonja Krasniqi, edhe zonja Papagjika, thonë se programi është transformues.

“Nëse ne të gjithë përpiqemi të bëjmë punën tonë, të japim maksimumin në punën tonë, mund të bëjmë një ndryshim dhe ky është thelbi i këtij programi. Programi kërkon njerëz që të kthehen mbrapsht dhe të bëjnë një ndryshim në vendin e tyre, me punën e tyre”, thotë zonja Papagjika.

“Mendoni gjithmonë, sa do të jepni ju kontribut por edhe sa do të mësoni nga kjo përvojë e Fulbright-it dhe në fund, kush do të përfitojë nga kjo përvojë e juaja, impakti afatgjatë”, thotë zonja Krasniqi.

Në Shqipëri, Fulbright filloi të funksiononte pas rënies së komunizmit, me rihapjen e ambasadës amerikane. Megjithëse zonja Papagjika thotë se Shqipëria vazhdon të ketë sfida të mëdha në drejtim të demokracisë 30 vjet më pas “shpresa vdes e fundit”.

“Nëse nuk e shohim Shqipërinë si vendin ku ne duhet të japim të parët kontributin, atëherë e ardhmja do të jetë e zymtë”.

Si specialiste për të drejtat e fëmijëve, ajo thotë se ka ndjekur ngjarjet e fundit në Shqipëri, që kishin të bënin me abuzim të të miturve dhe thotë se edukimi i fëmijëve duhet të nisë në familje.

“Çfarë është dhuna, çfarë është dhuna seksuale? Si duhet ta raportosh, ku duhet ta raportosh. Prindërit janë të parët dhe familja është baza e shoqërisë”.

Pastaj thotë ajo, vazhdojnë hallkat e tjera, si qeveria, politikat sociale dhe organizatat. Por së pari duhet pranuar që ekziston si problem.

Në Kosovë, program filloi pas luftës thotë zonja Krasniqi.

“Si nga Kosova dhe si nga Shqipëria, gjithë ata akademikë apo studentë apo profesionistë që vijnë këtu, shkojnë nëpër universitete prestigjioze, japin ligjërata, bëjnë hulumtime.”

Por një pjesë e rëndësishme është edhe ajo kur studiues amerikanë shkojnë në vende të tjera për të çuar përvojë, por edhe për të mësuar për kulturat e tyre, Pikërisht këmbimi është kyçi i vendosjes së mirëkuptimit.

Afati për aplikimin për disa nga programet si Humphrey, është 30 qershori. Bëhet fjalë për vitin akademik 2021-2022.

Presidenti Trump firmosur së fundmi një urdhër për ndaljen e disa vizave pune dhe shkëmbim studentësh, por një zyrtare e Departamentit të Shtetit e pyetur nga Zëri i Amerikës, tha se ai nuk përfshin “pjesëmarrësit e programit Fulbright”.

Zonja Papagjika thotë se i inkurajon të interesuarit të aplikojnë në faqen e ambasadës amerikane.

“Ndër vite, në fusha të ndryshme, kontributi është i jashtëzakonshëm, sepse edukimi i profesionistëve me eksperienca jete, pune, në vende si Shtetet e Bashkuara është absolutisht një mundësi unike. Inkurajoj profesionistë të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e këtij programi.”

Zonja Krasniqi thotë se programet janë një mundësi e shkëlqyer për ata që dëshirojnë të avancojnë në studime apo karrierë.

“Ata duhet të kenë parasysh që kërkohen edhe vlerat personale, atributet personale, se çfarë personash janë, a mund të adaptohen lehtë”.

Dhe synimi është që përvojën që marrin në Amerikë, ta përvetësojnë dhe përfshijnë në programet e tyre.

“Kur kthehen në Kosovë apo Shqipëri dhe normal hapen dyert për bashkëpunim të vazhdueshme sepse një person shkon në Fulbright por pastaj hapen dyert për shumë bashkëpunime të tjera”, thotë ajo.

10 vitet e fundit afro 230 vetë kanë marrë pjesë në programin Fulbright nga Kosova dhe Shqipëria, përfshirë amerikanë që kanë shkuar në këto vende. Mes amerikanëve që kanë interes të shkojnë në ato vende janë edhe shqiptaro-amerikanë./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat