Joe Biden thotë se s’do të mbajë tubime zgjedhore gjatë pandemisë

Amerika

Joe Biden thotë se s’do të mbajë tubime zgjedhore gjatë pandemisë

Më: 1 korrik 2020 Në ora: 10:15
Joe Biden

Kandidati për president të Shteteve të Bashkuara nga radhët e Partisë Demokratike, Joe Biden, ka thënë se nuk do të mbajë tubime zgjedhore gjatë pandemisë së koronavirusit. Ky qëndrim është i kundërt me sjelljen e presidentit Trump, i cili tashmë ka mbajtur tubime të mëdha.

Ish-nënpresidenti amerikan gjithashtu e kritikoi menaxhimin e situatës së pandemisë nga kreu i Shtëpisë së Bardhë, duke thënë se Trumpi ka bërë që populli amerikan të dështojë dhe se e ka ngritur flamurin e bardhë të dorëzimit në luftën kundër koronavirusit.

“Unë mendoj se kjo është fushata më e pazakontë në historinë moderne”, tha kandidati demokrat gjatë konferencës së parë për gazetarë që nga dita kur e siguroi nominin e partisë për të qenë kandidat në zgjedhjet presidenciale, rreth katër javë më parë.

“Do t’i ndjek urdhrat e mjekut – jo vetëm për mua por për vendin – dhe kjo nënkupton se unë nuk do të mbaj tubime”, tha Biden, duke shtuar se ende nuk është testuar për koronavirus.

Ai nuk tregoi nëse vendimi i tij mund të ndryshojë në rast të përmirësimit të situatës në muajt e ardhshëm.

Vendimi i tij erdhi në kohën kur është rritur alarmi për pamundësinë e shtetit që ta menaxhojë krizën nga e cila kanë vdekur mbi 127,000 persona.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat