Pelosi akuzon Shtëpinë e Bardhë: Mashtron publikun mbi informacionet e zbulimit

Amerika

Pelosi akuzon Shtëpinë e Bardhë: Mashtron publikun mbi informacionet e zbulimit

Më: 3 korrik 2020 Në ora: 06:09
Nancy Pelosi

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve akuzoi presidentin dhe ndihmësit e tij për një përpjekje për të mashtruar publikun amerikan që të besojë se informacionet e zbulimit lidhur me një komplot të dyshuar rus nëpërmjet të cilit ofroheshin para në këmbim të sulmeve ndaj forcave amerikane dhe aleatëve të tyre në Afganistan, nuk ishin serioze. Kritikat e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi pasuan një takim të klasifikuar të enjten të zhvilluar në Kongres me praninë e drejtorëve të CIA-s dhe Agjencisë së Sigurisë Kombëtare si dhe drejtorit të konfirmuar së fundmi të Zbulimit Kombëtar.

Ndërsa zonja Pelosi nuk pranoi të komentojë rreth informacioneve të zbulimit, ajo tha se përpjekjet e Presidentit Donald Trump dhe stafit të tij për të minimizuar seriozitetin ishin në dëm të forcave amerikane në rajon.

Zyrtarët e lartë të Shtëpisë së Bardhë, përfshirë këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien, kanë mbrojtur vazhdimisht vendimin për të mos informuar presidentin lidhur me informacionet e zbulimit sipas të cilave zbulimi ruse kishte ofruar shpërblime për militantët e lidhur me talebanët për sulme vdekjeprurëse ndaj trupave amerikane dhe ato të koalicionit në Afganistan.

Të mërkurën zoti O’Brien ia kaloi përgjegjësinë rreth atij vendimi agjentes së CIA-s që informon presidentin Trump, duke u thënë gazetarëve se "ajo e mori vendimin pasi nuk kishte besim tek informacionet e zbulimit që ishin siguruar".

Në një postim në twitter të mërkurën zoti Trump i hodhi poshtë akuzat si të rreme që synonin të dëmtonin siç tha ai fatin e tij politik, një akuzë që ai e përsëriti edhe gjatë një interviste për "Fox Business News".

"Asnjëherë nuk dëgjuam rreth këtij informacioni pasi nuk u ngrit kurrë në atë nivel", tha presidenti.

"Shumë prej tyre që punojnë në shërbimet e zbulimit nuk besojnë as që ka ndodhur", shtoi ai. "Mendoj se është një mashtrim i bazuar në gazeta dhe tek demokratët".

Por zonja Pelosi tha se jo vetëm që ishte e qartë për të se presidenti duhej të ishte informuar, por se zyrtarët e zbulimit ishin treguar të pakujdessshëm duke dështuar që ta vinin Kongresin në dijeni rreth çështjes.

"Kishte një nivel pasues, komuniteti i zbulimit duhet ta kishte sjellë informacionit tek ne" tha zonja Pelosi.

Zonja Pelosi dhe demokrati Chuck Schumer, udhëheqësi i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, i bënë thirrje zotit Trump të mbajë një linjë më të ashpër ndaj Rusisë dhe udhëheqësit të saj Presidentit Vladimir Putin.

"Besoj se presidenti nuk është aspak i ashpër ndaj Vladimir Putin", u tha zoti Schumer gazetarëve.

Dy përfaqësuesit e lartë të demokratëve ngritën gjithashtu shqetësimin rreth asaj që ata e quajtën qasje e butë e zotit Trump ndaj Rusisë pavarësisht dëshmive për një kërcënim ndaj trupave amerikane, lidhur me kërkesën e tij për heqjen e sanksioneve të propozuara mbi zbulimin dhe agjenci të mbrojtjes ruse si dhe pohimeve e zotit Trump se Moska duhet t'i ribashkohet G-7, grupit të vendeve më të industrializuara të botës.

Përkundër pohimeve nga administrata Trump dhe Pentagoni se informacionet e zbulimit në lidhje me komplotin e dyshuar rus nuk janë verifikuar, zyrtarët thonë se kërcënimi u trajtua me seriozitet.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë dhe CIA thanë se informacionet u ndanë me agjencitë amerikane të zbulimit, ushtrinë dhe aleatët e SHBA-së në Afganistan dhe se u morën masa paraprake.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë gjithashtu se nuk ka asnjë provë se janë dëmtuar trupa amerikanë.

"Ne veprojmë gjithmonë në interesin më të mirë të trupave tona", u tha sekretarja e shtypit Kayleigh McEnany gazetarëve të mërkurën.

"Departamenti i Mbrojtjes ka thënë se ata nuk janë në dijeni rreth ndonjë amerikani që është vrarë në lidhje me informacionet e zbulimit të paverifikuara të cilat po vlerësohet aktualisht", shtoi ajo.

Zyrtarët e mbrojtjes dhe ata të zbulimit kanë qenë prej kohësh të shqetësuar mbi ndërhyrjen ruse në Afganistan, duke u ankuar në mënyrë të përsëritur se Moska u ka siguruar talebanëve armë dhe trajnime. Një raport i ri i Pentagonit i lëshuar të mërkurën, i cili nuk përmend shpërmblimet e dyshuara të dhëna nga Moska, paralajmëronte se përfshirja e Rusisë po rritet.

"Rusia ka mbështetur politikisht Talebanët për të kultivuar ndikim tek grupi, për të kufizuar praninë ushtarake perëndimore dhe për të inkurajuar operacionet kundër-ISIS-it (Grupit terrorist të Shtetit Islamik), megjithëse Rusia publikisht e ka mohuar përfshirjen e saj", thuhej në raport.

Të mërkurën sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo u përpoq të minimizojë shqetësimet rreth çështjes.

"Fakti që rusët janë angazhuar në Afganistan në një mënyrë që bie në kundërshtim me qasjen e Shteteve të Bashkuara nuk është asgjë e re", tha ai.

"Rusët kanë shitur armë të vogla që kanë vënë në rrezik amerikanët prej 10 vitesh. Ne e kemi kundërshtuar këtë. Kur shohim informacion të besueshëm që sugjeron që rusët po rrezikojnë jetën e amerikanëve, ne i përgjigjemi në një mënyrë serioze", shtoi zoti Pompeo./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat