Rritje e numrit të të infektuarve në 40 shtete amerikane

Amerika

Rritje e numrit të të infektuarve në 40 shtete amerikane

Më: 3 korrik 2020 Në ora: 15:29
Teksas - Foto nga arkivi

Në Shtetet e Bashkuara është rritur në mbi 55 mijë numri i rasteve ditore të të infektuarve me koronavirusin e ri. Kurba e infeksionit po rritet në 40 nga 50 shtetet e SHBA-së.

Rritja e rasteve të reja ka detyruar zyrtarët, veçanërisht në shtetet jugore dhe perëndimore, të ndalojnë ose të pezullojnë rihapjen e ekonomive të tyre.

Katër shtete - Arizona, Kalifornia, Florida dhe Teksasi - raportuan për 25,000 raste të reja.

Koronavirusi pezullon rihapjen e ekonomisë në disa shtete të SHBA-së

Shtete të shumta kanë urdhëruar restorantet, baret dhe plazhet të mbyllen ose të kufizojnë kapacitetin, derisa vendi po përgatitet të shënojë 4 korrikun, Ditën e Pavarësisë së SHBA-së.

Zyrtarët janë të shqetësuar se rastet mund të rriten edhe më shumë, pasi festimet e Ditës së Pavarësisë zakonisht shënohen përmes ahengjeve të ndryshme dhe udhëtimeve.

Teksasi e bën të detyrueshme mbajtjen e maskës

Guvernatori i Teksasit në SHBA, Greg Abbott, ka urdhëruar qytetarët të mbajnë maskat mbrojtëse në publik, pas rritjes së numrit të rasteve me koronavirus në këtë shtet amerikan.

Teksasi arriti një rekord të rasteve me COVID-19, pasi vetëm të mërkurën u konfirmuan më shumë se 8,000 të infektuar.

"Mbajtja e maskës në fytyrë do të na ndihmojë të mbajmë Teksasin të hapur për biznes", tha Abbott, pasi njoftoi për vendimin. Banorët që refuzojnë të vendosin maskën do të përballen me gjobë deri në 250 dollarë. "Më lejoni të jem i qartë: askush nuk mund të burgoset për shkeljen e kësaj praktike", tha guvernatori. Ai paralajmëroi se disa njësi të kujdesit intensiv ishin pothuajse të mbushura me pacientë.

Në vendimin për mbajtjen e maskës nuk janë të përfshirë fëmijët që janë 10 vjeç ose më të rinj, ata që kanë një gjendje mjekësore e cila i pengon të vendosin maskën, personat që janë duke ngrënë ose pirë dhe ata që bëjnë aktivitete fizike në ambient të hapur.

Shtetet e Bashkuara janë goditur më së keqi nga pandemia e koronavirusit. Deri më tani ka pasur 2.7 milionë raste të të infektuarve në shkallë vendi dhe më shumë se 128,000 vdekje.

Në krahasim me Shtetet e Bashkuara, numri i të infektuarve dhe viktimave ka rënë në Evropë, edhe pse pjesa më e madhe e kontinentit ka hequr masat e izolimit, disa javë më parë.

Britania e Madhe njoftoi më 3 korrik se udhëtarëve që vijnë nga Gjermania, Franca, Spanja dhe Italia nuk do t'u kërkohet më të vetizolohen. Vendimi hyn në fuqi më 10 korrik.

Londra do të publikojë një listë të plotë të vendeve me 'rrezik të ulët'.

Sa për krahasim, shteti i Arizonës në SHBA me popullsi prej 7.3 milionë - po regjistron më shumë raste me koronavirusin e ri, sesa gjithë Bashkimi Evropian me 446 milionë banorë. Bashkimi Evropian më 1 korrik rihapi kufijtë e tij për vizitorët nga 15 vende. Vendimi nuk përfshin Shtetet e Bashkuara, Brazilin dhe Rusinë.

Në nivel botëror, deri më tani janë shënuar 10,8 milionë raste të të infektuarve me koronavirus dhe 520,000 vdekje./REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat