Biden, Trump dhe politika e jashtme amerikane

Amerika

Biden, Trump dhe politika e jashtme amerikane

Më: 3 korrik 2020 Në ora: 22:16
Joe Biden dhe Donald Trump

Joe Biden, kandidati i supozuar i Partisë Demokratike, ka kritikuar Presidentin Donald Trump për mënyrën se si ka trajtuar akuzat se rusët kanë ofruar para për komplote për vrasjen e ushtarëve amerikanë në Afganistan. Ky është një reflektim i kritikës për një kohë të gjatë të ish nënpresidentit Biden ndaj Presidentit Trump për çështjet e sigurisë kombëtare dhe politikën e tij të jashtme. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Brian Padden, demokrati Biden dhe Presidenti republikan Trump në të vërtetë nuk kanë aq shumë dallime në lidhje me çështjet kryesore të politikës së jashtme.

Joe Biden kritikoi ashpër Presidentin Trump të martën për atë që Biden e sheh si një përgjigje pasive të Presidentit ndaj raporteve të inteligjencës se rusët kanë paguar luftëtarët talibanë për të vrarë ushtarë amerikanë.

Presidenti Trump pretendon se ai nuk u informua për këtë, dhe se njoftimet nuk ishin të besueshme.

"Ideja se në njëfarë mënyre ai nuk e dinte ose nuk po informohej, është një shmangie e përgjegjësisë. Nëse ai është informuar dhe asgjë nuk ishte bërë për këtë, kjo është një shmangie e përgjegjësisë".

Biden, i cili ishte nënpresident në administratën e presidentit Barack Obama, ka qenë një kritik i ashpër i asaj që ai e quan një politikë të jashtme "të rrezikshme" të zotit Trump.

Në janar, ai tha se Presidenti Trump i vuri Shtetet e Bashkuara në prag të luftës, pasi një sulm ajror amerikan vrau një gjeneral të lartë iranian në shenjë hakmarrjeje për sulmet vdekjeprurëse të mbështetura nga Irani ndaj amerikanëve në Irak.

"Mungesa e konsultimeve me aleatët tanë ose Kongresin dhe shpërfillja e pasojave që me siguri do të pasonin ishte, sipas mendimit tim, një qasje e rrezikshme dhe jo kompetente."

Megjithatë, tensionet u lehtësuan pas sulmit hakmarrës jo-vdekjeprurës të Iranit me raketa kundër një baze ushtarake amerikane në Irak.

Për dallim nga Presidenti Trump, i cili mbështetet në veprimet e njëanshme në përballjen me kërcënimet ndaj sigurisë së Shteteve të Bashkuara, zoti Biden premton të bashkëpunojë ngushtë me aleatët e Amerikës dhe t’i japë përparësi negociatave ndaj konfrontimit.

Ish nënpresidenti Biden është më afër qëndrimeve të Presidentit Trump për t'i dhënë fund përfshirjes ushtarake amerikane në Afganistan dhe Siri, vazhdimin e negociatave me Korenë e Veriut për t’i dhënë fund programit bërthamore të Phenianit, dhe përballjen me Kinën në lidhje me shkeljen e të drejtave të njeriut në Hong Kong.

Por kritikët e kanë vënë në dyshim efektshmërinë që Biden mund të ketë në udhëheqjen e një reagimi ndërkombëtar, me krahun e majtë të partisë demokrate që është kundër ndërhyrjeve ushtarake. Kjo vështirësohet më tej nga sfidat e brendshme me të cilat Biden do të duhej të përballej si pandemia koronavirusit, rritja e nivelit të papunësisë dhe protestat kundër padrejtësive raciale.

"Ai ka një axhendë të madhe dhe shumë të gjerë për të cilën ai tashmë është angazhuar. Kështu që unë nuk besoj se ai mund sjellë një rigjallërim të udhëheqjes tradicionale dhe më të vendosur amerikane, dhe ndërhyrjeve kritike në kriza", tha Giselle Donnelly, analiste e çështjeve të sigurisë në Institutin American Enterprise.

Biden ka të ngjarë të rikthejë Shtetet e Bashkuara në marrëveshjen bërthamore me Iranin, të negociuar nga administrata e ish presidentit Obamës, nga e cila Presdienti Trump u tërhoq duke argumentuar se marrëveshja nuk e kufizonte prodhimin e raketave balistike dhe mbështetjen e Iranit për grupet e armatosura.

Ish nënpresidenit Biden dëshiron të përfshijë përsëri Shtetet e Bashkuara në marrëveshjen e Parisit për klimën, të nënshkruar nga gati 200 vende, e cila ka për qëllim pakësimin e çlirimit të gazit serrë nga makinat dhe fabrikat për t’iu kundërvënë ngrohjes globale.

Por Biden tha se ai nuk do të rikthente Shtetet e Bashkuara në Marrëveshjen Transpaqësore të tregtisë së lirë të epokës së ish Presidentit Obama, që Trump e hodhi poshtë, derisa të krijohen masa më të forta për të mbrojtur vendet e punës për amerikanët./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat