Gazetari i njohur i CNN: Bëni gjithçka që mundeni kundër tornados Covid-19

Amerika

Gazetari i njohur i CNN: Bëni gjithçka që mundeni kundër tornados Covid-19

Më: 7 korrik 2020 Në ora: 12:47
Richard Quest

Kolla m’u rikthye pa paralajmëruar dhe në dukje pa asnjë arsye dhe po kështu edhe lodhja, por një gjë është e vërtetë, nuk ka asgjë më ligështuese, madje edhe sesa kur isha infektuar vërtet nga virusi, sesa rikthimi i simptomave, shkruan për përvojën e tij me Covid-19, gazetari i famshëm i CNN-it, Richard Quest, kryeredaktor për çështjet e biznesit në rrjetin e njohur informativ amerikan.

”Si shumë të tjerë, edhe tani unë po kuptoj se po jetoj dhe po vuaj nga bishti i gjatë i Covid-19.

Unë u infektova në mes të prillit. Fillimi i simptomave erdhi shpejt. Papritur vura re që ndihesha shumë i lodhur dhe pata kollë. Bëra testin dhe pasi mora një telefonatë nga qendra mjekësore, rezultoi se kisha dalë pozitiv për koronavirusin.

Virusi ngjan me një tornado. Kur ai ulet, pështjellohet nëpër trup duke shkaktuar kaos, konfuzion, kollitje dhe dëme në secilin organ që prek. Disa nuk do t’i mbijetojnë ‘vizitës’ së tij.

Për atë që shkakton, kur ai ka ikur, çdokush sheh dëmtimin e vetes dhe e kupton se është diçka shumë më e madhe sesa e kishte menduar fillimisht. Simptomat e mia ishin në anën e tyre më të butë, pasi kurrë nuk kisha vështirësi në frymëmarrje ose humbje sensi apo humbje të nuhatjes. Sidoqoftë, u treta nga lodhja dhe gjithmonë kisha kollë, që tani është rikthyer.

Kollë nga Covid-19 nuk është si kollitja juaj e zakonshme, e fortë, ajo që mjekët e quajnë me mirësjellje “kollë produktive”.

Ajo është shumë e veçantë. Është një kollë e thatë, e butë, por e vrazhdë.

Kam rezultuar negativ për virusin dhe pozitiv për antitrupat dhe mjeku më thotë që nuk do të kthehet më. Por, ka ditë kur ndiej se është rikthyer.

Unë po zbuloj edhe zona të reja dëmesh, pasi tani jam bërë tepër i ngathët.

Nëse marr një gotë apo diçka nga bufeja ose do ta përplas ose do të më bjerë në dysheme. Duket sikur e kam kapërcyer skajin e humnerës dhe po fluturoj. Përplasem vazhdimisht me orenditë. Është sikur ajo pjesë e trurit tim, që në mënyrë të pavetëdijshme instiktive përshtat duart dhe lëvizjet e trupit ndaj pengesave që shoh, duket sikur nuk funksionon.

Ndonjëherë kam një ndjesi konfuzioni, por të shkurtër. Apo një vonesë sa hap e mbyll sytë për një mendim apo hezitim për ndonjë fjalë. Askush nuk do ta vinte re, por unë po. Të paktën sistemin tretës e kam të veçantë.

Nuk ka rëndësi nëse i quaj simptoma, tipare apo pasoja – trupi im nuk ndjehet mirë.

Mjekët përpiqen të më sigurojnë duke thënë se kjo gjendje do të kalojë, por ata nuk më thonë se kur.

Java e kaluar ishte e keqe. Kolla më shoqëroi për ditë të tëra, jam i lodhur dhe kam nevojë për të bërë një sy gjumë.

Kapa trekëmbëshin e kamerës për t’u mbajtur, por rashë mbi një karrige!

Unë jam i shqetësuar, por ende nuk më ka përfshirë paniku.

Kjo javë duket shumë më mirë.

Për ata që nuk e kanë kaluar Covid-19 ose kanë qenë dëshmitarë të rrëmujës që lë pas, unë ju bëj thirrje, sërish, bëni gjithçka që mundeni për ta shmangur këtë tornado.

Ajo do të gjëmojë nëpër trup, do të vrasë disa përgjatë rrugës, do t’i plagosë të gjithë gjatë rrugës së saj, dhe pastaj kur të mendosh “faleminderit Zotit që është zhdukur”, shikoni përreth, dëmi është shpërndarë kudo dhe do të jetë me ju shumë gjatë edhe pasi të ketë kaluar kriza.

Covid-19 është një tornado me një bisht shumë të gjatë”, përfundon gazetari i famshëm i CNN-it, Richard Quest, kryeredaktor për çështjet e biznesit në rrjetin e njohur informativ amerikan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat