SHBA e mbërthyer me shtimin e koronavirusit

Amerika

SHBA e mbërthyer me shtimin e koronavirusit

Më: 7 korrik 2020 Në ora: 18:16
SHBA

Me numrin e rasteve të reja të konfirmuara të koronavirusit çdo ditë në Shtetet e Bashkuara sa dyfishi i niveleve të një muaj më parë, eksperti më i mirë i sëmundjeve infektive në vend, po e quan gjendjen e shpërthimit "me të vërtetë jo të mirë".

Në një konferencë në internet të hënën, Dr. Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, citoi shtimin e rasteve pasi shtetet amerikane hoqën shumë kufizime të vendosura për të ndaluar përhapjen e sëmundjes.

Ai e krahasoi situatën me atë që po ndodh në Evropë, ku vendet kanë parë disa rritje në rastet pas rihapjes, por ato ndodhën pas një rënie të madhe nga nivelet e para në kulmin e shpërthimit.

"Ne u ngjitëm, dhe kurrë nuk zbritëm në nivelin fillestar, dhe tani po rritemi përsëri. Pra, është një situatë serioze që duhet ta zgjidhim menjëherë", tha Fauci.

Numri i rasteve të konfirmuara është rritur në rreth 40 nga 50 shtetet amerikane, me një përqindje më të lartë të testeve që dalin pozitive dhe sistemet spitalore që paralajmërojnë për mbushjen e shtretërve.

Në një letër të hënën, tre organizata të larta mjekësore amerikane - Shoqata Mjekësore Amerikane, Shoqata Amerikane e Infermierëve dhe Shoqata Amerikane e Spitalit - u bënë thirrje amerikanëve të vënë maska, të respektojnë udhëzimet për distancimin shoqëror dhe të lajnë duart.

Grupet e quajtën shpërthimin e koronavirusit "kriza më e keqe e shëndetit publik në breza" dhe thanë se hapat parandalues të mbështetur nga zyrtarët shëndetësorë muaj më parë "u braktisën shumë shpejt".

"Ne nuk jemi të pafuqishëm në këtë krizë të shëndetit publik, dhe mund ta mposhtim atë në të njëjtën mënyrë si kemi mposhtur kërcënimet e mëparshme të shëndetit publik - duke lejuar shkencën dhe provat të ndihmojnë vendimet tona dhe të informojnë veprimet tona," thuhet në letër.

Shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë Mark Meadows përsëriti të hënën në një intervistë me rrjetin kabllor të lajmeve Fox News se administrata Trump po i lë drejtuesit lokalë dhe shtetërorë të vendosin për kufizimet ndaj koronavirusit në vend të qeverisë federale.

"Kur flasim për maskat, kjo bëhet sipas rregullave lokale, kur nuk mund të kesh distancim shoqëror, por sigurisht nuk ka një mandat kombëtar që do të detyronte vënine e tyre", tha zoti Meadows. "Ne po lejojmë guvernatorët dhe kryetarët e bashkive të marrin përsipër këtë vendim."

Në Florida, një prej shteteve që ka parë një goditje me rreth 10,000 raste të reja ditore në ditët e fundit, zyrtarët në qarkun më të madh urdhëruan restorantet dhe palestrat të mbyllen përsëri. Plazhet, të cilat u mbyllën për fundjavën e festës të 4 korrikut, po lejohen të rihapen të martën.

Arizona ktheu përsëri disa heqje të kufizimeve të saj pasi rastet atje u shtuan javën e kaluar, dhe të hënën Departamenti i Shërbimeve Shëndetësore raportoi se numërimi i përgjithshëm i rasteve në atë shtet kishte kaluar 100,000. Më shumë se 62,000 nga rastet e konfirmuara janë të grupëmoshës më të rinj se 44 vjeç.

Guvernatori i Virxhinias Perëndimore iu përgjigj rritjes prej 30% të rasteve gjatë javës së kaluar me një urdhër të hënën që kërkon që të gjithë mbi moshën 9 vjeçare të mbajnë një maskë brenda, kur distanca sociale nuk është e mundur.

Në mbarë vendin, Shtetet e Bashkuara kanë më shumë se 2.9 milionë raste të konfirmuara me 130,000 vdekje, të dy shifrat deri tani më të lartat në botë./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat