SHBA, Gjykata e Lartë vendos për taksat e presidentit

Amerika

SHBA, Gjykata e Lartë vendos për taksat e presidentit

Më: 10 korrik 2020 Në ora: 06:12
Gjykata e Lartë e SHBA

Gjykata e Lartë e SHBA e bëri të qartë të enjten se një prokuror i qytetit të Nju Jorkut ka të drejtë të shikojë të dhënat financiare të Presidentit Donald Trump, por vendosi të mos lejojë, të paktën tani për tani, që Dhoma e Përfaqësuesve e drejtuar nga demokratët, të marrë të dhëna të ngjashme financiare.

Të dyja vendimet, të marra me shtatë vota pro dhe dy kundër, ishin hartuar nga kreu i Gjykatës së Lartë John Roberts.

Njëri vendim nënkupton se kërkesa e bërë në adresë të firmës së kontabilitetit Mazars LLP, e përdorur nga Presidenti Trump, që ajo t’i dorëzojë një jurie të madhe dokumentet e ndryshme financiare të Presidentit, si pjesë e një hetimi kriminal, duhet të zbatohet.

Por Gjykata e Lartë la mënjanë vendimin e rëndësishëm nëse tre komisione të Dhomës së Përfaqësuesve mund të marrin gjithashtu, kundrejt kërkesës zyrtare, dokumentet financiare të Presidentit Trump.

Ajo praktikisht rrëzoi vendimet e gjykatave më të ulëta që përcaktonin se disa komisione të kongresit të drejtuara nga demokratët kanë të drejtë të marrin dokumentete financiare të presidentit.

Gjykata e Lartë ua ktheu këtë çështje gjykatave më të ulëta për rishqyrtim, gjë që shënon një fitore të përkohshme për Presidentin Trump.

Presidenti Trump, i cili nuk ka ndjekur praktikën e kandidatëve të tjerë presidencialë, duke refuzuar të bëjë publike dokumentet tatimore gjatë fushatës së vitit 2016, është përpjekur të bllokojë publikimin e dokumenteve të tij financiare.

Disa komisione të Dhomës së Përfaqësuesve kishin kërkuar të dhëna për këto dokumente nga dy banka, Capital One dhe Deutsche Bank, si dhe nga firma e kontabilitetit Mazars USA.

REAGIMET

Menjëherë pas vendimeve, Presidenti Trump reagoi në Twitter:

"Gjykatat në të kaluarën kanë dhënë vendime që respektonin gjerësisht pozitën e presidentit. POR PËR MUA JO! "Gjykata e Lartë e rikthen çështjen në Gjykatën e Ulët, argumentimet do të vazhdojnë. E gjitha kjo është një përndjekje politike. Fitova ndaj Gjuetisë së Shtrigave të Muellerit dhe të tjerëve, dhe tani më duhet të vazhdoj të luftoj në një Nju Jork të korruptuar politikisht. E padrejtë ndaj kësaj Presidence ose Administrate!"

Reagoi gjithashtu prokurori i distriktit të Manhatanit në Nju Jork, Cy Vance, Jr:

"Kjo është një fitore e jashtëzakonshme për sistemin e drejtësisë të vendit tonë dhe për parimin mbi të cilin ajo bazohet që, askush - madje as presidenti – nuk është mbi ligjin. Hetimi ynë, i cili u vonua për gati një vit për shkak të këtij procesi gjyqësor, do të rifillojë, i orientuar si gjithmonë nga detyrimi solemn i jurisë së madhe për të ndjekur ligjin dhe faktet, kudo ku ato mund të çojnë".

ÇËSHTJA KRYESORE, NDARJA E PUSHTETEVE

Çështja kryesore që shqyrtuan gjyqtarët kishte të bënte me ndarjen e pushteteve midis degëve të qeverisë federale dhe kompetencave të Kongresit për të hetuar një president.

Avokati i zotit Trump, Patrick Strawbrige, tha gjatë argumentimit të çështjes në muajin maj se kërkesat për dokumentet financiare nuk i shërbenin ndonjë qëllimi me rëndësi dhe se ligjvënësit nuk duhet të kenë autoritet të pakufizuar për të hetuar një president.

Ndërkaq, disa gjykata të nivelit më të ulët Nju Jork dhe Uashington dhanë vendime kundër Presidentit Trump në çështjen e kërkesës për dokumentet financiare.

Gjyqtari Jon O. Newman i Gjykatës së Apelit për Qarkun e Dytë të Nju Jorkut shkruante:

“Interesat e komisionevetë Kongresit për të ushtruar funksionet e tyre kushtetuese dhe legjislative janë një interes publik shumë më i rëndësishëm se çfarëdo interesi tjetër ...”.

Jay Sekulow, një tjetër avokat i zotit Trump, argumentoi para Gjykatës së Lartë në muajin maj se presidenti gëzon “imunitet të përkohshëm kushtetues” nga ndjekja penale gjatë kohës që shërben në detyrë dhe se prokurori i qarkut të Nju Jorkut nuk ka asnjë autoritet për të hetuar zotin Trump.

Carey Dunne, këshilltar i përgjithshëm për prokurorin e qarkut të Manhatanit, tha se presidentët, ndërsa gëzojnë imunitet nga ndjekja penale, ata nuk përjashtohen nga kërkesat që të dorëzojnë dokumente. Për më tepër tha zoti Dunne, të dhënat që kërkon zyra e tij i takojnë periudhës përpara mandatit të Presidentit Trump dhe nuk mbrohen nga privilegji ekzekutiv.

“Ekziston një rrezik që presidentët amerikanë dhe palë të treta pa dashje të dalin mbi ligjin”, tha ai.

Gjykata e Larta e ka trajtuar edhe në të kaluarën çështjen nëse një president në detyrë duhet të përmbushë një kërkesë ligjore për dokumente.

Në vitin 1973, gjykata vëndosi njëzëri kundër Presidentit Richard Nixon në çështjen që lidhej me dorëzimin e regjistrimeve audio të Shtëpisë së Badhë tek një prokuror special. Gjykatësit po ashtu morën një vendim të njëzëshëm kundër Presidentit Bill Clinton në vitin 1997, duke lejuar një proces gjyqësor në ngarkim të presidentit për ngacmim seksual.

Gjatë argumenteve me gojë në muajin maj, të nëntë gjyqtarët lanë shumë pak të kuptohet se çfarë ane do të mbajnë për çështjet e ngritura para tyre.

Ndërsa vendimet e gjykatës së ulët kundër zotit Trump erdhën mes procesit për shkarkimin e tij nga Dhoma e Përfaqësuesve nën akuzat për pengim të drejtësisë dhe abuzim pushteti, akuza për të cilat Senati e nxori të pafajshëm, vendimi i Gjykatës së Lartë vjen ndërsa vendi është vetëm pak muaj para se të vendosë nëse do të rizgjedhë zotin Trump për një mandat të dytë presidencial, apo rivalin e tij, ish Zëvendës Presidentin Joe Biden./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat