SHBA, dyqanet mundohen të ofrojnë eksperiencë të këndshme për blerësit

Amerika

SHBA, dyqanet mundohen të ofrojnë eksperiencë të këndshme për blerësit

Më: 12 korrik 2020 Në ora: 17:56
Klientët presin për të hyrë në një dyqan në Illinois

Kur filloi pandemia, shumë dyqane me pakicë u detyruan të mbyllen për të ndihmuar në frenimin e virusit. Disa prej tyre kanë bërë tashmë kërkesë për falimentim. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Mariama Diallo, të tjerët kanë filluar të rihapen dhe përpiqen të ofrojnë një përvojë të mirë për blerësit, madje edhe gjatë pandemisë.

Është një kohë e rëndësishme për shitësit me pakicë, të cilët janë duke u përpjekur të rimëkëmben nga rënia më e madhe e shitjeve të regjistruar ndonjëherë.

Shitësit me pakicë po përpiqen të rikthejnë klientët dhe tu ofrojnë një përvojë të kënaqshme të blerjes, megjithë kufizimet për të frenuar përhapjen e virusit.

Melissa Gonzalez është konsulente e shitjeve me pakicë.

"Ju mund të blini diçka dhe blerja është shumë mekanike, por bërja e pazarit është një përvojë emocionale. Si ua jepni akoma njerëzve këtë kënaqësi?", thotë zonja Gonzalez.

Shumë shitës me pakicë u kërkojnë punonjësve të veshin maska, po pastrojnë hapësirat publike, kanë shtuar mbrojtëse xhami për arkëtarët, kanë kufizuar numrin e klientëve në dyqane dhe kanë vendosur shenja që u kujtojnë blerësve të rrinë gjashtë metra larg njëri-tjetrit.

Kathy Hilt është zëvendës presidente e dyqaneve Macy në qytetin e Nju Jorkut.

"Ajo që nuk ka ndryshuar janë njerëzit pas maskave. Ju mund ta ndjeni dhe shihni atë buzëqeshje pas maskës; mund ta ndjeni atë ngrohtësi, ndërsa mësoni për distancimin shoqëror dhe shihni xhamat e vendosur tek arkat. Do të jetë pak më ndryshe, por ndjesia e eksperiencës do të jetë saktësisht e njëjtë", thotë zonja Hilt.

Në vend që t’i lënë klientët të provojnë produkte kozmetike, punonjësit e Macy-it në sektorin e kozmetikës po u tregojnë vizatime se si duket grimi.

"Ulta Beauty" ka një aplikacion telefoni që u mundëson klientëve të provojnë buzëkuqe dhe produkte të tjera bukurie.

Eileen Ziesemer është me firmën Ulta.

"Punonjësit kontrollohen çdo ditë për shëndetin para fillimit të çdo turni. Atyre u kërkohet të mbulojnë fytyrën gjatë gjithë kohës që gjenden në dyqan. Dhe, natyrisht, po praktikojnë distancim fizik në dyqan", thotë zonja Ziesemer.

Pas muajsh mbylljeje, disa njujorkezë kanë filluar tu drejtohen dyqaneve.

"Thjesht ndjehesh mirë, duke dalë nga shtëpia, duke bërë gjërat normale që bëjnë gratë kur bëjnë pazar", thotë Elizabeth Lewis, një blerëse.

"Ndihem mirë, por ende nervoze përreth njerëzve. Kam ende frikë", thotë klientja Gloria.

Ndërsa njerëzit mësohen me normalitetin e ri në disa shtete, një rritje e rasteve të reja me koronavirusin ka detyruar shtetet e tjera të anullojnë rihapjen e bizneseve, duke ua shtuar problemet sektorit të shitjeve me pakicë.

Mark Hamrick është analist ekonomik me "Bankrate.com".

"Kemi parë një numër sinjalesh thellësisht shqetësuese nga shitësit me pakicë, qoftë nëse bëhet fjalë për shpallje falimentimi ose njoftime për mbylljet e dyqaneve", thotë zoti Hamrick.

Marka e veshjeve Brooks Brothers është kompania më e fundit që ka paraqitur kërkesën për Kapitullin 11, një formë e mbrojtjes nga falimentimi… duke iu bashkuar markave të tjera me emër të madh të shitjeve me pakicë në Amerikë, si Neiman Marcus, J. Crew dhe J.C Penney./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat