SHBA, Me shtimin e infektimeve, autoritetet përsërisin udhëzimet për maska

Amerika

SHBA, Me shtimin e infektimeve, autoritetet përsërisin udhëzimet për maska

Më: 13 korrik 2020 Në ora: 18:25
SHBA

COVID-19 i ka goditur rëndë Shtetet e Bashkuara. Deri tani numërohen mbi 3 milionë infektione dhe më shumë se 137 mijë të vdekur nga sëmundja. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Kane Farabaugh analizon se si situata e rënduar me koronavirus po ndikon tek intensifikimi i përpjekjeve të autoriteteve për të shtuar respektimin e masave mbrojtëse kundër infeksionit:

Në qytetin Elkhart Lejk të Uiskonsinit, tifozë të garës me makina IndyCar u mblodhën për aktivitein e parë publik që kur pandemia bëri të detyrueshme mbylljen e pistave të garave në të gjithë vendin.

Maskat ishin të këshillueshme, por jo me detyrim:

“Kjo është një ndër pistat më të mira në botë. Organizatorët marrin masa, të gjithë pjesëmarrësit janë të kujdesshëm. Nuk kisha frikë të vija,” thotë një tifoz.

"Personeli dhe konkurrentët janë me maska, por nuk mendoj se tifozët e kanë me aq dëshirë,” thotë Jim Cossaart, tifoz.

Në Florida, një ndër shtetet që po ndeshet me rritje të vazhdueshme të rasteve gjatë ditëve të fundit, parku argëtues DisneyWorld hapi dyert pas tre muajsh mbyllur. Maskat janë të detyrueshne në pjesën më të madhe të parkut.

“Të dhënat që kemi deri tani tregojnë se vënia e maskës nuk ka asnjë anë negative,” thotë ndihmës sekretari i shëndetësisë, Brett Giroir.

Ndihmës sekretari i shëndetësisë, Admirali Brett Giroir theksoi se maskat mund të parandalojnë përhapjen e virusit, sidomos në zona ku po shtohen rastet:

“Vënia e maskës është me rëndësi jetike. E dimë që duke vënë maskën ulet përhapja e infeksionit. Por që maska të jetë e efektshme, duhet që 90% e njerëzve të vënë maska në zona publike me rrezik të lartë. Nëse nuk e bëjmë, nuk do ta vëmë nën kontroll virusin,” thotë admirali.

Pasi rezistencës për javë të tëra, Presidenti Trump vuri maskë gjatë një vizite në spitalin ushtarak Walter Reed në Uashington.

“Mendoj se kur je në spital, sidomos në pavione ku janë shtruar ushtarë dhe njerëz që sapo janë operuar, duhet vënë. Më duket si ditë e shkëlqyer për të vënë maskë. Nuk kam qenë kurrë kundër maskave por besoj se varet nga momenti dhe vendi,” tha presidenti para nisjes.

Në një seancë me pyetje – përgjigje nga zyra e kryeministrit britanik, Boris Johnson la të kuptohej se mund të merren masa më të forta kufizuese në të gjithë vendin. Ndërkohë në Skoci me një akt legjislativ maskat janë bërë të detyrueshme në dyqane.

“Lidhur me maskat, për herë e më shumë duhet të këmbëngulim që të përdoren në vende të mbyllura, në vende ku ke rrotull njerëz me të cilët nuk ke konntakt të rregullt si në dyqane, në transportin masiv, duhen vënë maskat,” tha zoti Johnson.

Ekspertët mjekësorë thonë se vënia e maskës nuk është masa e vetme e rendësishme për të penguar përhapjen e virusit,

“Duhet të ndalet frekuentimi i bareve, të ulet kapacitete në ristorante, të ruhet distancimi fizik. Njerëzit duhet të vënë maskë në publik dhe të praktikojnë higjenën e duarve,” thotë Admirali Giroir.

Autoritetet e shëndetit publik shpresojnë se këto masa të zbatuara në shkallë kombëtare do të ndalin përhapjen e infeksionit, pasi gjatë javës së kaluar Shtetet e Bashkuara thyen rekorde ditore disa herë për nga numri i rasteve të reja të infeksioneve./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat