SHBA, gjyqtarja kërkon shpjegime për çështjen Roger Stone

Amerika

SHBA, gjyqtarja kërkon shpjegime për çështjen Roger Stone

Më: 13 korrik 2020 Në ora: 19:20
Roger Stone

Në SHBA, një gjyqtare i kërkoi të hënën Departamentit të Drejtësisë të shpjegojë nëse urdhri i Presidentit Donald Trump për t’i shkurtuar dënimin me burg ish-këshilltarit të tij të fushatës, Roger Stone, nënkupton se Stone nuk ka nevojë të vihet nën mbikqyrje, siç veprohet me shumë persona të shpallur fajtorë pasi janë liruar.

Demokratët e Kongresit dhe kritikë të tjerë e akuzuan Presidentin Trump për shpërdorim pushteti dhe për sulm ndaj sundimit të ligjit pas vendimit të tij për t’i shkurtuar dënimin mikut të tij të vjetër Stone.

Gjyqtarja Amy Berman Jackson, e cila kryesoi gjyqin e Stone-it, caktoi si afat përfundimtar 14 korrikun për të marrë një kopje të urdhrit të Presidentit, së bashku me një shpjegim nëse shkurtimi i dënimit përfshin edhe periudhën në të cilën Roger Stone duhet të vihej nën mbikqyrje pasi të kishte dalë nga burgu.

Stone, 67 vjeç, u dënua me tre vjet e katër muaj burg pas shpalljes fajtor se kishte gënjyer ligjvënësit që hetonin rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e vitit 2016.

Dënimi që i ishte dhënë parashikonte që ai të mbahej nën mbikëqyrje për dy vjet.

Roger Stone duhet të ishte paraqitur në një burg federal të Xhorxhias të martën.

Veprimi i Presidentit Trump shënon ndërhyrjen më të bujshme për mbrojtjen e një bashkëpunëtori në një çështje penale dhe është një tjetër rast në të cilin ai përdor urdhrin ekzekutiv për shkurtim dënimi në favor të një aleati./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat