Ushtria amerikane ndalon në mënyrë efektive shfaqjen e flamurit të Konfederatës

Amerika

Ushtria amerikane ndalon në mënyrë efektive shfaqjen e flamurit të Konfederatës

Më: 18 korrik 2020 Në ora: 06:51
Mark Esper

Departamenti amerikan i Mbrojtjes po ndalon në mënyrë të menjëhershme shfaqjen e flamurit të Konfederatës në instalimet ushtarake, njoftoi të premten Pentagoni në një deklaratë ku nuk përmend flamurin apo ndalimin. “Flamujt që ne fluturojmë duhet të jenë në përputhje me rendin dhe disiplinën e mirë ushtarake, duke i trajtuar të gjithë njerëzit tanë me dinjitet dhe respekt, dhe duke hedhur poshtë simbolet përçarëse,” thuhet në deklaratë.

Deklarata e cilëson flamurin amerikan si “flamurin kryesor që ne jemi të autorizuar dhe inkurajuar të shpalosim.” Në deklaratë thuhet gjithashtu se, “anëtarët e shërbimit dhe punonjësit civilë janë të autorizuar të shfaqin ose përdorin flamuj përfaqësues që promovojnë unitetin dhe ndjenjën e krenarisë.” Zyrtarët e cilësuan këtë veprim si një mënyrë krijuese për të ndaluar shfaqjen e flamurit të Konfederatës pa tërhequr zemërimin e Presidentit Donald Trump, i cili ka mbrojtur të drejtat e njerëzve për ta shfaqur atë dhe ka kritikuar serinë e garave të makinave NASCAR për ndalimin e shfaqjes së tij.

Sekretari i Mbrojtjes Mark Esper nënshkroi një memorandum të enjten mbrëma ku renditen llojet e flamujve që mund të shfaqen në objektet ushtarake, por flamuri i Konfederatës nuk është në mesin e tyre. Një zyrtar i Departamentit të Mbrojtjes me njohuri për këtë çështje tha se vendimi për të mos përmendur një flamur specifik ishte marrë për të qenë politikisht neutral dhe për tu rezistuar sfidave të mundshme juridike bazuar në të drejtën e amendamentit të parë të Kushtetutës për fjalën e lirë.

Në debatin e fundit mbi atë se a do të ndryshojnë emrat e disa bazave ushtarake amerikane që mbajnë emrat e oficerëve ushtarakë të Konfederatës, Presidenti Trump ka thënë se ai është kundër ndryshimeve të emrave dhe ka mbrojtur shfaqjen e flamurit të Konfederatës, duke argumentuar se është një çështje e lirisë të fjalës. Komandanti i Trupave Detare Amerikane, gjenerali David Berger, ndaloi shfaqjen e flamurit të Konfederatës në fillim të qershorit, duke thënë se ndërsa disa e konsiderojnë atë një simbol të trashëgimisë, ai “mbart fuqinë për të ndezur ndjenjat e ndarjes” që mund të dobësojnë lidhjen që kërkohet mes anëtarëve të shërbimin në luftim.

Marina amerikane dhe komandat ushtarake amerikane në Japoni dhe Korenë e Jugut gjithashtu kanë vepruar gjatë muajve të fundit për të ndaluar flamurin e Konfederatës, por një zyrtar tha se sekretari Esper u kishte thënë komandantëve që të ndërpresin përpjekjet e tyre derisa ai të lëshonte një politikë të departamentit. Flamujt, monumentet dhe simbolet e tjera që përfaqësojnë Konfederatën janë vënë nën një valë të ashpër kritikash që nga vdekja e George Floyd, një afrikano-amerikan që vdiq në duart e policisë në Mineapolis, duke shkaktuar protesta anti-racizmit në të gjithë SHBA dhe në pjesë të tjera të botës./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat