Nderimet e fundit për pionerin e të drejtave civile, Ligjvënësin John Lewis, në Kongresin amerikan

Amerika

Nderimet e fundit për pionerin e të drejtave civile, Ligjvënësin John Lewis, në Kongresin amerikan

Më: 28 korrik 2020 Në ora: 06:29
Mbërrin në Kongres arkivoli me trupin e Ligjvënësit John Lewis

UASHINGTON - Arkivoli i mbështjellë me flamur që mbart trupin e Ligjvënësit John Lewis u shoqërua të hënën në Kapitol, ku do të qëndrojë deri të martën, në formë respekti për përkushtimin e tij të përjetshëm për të drejtat civile.

Para mbërritjes në Kapitol, arkivoli i tij u lëviz përgjatë Uashingtonit ku ndodhen monumente të rëndësishme për lëvizjen amerikane për të drejtat civile - si Memoriali i Linkolnit dhe i Martin Luther King Jr.

Ndërsa autokolona kaloi nëpër qytet, ajo e ngadalësoi lëvizjen përgjatë një pikture me ngjyra të verdha, të pikturuar në një trotuar të rrugës pranë Shtëpisë së Bardhë, ku shkruhet "Black Lives Matter" ("Jetët e zezakëve kanë rëndësi") me shkronja mjaft të mëdha që mund të shikohen nga hapësira, duke nderuar lëvizjen sociale me këtë emër.

Një kalimtar u dëgjua duke luajtur himnin "Amazing grace" ("Hiri i madhërishëm").

Ceremonia e mbërritjes në Kongres u mbajt në rrethoren historike të Kapitolit. Ish-Nënpresidenti Joe Biden, i cili kandidon përballë Presidentit Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit, pritej të bënte gjithashtu homazhe.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e përshëndeti të ndjerin Lewis si "një titan i lëvizjes për të drejtat civile dhe më pas ndërgjegjja e Kongresit të Shteteve të Bashkuara".

Referuar luftës për të drejtat civile të zotit Lewis, udhëheqësi i shumicës së Senatit, Mitch McConnell, tha se: "John Lewis jetoi dhe punoi me urgjencë, sepse detyra ishte urgjente".

Por, ishin vetë fjalët e të ndjerit që ai kishte përdorur në një fjalim në Universitetin Emory në vitit 2014 në Atlanta, të cilat u transmetuan, duke ngritur lart tonet dramatike dhe emocionale të ceremonisë.

Duke i nxitur maturantët që t'ua kushtojnë jetën e tyre "telasheve të mira" për të avancuar drejtësinë sociale, Ligjvënësi Lewis kishte thënë: "Jini të guximshëm, jini të guximshëm, ngrihuni në këmbë, flisni, flisni dhe flisni dhe gjeni një mënyrë për të krijuar komunitetin e dashur, botën e dashur, botën e paqes, një botë që do të njohë dinjitetin e të gjithë njerëzimit".

Anëtar demokrat i Kongresit për shtetin Atlanta që nga viti 1987, zoti Lewis pësoi rrahje dhe arrestime të shumta në luftën e tij të përjetshme kundër segregimit dhe për drejtësi racore. Ai vdiq në 17 korrik nga kanceri i pankreasit në moshën 80 vjeçare.

Vdekja e zotit Lewis erdhi në një kohë reflektimi në të gjithë Shtetet e Bashkuara për padrejtësinë racore, me protesta të përhapura dhe kryesisht paqësore që dënojnë trajtimin e pabarabartë policor të amerikanëve të zinj dhe institucioneve që po heqin apo zëvendësojnë monumentet e ish-drejtuesve të Konfederatës, që ishte pro-skllavërisë.

Distrikti i shkollave publike në Bashkinë Fairfax të shtetit Virxhinia, pranë kryeqytetit Uashington, javën e kaluar votoi të ndryshonte emrin e shkollës së mesme "Robert E. Lee" me emrin e Ligjvënësit të ndjerë Lewis. Robert Lee ishte gjenerali që komandonte ushtrinë e Konfederatës në Luftën Civile amerikane.

Për shkak të shqetësimeve për koronavirusin, homazhet publike mbahen jashtë godinës, në shkallët e anës lindore të Kapitolit dhe distancimi shoqëror po zbatohej rreptësisht.

John Lewis u rrah me egërsi gjatë marshimit të së "Dielës së Përgjakshme" përtej Urës "Edmund Pettus", në Alabama, në vitin 1965.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat