SHBA: Administrata premton hua masivie për Kodakun për prodhim përbërësish farmaceutikë

Amerika

SHBA: Administrata premton hua masivie për Kodakun për prodhim përbërësish farmaceutikë

Më: 29 korrik 2020 Në ora: 07:41
Kodak

Qeveria e Shteteve të Bashkuara thotë se do të aktivizojë Ligjin për Prodhimin e Mbrojtjes për të ndihmuar në shndërrimin e kompanisë Kodak që tradicionalisht ka prodhuar artikuj të lidhur me fotografinë, në një firmë për mallra farmaceutike, përshirë për ilaçin kundër malarjes hidroksiklorinën, që presidenti Donald Trump e ka vlerësuar si trajtim për koronavirusin.

“Jam krenar të njoftoj për një nga marrëveshjet më të rëndësishme në historinë e industrive farmaceutike”, u tha gazetarëve presidenti Trump në konferencën për shtyp të martën.

Kodak do të marrë një hua prej 765 milionë dollarëve, në bazë të ligjit për Prodhimin e Mbrojtjes, për të hapur një kompani farmaceutike, duke krijuar qindra vende pune, tha zoti Trump.

Megjithatë marrëveshja nuk është ende përfundimtare, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Negociatat përfundimtare sipas së cilave Korporata Financiare për Zhvillimin Ndërkombëtar (DFC) do të jape huanë, vazhdojnë.

Fokusi i këtij institucioni janë huatë për projekte në vende të tjera, si një alternativë ndaj nismës së Kinës “Një brez, një rrugë”.

Ligjvënës demokratë po shtrojnë pyetjen se pse DFC-ja po ndërmerr një rol brenda Shteteve të Bashkuara, që nuk është pjesë e objektivit të saj.

Kur të ketë të gjitha funksionet operacionale, Kodak pritet të ketë kapacitetin të prodhojë 25 për qind të përbërësve aktivë gjenerikë të nevojshëm për të gjithë farmaceutikët jobiologjikë dhe jobakterialë të përdorur në Shtetet e Bashkuara, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Aktualisht, 90 për qind e të gjitha ilaçeve me recetë në Shtetet e Bashkuara janë për variantet gjenerike të ilaçeve, për të cilat zoti Trump tha të martën se “mund të jenë po aq të mira sa ato të firmave të njohura farmaceutike, por kushtojnë shumë më pak”.

Më pak se 10% e përbërësve aktivë farmaceutikë për këto ilaçe të shitura në Shtetet e Bashkuata prodhohen në vend. “Mbi 50 për qind e tyre prodhohen në Indi dhe Kinë”, tha zoti Trump.

Kodak, që shpalli falimentimin në vitin 2012, për pjesën më të madhe të shekullit të 20-të, kishte praktikisht monopolin për fotografitë dhe filmin në Amerikën e Veriut dhe gjetiu.

Kompania 132 vjeçare do të punojë me qeverinë amerikane dhe objekte prodhimi për të identifikuar objektet më të nevojshme për të plotësuar kërkesat e sigurisë kombëtare, tha Shtëpia e Bardhë.

“Është një sukses i madh për rikthimin e prodhimit farmaceutik në Shtetet e Bashkuara”, tha zoti Trump.

Çmimi i aksioneve të Kodakut, që u trefishua gjatë orëve normale të bursës të martën, u rrit edhe me 40% pas komenteve të zotit Trump.

Shefi ekzekutiv i Kodak-ut Jim Continenza i tha një gazete në qytetin ku ka selinë kompania, Rochester, New York, se firma ka “një përvojë shumë të gjatë me materiale kimike dhe të përpunuara, mbi 100 vjet” dhe se infrastruktura e saj ekzistuese do t’i jape mundësinë nismës së re të fillojë zbatimin me shpejtësi.

Presidenti Trump vlerësoi guvernatorin demokrat të shtetit të Nju Jorkut, Andrew Cuomo, për mbështetjen e nismës, një nga rastet e rralla që ai e bën një gjë të tillë.

Dy politikanët janë përplasur shpesh për koronavirusin..

Zoti Cuomo nxorri një deklaratë të hënën lidhur me nimën për Kodakun, dike thënë se “shumë shpesh dëgjojmë se këto materiale prodhohen në Kinë, ose Indi dhe Amerika nuk i plotësonte dot nevojat e veta. Nuk mund të vazhdojmë kështu”./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat