Në Kongresin amerikan, maskat bëhen të detyrueshme

Amerika

Në Kongresin amerikan, maskat bëhen të detyrueshme

Më: 30 korrik 2020 Në ora: 10:57
Nancy Pelosi

Një tjetër anëtar i Kongresit të Shteteve të Bashkuara doli pozitiv në testin për koronavirus, duke nxitur urdhrin për veshje të detyrueshme të maskës në ndërtesë.

Urdhri u lëshua nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Disa orë më vonë, mjeku i Kongresit tha se maska duhet të vendoset brenda zyrave të Kongresit, me disa përjashtime të vogla.

Detyrimi hyn në fuqi prej sot.

Pelosi, e cila vjen nga Partia Demokratike, tha se mosvënia e maskës është “shkelje serioze” dhe se anëtarët mund të largohen nga ndërtesa nëse nuk e veshin.

Kongresistët do të mund ta heqin maskën përkohësisht, derisa flasin.

Pelosi e lëshoi urdhrin pasi përfaqësuesi republikan nga Teksasi, Louie Gohmert, tha se ka dalë pozitiv në testin për koronavirus.

Gohmert tha për transmetuesin në Teksas se është diagnostikuar gjatë një testimi rutinor në Shtëpinë e Bardhë dhe se ka vendosur të vetizolohet.

Ai është kritikuar nga kolegët për hezitimin për të veshur maskë.

Gohmert është së paku anëtari i dhjetë i Kongresit amerikan që dihet se është diagnostikuar me koronavirus.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat