Nderime nga ish presidentët amerikanë për ikonën e të drejtave civile, John Lewis

Amerika

Nderime nga ish presidentët amerikanë për ikonën e të drejtave civile, John Lewis

Më: 31 korrik 2020 Në ora: 06:34
Barack Obama

Ish-presidentët Barack Obama, Bill Klinton dhe George W. Bush i bënë nderime të enjten ikonës së të drejtave civile, ligjvënësit John Lewis në funeralin e tij në qytetin juglindor të Atlantës.

Në eulogjinë që i bëri në Kishën Baptiste Ebenezer, një vend historik ku predikoi Dr. Martin Luther King, Jr., ish presidenti Obama tha se John Lewis ishte një “Amerikan, besimi i të cilit u testua vazhdimisht duke prodhuar një njeri me gëzim të kthjellët dhe këmbëngulje të pathyeshme.” Ish presidenti Bush vuri në dukje se ish lighvënësi Lewis ishte “quajtur një Amerikan i shenjt”, por e pranoi se ai dhe Lewis nganjëherë kishin pikëpamje të kundërta.

“John-i dhe unë kemi pasur mosmarrëveshje, natyrisht, por në Amerikën për të cilën luftoi John Lewis dhe Amerikën në të cilën besoj, mendimet e ndryshme janë elementë të pashmangshëm dhe dëshmi e demokracisë në veprim”, tha ish presidenti Bush në mes të duartrokitjeve. Pas fjalëve të ish presidentit Bush, ish presidenti Clinton tha se Lewis, i cili përjetoi rrahjet e policisë dhe u burgos dhjetëra herë gjatë lëvizjes për të drejtat civile, ishte një njeri me shumë aspekte, i cili nuk kërkoi më shumë sesa ai vetë mund të duronte.

Image
Bill Klinton

 

“John Lewis ishte një burrë, një mik në kohë të mira dhe të vështira, një mik që do të ecte me ju në rrugën që të çonte në shufrat ndëshkuese, gjithmonë duke mbajtur syrin tek qëllimi, duke besuar gjithmonë se askush nga ne nuk do të ishte i lirë derisa të gjithë ne të jemi të barabartë,” tha ish presidenti Clinton. “Unë thjesht e doja atë. Unë gjithmonë do ta bëj këtë.” Ish presidenti nëntëdhjetë e pesë-vjeçar Jimmy Carter, i cili emëroi ligjvënësin në një pozicion në qeverinë federale, nuk mori pjesë në funeral. Një zëdhënës i zotit Carter tha se ish presidenti dhe gruaja e tij, Rosalynn nuk kanë udhëtuar kohët e fundit.

Por Pastori i Kishës Baptiste Ebenezer, Raphael Warnock lexoi një letër nga ish-presidenti Carter që thoshte, “Ndërsa arritjet e tij janë përshëndetur nga të gjithë amerikanët, ne banorët e shtetit të Xhorxhias e njohim atë si fqinj, mik dhe përfaqësues”. Presidenti Donald Trump nuk mori pjesë në funeralin e ligjvënësit Lewis ose në ndonjë nga ngjarjet e tjera të mbajtura kohët e fundit për nder të tij. Lewis, i cili vdiq në fillim të këtij muaji nga kanceri i pankreasit në moshën 80 vjeçare, do të varroset në Varrezat South-View në Atlanta. John Lewis shërbeu në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara për 33 vjet si ligjvënës i distriktit të pestë të Xhorxhias që përfshinë qytetin e Atlantës.

Image
George W. Bush

Trupi i tij u nderua nga shumë njerëz gjatë rrugëtimit drejt ndërtesës së dhomës legjislative të shtetit të Xhorxhias të mërkuren. Shumë njerëz të tjerë qëndruan në radhë të gjata për të kaluar pranë arkivolit të mbështjellur me flamurin amerikan, duke detyruar organizatorët të zgjasnin orarin e ngjarjes në përpjekje për të lejuar të gjithë ata që donin të shprehnin nderimin e tyre për ikonën e lëvizjes për të drejtat civile. Në një ceremoni, Guvernatori i Xhorxhias, Brian Kemp e quajti zotin Lewis një “banor të dashur të Xhorxhias, një hero amerikan dhe një mik për të gjithë ata që kërkonin një shoqëri më të mirë, më të drejtë, më të bashkuar”.

Shërbimet e së enjtes shënojnë fundin e një jave aktivitetesh për nderuar jetën e dhe veprimtarin e ligjvënësit Lewis. Trupi i tij të dielën kaloi për herë të fundit mbi Urën Edmund Pettus në Selma të Alabamës, ku ai në vitin 1965 mori pjesë në marshimin për të drejtat civile, në të cilin u bë thirrje për t’u dhënë afrikano-amerikanëve dhe pakicave të tjera të drejtën e votimit. Lewis ishte në mesin e atyre që u rrahën nga policia e shtetit. Arkivoli me trupin e tij kaloi dy ditë në ndërtesën e Kongresit amerikan në Uashington para se të dërgohej në Xhoxhia. Kjo është hera e parë që arkivoli i një ligjvënësi afrikano-amerikan vendoset në ndërtesën e legjislaturës së shtetit të Xhorxhias.Gjithashtu të enjten, këmbanat e Kishës Episkopale të Shën Gjonit në Uashington ranë për nder të ligjvënësit të ndjerë./VOA

Image
Nderime nga ish presidentët amerikanë për ikonën e të drejtave civile, John Lewis
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat