SHBA, debat mbi zgjerimin e votimit me postë

Amerika

SHBA, debat mbi zgjerimin e votimit me postë

Më: 6 gusht 2020 Në ora: 16:48
SHBA

Për shkak të shqetësimeve për koronavirusin, një numër në rritje shtetesh amerikane po krijojnë kushtet që në zgjedhjet presidenciale të nëntorit të votohet me postë në vend që njerëzit të shkojnë vetë në vendvotime. Votimi me postë ka një histori të gjatë në Shtetet Bashkuara, që daton nga Lufta Civile. Por Presidenti Donald Trump thotë se votimi me postë do të çojë në manipulim të zgjedhjeve ose në pasiguri pas votimit. Ky lloj votimi rutinë po shndërrohet tani në temën e një debati politik për zgjedhjet e nëntorit.

Disa njujorkezë morën guximin për të votuar në zgjedhjet paraprake të demokratëve në qershor pavarësisht pandemisë së koronavirusit. Por shumë prej tyre votuan me postë, duke përmbytur një sistem zgjedhor të papërgatitur.

Gjashtë javë më vonë, rezultatet e zgjedhjeve në disa zona ende nuk janë shpallur zyrtarisht.

Presidenti Donald Trump ka paralajmëruar vazhdimisht se nëse shtetet mbështeten në votimin me postë për zgjedhjet presidenciale të nëntorit, mund të ketë vonesa të ngjashme.

"Ju nuk do të mësoni rezultatin e zgjedhjeve për javë, muaj, ndoshta vite pas ditës së votimit. Ndoshta nuk do ta mësoni kurrë rezultatin e zgjedhjeve. Dhe kjo më shqetëson mua. Do të ketë mashtrime dhe rezultati do të manipulohej", tha Presidenti Trump.

Zyrtarët e zgjedhjeve thonë se manipulimi i votave në Shtetet e Bashkuara është jashtëzakonisht i rrallë, edhe kur bëhet fjalë për votimin me postë. Shumica e shteteve lejojnë votimin me postë, por këtë vit shumë prej tyre presin që do të duhet kohë shtesë për të numëruar numrin e madh të këtyre votave gjatë pandemisë.

Nuk do të ishte hera e parë që rezultatet e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara do të vonoheshin. Vendimi i debatueshëm për garën e vitit 2000 mes demokratit Al Gore dhe republikanit George W. Bush u vonua më shumë se një muaj për shkak të rinumërimit të votave në Florida. Votimi i ardhshëm i nëntorit mund të jetë edhe më i debatueshëm.

"Ne jemi në një mjedis tepër të polarizuar tani. Kështu që një kandidat mund të shfrytëzoj çdo mundësi për të theksuar dyshimet për parregullsi. Problemi i madh këtë radhë është se nuk do të jetë vetëm një shtet si Florida. Unë mendoj se në tre, katër, mbase pesë shtete mund të duhet një javë shtesë për numërimin e votave”, tha Matthew Weil nga Qendra e Politikave Dypartiake.

Ndërsa Presidenti Trump është tërhequr nga sugjerimi i tij për shtyerjen e zgjedhjeve, ai ka vazhduar të ngre dyshime rreth votimit me postë.

"Nëse më shumë nga mbështetësit e tij votojnë në qendrat e votitmit dhe ai është përpara në mbrëmjen e ditës së zgjedhjeve, ai mund të pretendojë, siç është sugjeruar tashmë, se fletët e votimit me postë që do të vijnë janë mashtruese dhe do të përpiqet të pretendojë se ka fituar", tha Richard Hasen, profesor i Ligjit Zgjedhor në Universitetin e Kalifornisë në Irvajn.

Të mërkurën, fushata e Presidentit Trump paditi shtetin e Nevadës, të udhëhequr nga demokratët, mbi një plan për t’i dërguar fletë-votime të gjithë votuesve të regjistruar për të votuar me postë.

Por, në shtetin e pavendosur të Floridës, të udhëhequr nga republikanët, presidenti po inkurajon votimin me postë, duke thënë se guvernatorët e tij kanë "rregulluar" sistemin e zgjedhjeve të shtetit, duke e bërë atë të sigurt.

"Të dy guvernatorët kanë marrë masa për të krijuar një sistem të shkëlqyeshëm të votimit në mungesë dhe madje edhe atij të votimit me postë", tha Presidenti Trump.

Sondazhet tregojnë se më shumë amerikanë dëshirojnë të votojnë me postë në nëntor, por ka një ndarje në rritje mbi atë nëse ky opsion është vërtet i sigurt.

"Demokratët më shumë sesa republikanët kanë të ngjarë të thonë tani se ata dëshirojnë të votojnë me postë", thotë Karlyn Bowman nga Instituti American Enterprise.

Rritja e pjesëmarrjes së këtij grupi në votime në disa shtete do të ndihmojë zotin Biden. Në shtete të tjera, si Florida, Presidenti Trump pritet të përfitojë nga kjo.

Kushdo që fiton, analistët e zgjedhjeve thonë se sfida kryesore do të jetë sigurimi që të dyja partitë ta shohin rezultatin si të besueshëm./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat