Afro 100,000 të vdekur deri më tani nga pandemia në Brazil

Amerika

Afro 100,000 të vdekur deri më tani nga pandemia në Brazil

Më: 8 gusht 2020 Në ora: 15:49
Brazil

Numri i përgjithshëm i viktimave të koronavirusit në Brazil pritet të arrijë në 100,000 të shtunën dhe të vazhdojë të rritet tutje pasi shumica e qyteteve i kanë rihapur dyqanet dhe restorantet, ndonëse pandemia ende nuk e ka arritur kulmin.

Në përballje me përhapjen më vdekjeprurëse të një sëmundjeje që nga Gripi Spanjoll para një shekulli, Brazili i raportoi rastet e para të koronavirusit në fund të shkurtit. Për tre muaj, nga ky virus vdiqën 50,000 persona, ndërsa për 50 ditë më vonë vdiqën 50,000 të tjerë.

Dr. Jose Davi Urbanez, anëtar i Shoqatës për Sëmundje Ngjitëse, bashkë me ekspertë të tjerë e ka ngritur alarmin për shkak se Brazili ende nuk ka plan të koordinuar për ta luftuar pandeminë, në kohën kur shumë zyrtarë janë të përqendruar në rihapje, e cila pritet ta përkeqësojë gjendjen.

Dy ministra të shëndetësisë, të dy mjekë të trajnuar, kanë dhënë dorëheqje për shkak të mospajtimeve me presidentin Jair Bolsonaro. Ministri i tanishëm i Shëndetësisë është gjeneral ushtarak, i cili e ka braktisur thirrjen për distancë sociale, që ekspertët e vlerësojnë jetike, por presidenti e kundërshton.

Bolsonaro, që e ka quajtur koronavirusin “grip të vogël”, thotë se është shëruar nga ky virus duke përdorur Hidroksiklorokinë, substancë që më parë është përdorur kundër malaries dhe nuk ka shfaqur rezultate shkencore kundër koronavirusit.

Brazili është në vendin e dytë në botë në listën e shteteve më të prekura nga koronavirusi me 2.96 milionë persona të infektuar. Para tij ndodhen vetëm Shtetet e Bashkuara me 4.94 milionë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat