Qarku amerikan në kufi me Meksikën goditet rëndë nga COVID-19

Amerika

Qarku amerikan në kufi me Meksikën goditet rëndë nga COVID-19

Më: 9 gusht 2020 Në ora: 16:51
Teksas

Teksasi, shteti i dytë më i madh në Shtetet e Bashkuara, vazhdon të përballet me raste të reja të koronavirusit. Siç njoton korrespondentja e Zërit të Amerikës Elizabeth Lee, një qark rural amerikan në kufi me Meksikën është përballur me sfida që janë të ndryshme me ato të më shumë zonave urbane.

Ndërsa shumë dyqane në Shtetet e Bashkura po përpiqen në mënyrë të dëshpëruar të mbijetojnë gjatë pandemisë, biznesi i vogël i Veronica Gonzalesit po lulëzon. Por ajo nuk e sheh atë si një bekim. Ajo është pronare e një dyqani lulesh.

“Është ora 7 e darkës dhe po përgatisim lulet për një funeral nesër dhe kjo po shton biznesin tonë, fatkeqësisht.”

Zonja Gonzales jeton në qytetin kufitar Roma me një popullsi më të vogël se 12 mijë banorë.

“Jemi në kufi me Miguel Aleman të Meksikës, rreth tre blloqe nga këtu.”

Qyteti Roma dhe komunitetet përreth në qarkun Starr janë goditur rëndë nga koronavirusi. Por realiteti këtu është ndryshe nga shumë qarqe të tjera të Teksasit.

Me një shumicë të komunitetit latino, qarku Starr është ndër më të varfërit në Teksas. Për shkakt të nevojave, familjet e mëdha shpesh jetojnë sëbashku. Kjo zonë po ashtu ka nivelet më të larta të diabetit dhe obesitetit në Teksas. Kështu që kush preket me COVID-19 është në rrezik të lartë.

Gjatë dy muajve të parë të mbylljes së vendit, qarku pati raste të rralla infektimi, thotë Dr. Jose Vasquez, me autoritetin shëndetësor të qarkut.

“Kemi patur nga një deri tre raste në ditë. Për një periudhë 21 ditore, nga mesi i prillit në maj, nuk kemi patur asnjë rast pozitiv në qarkun Starr."

Veronica Gonzales është pronare e një dyqani lulesh.

“Për disa muaj ishte mirë. Mendoj se tani ka shpërthyer infeksioni”.

Në fund të prillit, Teksasi filloi rihapjen e bizneseve ndërsa pasuantre festa që ndikuan në shtimin e rasteve me koronavirus në qarkun Starr, thotë Dr. Jose Vasquez me autoritetin shëndetësor të qarkut.

“Vërejtëm se kishte shtim të ndjeshëm të numrit të rasteve. Pati shumë festime, bashkime familjare dhe ahengje nëpër pishina.”

Me vetëm një spital në qark dhe më pak se dy mjekë për çdo 10 mijë banorë, sistemi shëndetësor në atë zonë ishte i mbingarkuar.

Në një moment në korrik, zyrtari më i lartë e qarkut njoftoi në Facebook se mjekët do të duhet të vendosnin se kush merr trajtim dhe kush dërgohej në shtëpi për të vdekur.

Dr. Vasquez thotë se kjo nuk po ndodh. Qeveria shtetërore dhe federale ndërhynë. Marina amerikane dërgoi dy ekipe mjekësore për ndihmë. Spitali i veteranëve në San Antonio, qyteti i dytë për nga madhësia në Teksas, gjithashtu po pranon pacientë nga qarku Starr.

Më shumë se 20 njerëz kanë vdekur në atë qark nga COVID-19, por numrat aktual janë më të lartë, thotë Dr. Vasquez si rezultat i vonesave në shkresa.

“Fatkeqësisht, tani po shohim shumë viktima brenda vetë familjeve.”

Tjetër barrë për spitalin e qarkut është edhe mbërritja e pacientëve me COVID-19 nga Meksika.

“Ne nuk bëjmë dallime mes pacientëve. Jeta e çdo pacienti ka të njëjtën vlerë për ne”, thotë Dr. Vasquez me autoritetin shëndetësor të qarkut Starr.

“Është një situatë shumë e rëndë”, thotë Veronica Gonzales.

Pronarja e dyqanit të luleve thotë se do të bëjë punën e saj për të ndihmuar në ngushëllimin e atyre që janë pikëlluar nga humbja e të dashurve të tyre./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat