Trump nënshkruan urdhra ekzekutivë për të ndihmuar financiarisht amerikanët

Amerika

Trump nënshkruan urdhra ekzekutivë për të ndihmuar financiarisht amerikanët

Më: 9 gusht 2020 Në ora: 18:21
Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka nënshkruar urdhra ekzekutivë, që zgjatë ndihmën ekonomike ndaj amerikanëve që janë dëmtuar nga pandemia e koronavirusit.

Ky njoftim vjen pasi negociatat dështuan për të arritur një marrëveshje rreth miratimit të legjislacionit për këtë çështje,

Trump nënshkroi katër urdhra ekzekutiv më 8 gusht, duke thënë se i është dashur të vepronte, pasi negociatorët e Shtëpisë së Bardhë dhe demokratët në Kongres nuk arritën marrëveshje.

Një nga urdhrat e nënshkruar parasheh pagesë për personat që kanë mbetur të papunë për shkak të pandemisë së koronavirusit. Pagesat ndaj të papunëve do të jenë 400 dollarë në javë – më pak sesa në një pako stimuluese që kishte kaluar në Kongres, ku të papunët paguheshin me nga 600 dollarë në javë.

Ndërkaq, tri urdhrat e tjerë ekzekutiv bëjnë thirrje për pezullimin e pagesës së kontributeve nga amerikanët që punojnë, shtyerja e pagesave të kredive që kanë studentët, si dhe disa lehtësira të tjera financiare.

Urdhrat ekzekutiv të nënshkruar nga Trumpi mund të sfidohen në ndonjë gjykatë, pasi ato nuk kanë kaluar përmes Kongresit dhe sipas Kushtetutës amerikane, shpenzimi i parave publike duhet të marrë edhe pëlqimin e Kongresit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat