SHBA: Roli i nënpresidentit Mike Pence në Shtëpinë e Bardhë - Bota Sot
SHBA: Roli i nënpresidentit Mike Pence në Shtëpinë e Bardhë

Amerika

SHBA: Roli i nënpresidentit Mike Pence në Shtëpinë e Bardhë

Më: 13 gusht 2020 Në ora: 18:22
Mike Pence

Nënpresidenti Mike Pence, ka përballuar shumë stuhi që kanë tronditur Shtëpinë e Bardhë, duke mbështetur presidentin gjatë gjyqit për procesin e shkarkimit dhe shumë ndryshimeve në kabinet. Ai ka shërbyer në rolin e të dërguarit ndërkombëtar dhe ka ndërmarrë një rol qendror në përgjigjen ndaj koronavirusit. Zëri i Amerikës bisedoi me dyanalistë lidhur me punën e zotit Pence në mandatin e parë të zotit Trump.

Që nga momenti kur Mike Pence u emërua si kandidat për nënpresident, ish-guvernatori i Indianës e mbështeti me entusiazëm zotin Trump.

“Donald Trumpi e kupton popullin amerikan”, shprehej ai.

Zoti Pence ka mbajtur një rol dytësor ndaj Presidentit Trump, thotë historiani Joel Goldstein.

“Ai e ka këshilluar, ka qenë ndërmjetësi i tij me Kongresin, ka bërë udhëtime diplomatike”, thotë historiani Goldstein, profesor në fakultetin e drejtësisë në Universitetin e Saint Louis-it.

Pasi koronavirusi filloi të përhapej në vend në fund të janarit, zoti Pence u bë kryetari i Grupit të Punës së Shtëpisë së Bardhë për këtë çështje, duke shpehur disa herë qëndrime të debatueshme.

“Ne mendojmë se mund t’i hapim shkollat pa rrezik. Rreziku për fëmijët është i ulët”, ka thënë ai.

Nënpresidentët nuk kanë pasur gjithmonë role aktive. Lyndon Johnson, kishte mbetur në hije nën presidentin John Kennedy. Por analistët thonë se kjo ka ndryshuar në administratat e fundit.

“Mendoj se posti i nënpresidentit ndryshoi duke filluar nga administrata Carter-Mondale, ku nënpresidenti u bë një këshilltar për gjithçka, si edhe zgjidhës i problemeve për presidentin. Dhe ky model është ndjekur nga të gjithë presidentët që atëherë, me pak ndryshime”, thotë Prof. Goldstein.

Nënpresidenti Dick Cheney, shihej nga shumë vetë si forca kryesore drejtuese e politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare të Presidentit George W. Bush.

“Mendoj se ishte mjaft e qartë që Donald Trump nuk donte dikë si Dick Cheney, për nënpresident. Presidenti zgjedh kë të dojë për këtë rol dhe i cakton ato përgjegjësi që do dhe ishte e qartë që zoti Trump, nuk donte dikë që të kishte një autoritet të tillë që të ndante vëmendjen me të”, thotë eksperti ligjor dhe autori, Reb Brownell.

Si i krishterë evangjelist, zoti Pence ka ndihmuar në zgjerimin e bazës së zotit Trump mes besimtarëve konservatorë.

Ai ka mbështetur ashpërsimin e politikave të imigracionit dhe emërimin e konservatorëve në gjykata. Ai ka mbajtur një qëndrim më të ashpër ndaj Rusisë, por shumë rrallë është distancuar nga zoti Trump. Një rast ishte kur ishte kundër kandidatit për Senat nga Alabama, Roy Moore, që ishte akuzuar për sjellje të pahijshme seksuale.

Ekspertët thonë se deri tani zoti Pence, nuk ka lënë ndonjë gjurmë për t’u shënuar si nënpresident.

“Nuk më duket të ketë aq peshë apo të jetë aq i rëndësishëm sa disa nënpresidentë të tjerë nga secila parti”, thotë Prof. Goldstein.

Analistët vënë në dukje se zoti Pence ushtroi ndikim në tërheqjen e trupave federale mes trazirave në Portland, pasi zyrtarët lokalë thanë se ata po e keqësonin gjendjen.

Publikisht gjithmonë besnik ndaj shefit të tij, shpesh nën hijen e tij, nuk është e qartë se çfarë ndikimi ka pasur zoti Pence prapa skenave, apo do të ketë në zgjedhjet e nëntorit, të cilat shumë analistë i shohin si referendum ndaj zotit Trump./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat