Hetimi: Univesiteti Yale diskriminon kundër aplikantëve aziatikë dhe të bardhë

Amerika

Hetimi: Univesiteti Yale diskriminon kundër aplikantëve aziatikë dhe të bardhë

Më: 14 gusht 2020 Në ora: 06:28
Ilustrim

Një hetim nga Departamenti i Drejtësisë arrin në përfundimin se Universiteti Yale po diskriminon kundër aplikantëve aziatiko-amerikanë dhe të bardhë, në kundërshtim me ligjin federal të të drejtave civile, thanë zyrtarët të enjten.

Universiteti Yale mohoi akuzën, duke e cilësuar atë “të pamerituar” dhe “të nxituar”.

Gjetjet e detajuara në një letër drejtuar avokatëve të universitetit të enjten shënojnë veprimin e fundit nga administrata e Presidentit Trump në kuadër të përpjekjeve që synojnë çrrënjosjen e diskriminimit në procesin e aplikimit në kolegje, pas ankesave nga studentët lidhur me procesin e aplikimit në disa universitete të njohura. Departamenti i Drejtësisë më herët pati depozituar dokumente në gjykatë në mbështetje të një grupi aziatiko-amerikanësh, të cilët patën ngritur akuza të ngjashme kundër Universitetit Harvard.

Hetimi dy-vjeçar arriti në përfundimin se Universiteti Yale “hedh poshtë një numër aplikantësh aziatiko-amerikanë dhe të bardhë çdo vit në bazë të racës së tyre, të cilët përndryshe do të pranoheshin”, tha Departamenti i Drejtësisë. Hetimi u hap si rezultat i një ankese të vitit 2016 ndaj universiteteve Yale, Brown dhe Dartmouth.

“Diskriminimi racor nga Yale imponon dënime të panevojshme dhe të paligjshme ndaj aplikantëve të pafavorizuar racorë, përfshirë në veçanti aplikantët aziatiko-amerikanë dhe aplikantët e bardhë,” shkrunate në letrën drejtuar avokatëve të kolegjit, Ndihmës Prokurori i Përgjitshëm Eric Dreiband, i cili drejton departamentin e divizionit të të drejtave civile.

Prokurorët zbuluan se Yale ka bërë diskriminim ndaj aplikantëve të programit universitar bazuar në racën dhe origjinën e tyre kombëtare dhe se “raca është faktor përcaktues në qindra vendime për pranimet çdo vit”.

Hetimi doli në përfundimin se studentët aziatiko-amerikanë dhe të bardhë kanë “vetëm një të dhjetën deri një të katërtën e shansit për pranim përballë aplikantëve afrikano-amerikanë që kanë kredenciale të krahasueshme akademike,” thotë Departamenti i Drejtësisë.

“Ndarja e paligjshme e amerikanëve në grupe racore dhe etnike nxit stereotipet, zemërim dhe përçarje”, tha zoti Dreiband në një dekleratë. “Është koha që institucionet amerikane të pranojnë që të gjithë njerëzit duhet të trajtohen me mirësjellje dhe respekt dhe pa marrë parasysh kundër ligjit ngjyrën e lëkurës së tyre.”

Hetimi po ashtu arrin në përfundimin që Yale përdor racën si faktor për disa hapa të shumfishtë në procesin e pranimit dhe se Yale “synon të krijojë klasa nxënësish me baraspeshë racore”.

Gjykata e Lartë ka vendosur që kolegjet dhe unviersitetet mund të konsiderojnë racën në pranimin e studentëve, por ka thënë se kjo duhet bërë në mënyrë të ngushtë në objektiv dhe të rrallë për të nxitur diversitetin dhe se duhet të jetë e kufizuar në kohë. Shkollat po ashtu mbajnë barrën për të sqaruar se pse zgjedhja e tyre racore është e përshtatshme./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat