Bizneset e vogla shpresojnë që studentët të kthehen të paktën pjesërisht në auditore

Amerika

Bizneset e vogla shpresojnë që studentët të kthehen të paktën pjesërisht në auditore

Më: 6 shtator 2020 Në ora: 17:51
Stadiumi i boshatisur brenda kampusit të Universitetit të Miçiganit

Qytetet e kolegjeve në të gjithë Amerikën mezi presin të shohin studentët të kthehen në klasa këtë muaj dhe të ndihmojnë bizneset lokale të rimëkëmben nga pandemia e koronavirusit. Por, siç njofton Mariama Diallo e Zërit të Amerikës, pronarët e bizneseve lokale janë gjithashtu të shqetësuar se do të ketë shtim të rasteve të reja.

Kur pandemia dërgoi shumë nga mbi 40 mijë studentët e Universitetit të Miçiganit në shtëpi në fillim të këtij viti, distrikti i bizneseve të vogla në këtë qytet universitar i ndjeu pasojat menjëherë.

"Ishte si një stuhi, por pa dëborë. Pra, askush nuk ecën në trotuare. Askush nuk lëviz lart e poshtë rrugëve", thotë Richard Schubach, pronar dyqani ushqimesh.

Semestri i vjeshtës fillon në shtator me të paktën disa orë që të zhvillohen fizikisht në kampus.

Kjo po sjell shpresë dhe ankth tek bizneset që mbështeten tek studentët për të mbijetuar.

Adam Lowenstein është pronar i një lokali.

"Të gëzuar që i shohim studentët të kthehen. Emocioni i parë sigurisht është lehtësim dhe gëzim", thotë zoti Lowenstein.

Justin Herrick zotëron një restorant.

"Parandjenja ime është se njerëzit do të kthehen, do të ketë një përhapje domethënëse (të virusit) dhe ose do të menaxhohet dhe kontrollohet, ose do të shtypin butonin e pauzës dhe do të shkojnë të gjithë me mësim në internet. Parandjenja ime është ndoshta kjo e fundit", thotë zoti Herrick, pronar i restorantit "Good Time Charley's".

Jeff Saunders thotë se ai ka luftuar shumë për ta vazhduar biznesin e tij.

"Pandemia na ka krijuar shumë probleme. Duhet menaxhuar me të vërtetë jashtëzakonisht mirë biznesi, për të patur sukses", thotë Jef Saunders, pronar i dyqanit të tatuazheve "Gamma Piercing".

Jo të gjithë i janë rikthyer punës.

Kafeneja dikur e suksesshme "Espresso Royale Coffee", nuk do të rikthehet për shkak të pandemisë, sipas faqes së saj të internetit. Ish-klientët, si një student i Universitetit të Miçiganit, janë të zhgënjyer.

"Po, është keq që disa vende nuk po hapen. Sidomos Espresso Royale. Shumë prej njerëzve në shtëpinë time e pëlqenin", thotë studenti Ethan Ruwe.

Perry Porikos ulet në trotuarin jashtë njërit prej bizneseve të tij, në një zonë të improvizuar që nuk ekzistonte para pandemisë COVID-19. Pavarësisht nga vështirësitë, ai mbetet optimist.

"Shpresoj. Lutem. Besoj se do të jemi mirë. Do të jemi mirë", thotë zoti Porikos, pronar i lokalit "The Brown Jug".

Pronarët e bizneseve të vogla janë kështu të etur për të parë studentët dhe normalitetin përsëri./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat