Sipërfaqe rekord të djegura nga zjarret në Kaliforni

Amerika

Sipërfaqe rekord të djegura nga zjarret në Kaliforni

Më: 8 shtator 2020 Në ora: 06:39
Ilustrim

Zjarret kanë shkatërruar afro 810 mijë hektarë në Kaliforni këtë vit, duke vendosur një rekord për këtë shtet, megjithëse ekipe të shumta zjarrfikësish vazhduan të luftonin me flakët në temperatura përvëluese të hënën që sforcuan rrjetin elektrik dhe rrezikuan të linin miliona vetë pa enregji elektrike.

Lynne Tolmachoff, zëdhënëse e Departamentit për Pyjet dhe Mbrojtjen nga Zjarri të Kalifornisë, tha se është tronditëse që ky rekord vendoset në fillim të sezonit të zjarreve.

"Është nervozuese sepse shtatori dhe tetori janë muajt më të rrezikshëm historikisht për zjarret”, tha ajo.

Shifra më e lartë ishte mbi 790 mijë hektarë në vitin 2018.

Zjarrfikësit po bënin përpjekjet maksimale për të kontrolluar flakët, para se erëra të thata dhe të nxehta të parashikuara për ditët e ardhshme ta shtojnë rrezikun. Urdhra evakuimi u dhanë për komunitete të tjera në zona malore, ndërsa zjarri më masiv përshkonte Pyllin Kombëtar Sierra.

Në zonën e Fresnos, zëvendës sherifët shkuan derë më derë për t’u siguruar që banorët po zbatonin urdhrat për t’u evakuuar. Zyrtarët shpresojnë që zjarri të mos afrohet në Parkun Kombëtar të Josemiteve.

Në Kaliforninë Jugore, ekipet po përpiqeshin të shuanin disa zjarre, përfshirë një që bllokoi rrugët malore në Pyllin Kombëtar, Angeles.

Temperaturat gjatë ditës në zonat e zjarreve iu afruan ose kaluan 40 grad. Temperatura në Los Angeles arriti 44 gradë Celsius të dielën dhe aty pranë në Luginën San Fernardo u shënua një temperaturë rekord prej 49.4 gradë.

Ndërsa qyteti i San Fransiskos shënoi një rekord të dielën me 37.7 gradë Celsius.

Operatorët e rrjeteve elektrike po u bëjnë thirrje banorëve të ruajnë energjinë, ndërsa temperaturat jashtëzakonisht të larta, po shkaktojnë përdorimin më të lartë të energjisë për vitin. Temperatura më të ulëta priten të martën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat