Biden publikon planin për të mbrojtur vendet e punës

Amerika

Biden publikon planin për të mbrojtur vendet e punës

Më: 10 shtator 2020 Në ora: 06:15
Joe Biden

Kandidati demokrat për President, Joe Biden publikoi të mërkurën një plan që synon të rrisë taksat për kompanitë amerikane që i tranferojnë punët jashtë vendit, në një përpjekje për të mbrojtur vendet e punës për punonjësit amerikanë.

Zoti Biden, i cili në zgjedhjet e 3 nëntorit do të sfidojë Presidentin republikan Donald Trump, dha detaje të planit gjatë një ndalese në kuadër të fushatës në një nga zonat qëndrore industriale të vendit, qytetin Uarren në shtetin e Miçiganit. Klasa punëtore, votues tradicionalë të Partisë Demokrate, mbështetën zotin Trump në fitoren e tij të papritur në 2016-n në këtë shtet, por zoti Biden shpreson të fitojë sërish mbështetjen e tyre duke shmangur mundësinë që zoti Trump të fitojë një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Të mërkurën Presidenti Trump qëndroi në Uashington, por të enjten edhe ai do të vizitojë Miçiganin, i konsideruar si një shtet beteje politike, i domosdoshëm për t'u fituar. Deri në fund të kësaj jave ai do të vizitojë edhe disa shtete të tjera kyçe.

Të premten, si zoti Trump ashtu edhe zoti Biden do të vizitojnë qytetin Shanksvill të Pensilvanisë për të përkujtuar 19 vjetorin e sulmeve terroriste të al-Kaidës në vitin 2001. Një avion u rrëzua në një fushë pranë Shanksvillit ndërsa pasagjerët u përpoqën t’i merrnin terroristëve kontrollin mbi avionin e rrëmbyer.

Zoti Biden ka propozuar më parë ndryshimin e disa vendimeve për ulje të taksave ndaj korporatave, miratuar nga Kongresi gjatë presidencës së zotit Trump, duke propozuar një normë taksash ndaj biznesit nga 21 në 28 për qind. Por aktualisht ai po bën thirrje për një rritje të mëtejshme, duke propozuar një normë takse prej rreth 31 për qind që do të zbatohej ndaj "fitimeve për çdo produkt të prodhuar nga një kompani amerikane jashtë vendit, e që do të tregtohej sërish në Shtetet e Bashkuara".

Zoti Biden ka premtuar gjithashtu se nëse do të fitojë garën për president, në javën e tij e parë në detyrë janarin e ardhshëm, do të nënshkruajë urdhra ekzekutivë për të siguruar blerjen e mallrave amerikanë falë një procesi prokurimi nga qeveria federale. Zyrtarët e fushatës së zotit Biden thonë se ai ka në plan gjithashtu të krijojë mundësi për ulje taksash për ato kompani që investojnë në SHBA, si për shembull duke rihapur fabrikat e mbyllura të prodhimit ose duke rikthyer veprimtarinë e tyre të prodhimit nga jashtë, brenda vendit.

Sondazhet tregojnë se zoti Biden ka një avantazh të ngushtë ndaj zotit Trump në Miçigan, shtet që njihet si qendra e prodhimit të automjeteve në SHBA.

Pasi pezulloi reklamat televizive në këtë shtet gjatë sezonit veror, zoti Trump rifilloi këtë javë me një reklamë që trumbetonte atë që ai e quajti "Rikthimi i Madh i Amerikës", duke thënë se ekonomia e vendit po përmirësohet në mes të pandemisë së koronavirusit. Ekspertët thonë se zoti Biden po shpenzon më shumë në reklama se zoti Trump në Miçigan.

Të martën zoti Trump vizitoi dy shtete të tjera fushëbeteje, Floridën ku ai zgjati afatet e ndalimit të shpimeve në det të hapur dhe Karolinën e Veriut, ku disa mijëra mbështetës u mblodhën në mjediset e një aeroporti për të dëgjuar kritikat e tij ndaj zotit Biden. Vetëm një grup i vogël pjesëmarrësish në tubim ndoqën këshillat e ekspertëve të shëndetësisë për të mbajtur maska ose ruajtur distancën fizike prej rreth 2 metrash./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat