Trump mban tubim, sfidon udhëzimet për COVID-in

Amerika

Trump mban tubim, sfidon udhëzimet për COVID-in

Më: 10 shtator 2020 Në ora: 06:47
Donald Trump

Në mes të pandemisë së koronavirusit, një turmë prej mijëra mbështetësish mori pjesë të martën mbrëma në një tubim të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump në një aeroport të Karolinës së Veriut.

Zoti Trump shprehu kënaqësinë për numrin e madh të njerëzve që ai tha se kapnin shifrën prej 15 mijë vetësh, që gazetarët e pranishëm besojnë se ishte e ekzagjeruar.

Sipas një zyrtari të lartë të administratës që foli me gazetarët në avionin presidencial pas tubimit, aty morën pjesë 14,600 vetë dhe disa mijëra të tjerë ose donin të merrnin pjesë, ose ishin aty pranë.

Gazetarët vunë gjithashtu në dukje mungesën e distancimit fizik mes të pranishmëve. Shumë prej tyre nuk mbanin maska dhe disa prej atyre që i kishin ato, i mbanin të ulura poshtë hundës.

Ishte një turmë që qartësisht po sfidonte udhëzimet e shtetit që kufizon grumbullimet masive në jo më shumë se 50 vetë, për distancë fizike dhe për maska.

Presidenti Trump përsëriti të martën se fushata e tij kishte gjetur një mënyrë për të shmangur shkeljen e rregullave të shtetit, sepse “vendosëm t’i quajmë të gjitha tubimet tona, protesta paqësore”, një referencë ndaj kritikave nga përfaqësues të së djathtës, sipas së cilëve disa protestues kundër racizmit në mes të pandemisë, janë treguar hipokritë duke mos mbajtur maska.

Presidenti i krahasoi tubimet e tij me ato të rivalit të tij demokrat, Joe Biden, duke vënë në lojë aktivitetet me distancim fizik në palestra shkollash, të takimeve relativisht të pakta të zotit Biden.

“I keni parë palestrat me njerëzit të vendosur në rrathë? Ato janë turmat e tij”, tha zoti Trump.

Ishte vizita e tretë e zotit Trump në Karolinën e Veriut brenda dy javësh. Ai fitoi në këtë shtet me katër pikë epërsi ndaj rivales demokrate në vitin 2016, Hillary Clinton, por sipas anketave ai dhe zoti Biden kanë të njëjtin nivel mbështetjeje në këtë shtet.

Ish-Nënpresidenti nuk pati ndonjë aktivitet public të martën, por paraqiti dy reklama të reja të fushatës në shtetin e Karolinës së Veriut gjatë ditës.

"Ky është shansi ynë për të lënë errësirën e katër viteve të kaluara prapa nesh, për t'i dhënë fund zemërimit, fyerjeve, ndarjeve, dhunës dhe për t'ia filluar nga e para në Amerikë", thotë zëri përshkrues kur hapet një reklamë. "Ne mund të ndalojmë së përqendruari tek një president që mendon se gjithçka ka të bëjë me të dhe të fillojmë të përqendrohemi në atë që është më e mira për ne."

Zoit Trump, në tubimin e tij të martën, akuzoi zotin Biden dhe kandidaten demokrate për nënpresidente, Senatoren Kamala Harris se po përpiqen të përhapin “teori konspirative anti-vaksinë”, sepse kanë vënë në pikëpyetje pretendimet e tij se një vaksinë për COVID-19 do të dale së shpejti.

Zoti Biden dhe zonja Harris nxorrën të martën një deklaratë të përbashkët, “duke paraqitur tre pyetje të cilave duhet t’u përgjgjet administrata për të siguruan popullin amerikan se politika nuk do të luajë rol në miratimin dhe përhapjen një vaksine të sigurt dhe efektive për COVID-19-ën.”

Demokratët po i kërkojnë administratës së Presidentit Trump që të paraqesë kriteret shkencore që do të përdoren për të garantuar sigurinë dhe efikasitetin e vaksinës; kush do t’i hapë dritën e gjelbër vaksinës; dhe cili është plani për të përcaktuar se si do të bëhen vaksinat për amerikanët “falas, me garanci, në mënyrë të drejtë dhe pa ndërhyrjen e politikës”.

Presidenti Trump ka lënë të kuptohet se një vaksinë mund të jetë gati para zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Nëntë shefat ekzekutivë të kompanive që po konkurrojnë për të zhvilluar një vaksinë për koronavirusin bënë një deklaratë të pazakontë bashkarisht të martën se nuk do të kërkojnë miratimin e organeve rregullatore të qeverisë amerikane derisa të arrijnë fazën e tretë të testimit të sigurisë së vaksinës.

Deklarata pason shqetësimin se zoti Trump do të ushtrojë presion ndaj Administratës amerikane të Ushiqmeve dhe Barnave për të miratuar një vaksinë para se të provohet që është e sigurt dhe efektive.

Ndërsa zoti Trump filloi tubimin të martën në mbrëmje, kompania AstraZeneca konfirmoi se po pezullonte përkohësisht studimet në fazat e fundit të vaksinës së mundshme të për COVID-19, ndërsa heton nëse një sëmundje “e pashpjegueshme” e një vullnetari që ka marrë vaksinën, ishte një efekt anësor i saj.

Në një deklaratë të martën në mbrëmje, kompania tha se “procesi i saj standard i kontrollit, shkaktoi një pauzë të vaksinimit për të analizuar të dhënat e sigurisë”.

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar shifrën më të lartë të infeksioneve dhe vdekjeve nga koronavirusi.

Mbi 6.3 milionë raste janë njoftuar në vend, me afro 190 mijë vdekje sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat