Trump dhe Biden: Politika të kundërta për Iranin

Amerika

Trump dhe Biden: Politika të kundërta për Iranin

Më: 10 shtator 2020 Në ora: 08:11
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe kandidati për president, Joe Biden

Presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe sfiduesi i tij kryesor, Joe Biden, kanë mendime të ndryshme për marrëveshjen bërthamore me Iranin dhe për aspektet e tjera të politikës ndaj Republikës Islamike, andaj rezultati i zgjedhjeve të 3 nëntorit në SHBA mund të luajë rol të fuqishëm në Iran, në vitet që do të vijnë.

Trump, i cili kërkon rizgjedhje dhe vjen nga Partia Republikane, dëshiron të mbajë sanksione të fuqishme ekonomike kundër Iranit, në përpjekje për ta bindur atë që të ringeociojë marrëveshjen bërthamore ndërkombëtare, e cila, sipas tij, ka të meta dhe kërcënon sigurinë e SHBA-së.

Kandidati i Partisë Demokratike për president të SHBA-së, Joe Biden, i cili ka punuar në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 derisa ka qenë nënpresident në administratën e Barack Obamës, thotë se politika e Trumpit për “presion maksimal” ndaj Iranit “ka dështuar keq”, duke e provokuar udhëheqjen e Teheranit dhe duke e minuar stabilitetin.

Marrëveshja e negociuar gjatë midis fuqive të mëdha globale dhe Teheranit, e njohur me shkurtesën JCPOA, synon t’ia vështirësojë Iranit zhvillimin potencial të armës bërthamore. Në bazë të saj, Irani është pajtuar t’i kufizojë aktivitetet bërthamore - në këmbim, komuniteti ndërkombëtar ia ka lehtësuar sanksionet.

Trump e ka tërhequr SHBA-në nga marrëveshja në vitin 2018 dhe ka vendosur sanksione të rrepta ekonomike kundër Iranit. Që nga ajo kohë, ekonomia e Iranit është dobësuar, vlera e monedhës së tij është në rënie dhe Uashingtoni dhe Teherani i janë afruar konfliktit ushtarak në dy raste.

Irani ka hedhur raketa në një bazë të ushtrisë amerikane në Irakun fqinj, në janar të këtij viti, në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e gjeneralit Qasem Soleimani - komandant që drejtonte forcën elitë të Iranit Kuds - në një sulm të SHBA-së.

Disa muaj më herët, në qershor të vitit 2019, Trump ka thënë se ka anuluar në minutën e fundit një sulm ushtarak, që do të godiste tri lokacione në Iran, në shenjë hakmarrjeje për rrëzimin e një droni amerikan nga Teherani. Trump ka thënë se e ka anuluar sulmin nga shqetësimi se mund të vriteshin shumë njerëz.

Biden ka thënë se është i përgatitur për të ndjekur një drejtim më diplomatik me Iranin dhe, nëse Irani u kthehet obligimeve të tij, SHBA-ja do t’i ribashkohet marrëveshjes JCPOA, e cila nga mbështetësit është cilësuar ndoshta si arritja më e madhe e administratës Obama në politikën e jashtme.

“Ekziston një mënyrë e zgjuar për t’iu kundërvënë [Teheranit] dhe një mënyrë vetëshkatërruese. Qasja e Trumpit është kjo e fundit”, ka thënë Biden në janar të këtij viti, kur tensionet SHBA-Iran ishin të larta.

Aleatët evropianë të Uashingtonit janë duke bërë përpjekje për ta shpëtuar marrëveshjen bërthamore.

Mandati i dytë i Trumpit ka të ngjarë të shënojë shkatërrimin e saj, thonë analistët, por edhe fitorja e Bidenit mund të mos jetë e mjaftueshme për të zgjidhur problemet e shkaktuara.

Biden dhe Trump pritet të përplasen rreth politikës në Iran më 26 shtator, kur të përballen në debatin e parë të drejtpërdrejtë, nga tre të tilla që do të mbahen deri në zgjedhje.

“Marrëveshja më e keqe ndonjëherë”

Politikat e Trumpit ndaj Iranit duket se nuk kanë qenë të papritura për Teheranin.

Gjatë fushatës së tij në zgjedhjet e vitit 2016, Trump ka premtuar se do ta tërheqë SHBA-në nga marrëveshja JCPOA, emri zyrtar i së cilës është Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit.

Në kuadër të marrëveshjes, Irani ka rënë dakord që të ndalojë pasurimin e uraniumit dhe rezervat e tij për 15 vjet, si dhe t’iu lejojë vëzhguesve ndërkombëtarë të verifikojnë veprimet e tij në përputhje me marrëveshjen.

Në këmbim, Shtetet e Bashkuara janë pajtuar që t’i lehtësojnë sanksionet dhe të zhbllokojnë 150 miliardë dollarë fonde të Iranit, që mbahen në bankat në të gjithë botën.

Përveç Shteteve të Bashkuara, nënshkruesit e tjerë të marrëveshjes përfshinin anëtarët e tjerë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara: Rusinë, Kinën, Britaninë dhe Francën, si dhe Gjermaninë dhe Bashkimin Evropian.

Trump e ka cilësuar marrëveshjen si “më të keqën ndonjëherë”. Ai ka thënë se Irani do t’i përdorë paratë që vijnë si rezultat i lehtësimit të sanksioneve, për të financuar aktivitetet e tij terroriste në të gjithë Lindjen e Mesme.

Aktivitetet e Iranit jashtë vendit përfshijnë: vendosjen e këshilltarëve dhe luftëtarëve ushtarakë në Siri, për të mbështetur Qeverinë e presidentit sirian, Bashar al-Assad, në luftën atje; shitjen e armëve të përparuara te rebelët Huthi të Jemenit, që luftojnë kundër qeverisë së mbështetur nga Arabia Saudite; financimin e grupit militant të Hezbollahut në Liban, si dhe nxitjen e protestave kundër Shteteve të Bashkuara në Irak.

Trump po ashtu e ka kritikuar JCPOA-në për përfshirje të kufizimeve që skadojnë, duke thënë se ato i hapin rrugë Iranit që, në fund të fundit, të zhvillojë armë bërthamore. Sipas Trumpit, JCPOA nuk e adreson as programin me raketa balistike të Iranit.

Trump ka thënë se tërhiqet nga marrëveshja për ta detyruar Teheranin që të negociojë një marrëveshje të re, e cila do t’i adresonte shqetësimet e tij.

Por, Irani nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të bërë marrëveshje të re. Në vend të saj, ai ka njoftuar se do të intensifikojë punën në programin e tij bërthamor, në shkelje të JCPOA-së.

Dhe, nuk ka kaluar shumë kohë dhe tensionet janë përshkallëzuar.

Frikë nga lufta

Kur disa anije transporti janë sulmuar në Gjirin e Omanit, në maj dhe qershor të vitit 2019, Shtetet e Bashkuara ia kanë vënë fajin Iranit.

Disa ditë pasi është sulmuar një cisternë në qershor, një dron amerikan është rrëzuar nga forcat iraniane - për pak duke e nxitur Trumpin të godiste disa objektiva në Iran.

Tensionet janë rritur përsëri në dhjetor, kur Shtetet e Bashkuara kanë kryer disa sulme kundër një milicie të mbështetur nga Irani, pas sulmeve të saj në një bazë në Irak.

Protestuesit e mbështetur nga Irani kanë sulmuar ndërtesën e Ambasadës amerikane në Irak disa ditë më vonë dhe Shtetet e Bashkuara kanë vrarë Soleimanin në një sulm me dron, pranë aeroportit të Bagdadit, më 3 janar.

Irani është hakmarrë duke hedhur raketa në një bazë të SHBA-së në Irak dhe duke shkaktuar kështu frikë për një luftë rajonale.

Prejse janë sulmuar cisternat e para në Gjirin e Omanit, Shtetet e Bashkuara e kanë rritur numrin e trupave në Lindjen e Mesme për rreth 18,000, për t’iu kundërvënë Iranit.

Trump ka thënë se Soleimani ka planifikuar të kryente sulme ndaj diplomatëve dhe personelit ushtarak amerikan dhe se vrasja e tij ka pasur për qëllim "të ndalonte një luftë".

Biden ka sugjeruar se ka qenë e kundërta.

“Kur marrëveshja me Iranin ka qenë në fuqi, ne nuk e kishim këtë cikël të rrezikshëm të provokimeve dhe reagimeve”, ka thënë ai më 7 janar, pasi që raketat iraniane kanë goditur bazën e SHBA-së.

"Një president që thotë se dëshiron t'i japë fund luftës së pafund në Lindjen e Mesme, po na afron rrezikshëm pranë fillimit të një të reje”, ka thënë Biden.

Administrata Trump vazhdon të vendosë sanksione ndaj Iranit, me shpresën se politika e “presionit maksimal” do ta detyrojë Qeverinë iraniane të negociojë marrëveshje të re.

Kritikët thonë se kjo mund ta shtyjë Iranin në krahët e një kundërshtari tjetër të SHBA-së: Kinës.

Teherani dhe Pekini thuhet se kanë rënë dakord për një marrëveshje 25-vjeçare, në vlerë prej 400 miliardë dollarësh, për energjinë, infrastrukturën dhe mbrojtjen, që mund ta ndihmojë Iranin të zvogëlojë ndikimin e sanksioneve.

Administrata Trump po përpiqet tani të bllokojë çdo shitje armësh në Iran, për kohë të pacaktuar.

Në kuadër të marrëveshjes bërthamore, një embargo e OKB-së ndaj shitjes së armëve në dhe nga Irani, do të skadojë në tetor. Administrata Trump e kundërshton fuqishëm këtë.

Në fund të gushtit, administrata ka paraqitur një ankesë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në përpjekje për rikthimin e të gjitha sanksioneve të Kombeve të Bashkuara kundër Iranit, përfshirë embargon e armëve, me arsyetimin se Teherani nuk është duke vepruar në përputhje me JCPOA-në.

Stoqet e uraniumit

Qeveria iraniane ka rritur pasurimin dhe rezervat e uraniumit, në përgjigje të sanksioneve të SHBA-së. Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka thënë më 8 shtator se rezervat janë dhjetë herë më shumë se kufiri i vendosur nga JCPOA.

Vendet evropiane që janë palë në JCPOA "duhet të zgjohen përballë realitetit se marrëveshja bërthamore është histori dhe duhet të bashkohen me ne në vendosjen e sanksioneve të fuqishme", ka thënë Pompeo në një postim në Twitter.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka 30 ditë kohë për të miratuar rezolutën që i heq sanksionet e Kombeve të Bashkuara, por është pothuajse e sigurt që do të dështojë, pasi Shtetet e Bashkuara kanë të drejtën e vetos.

Duke u përballur me sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe të Kombeve të Bashkuara, Irani mund të vendosë të dalë nga JCPOA-ja, thonë disa ekspertë.

Biden ka thënë se ai do t’i ribashkohet JCPOA-së dhe do të bazohet në të, nëse Irani gjithashtu u kthehet detyrimeve të tij.

"E vetmja mënyrë për të dalë nga kjo krizë është përmes diplomacisë”, ka thënë Biden në janar.

Megjithatë, analistët thonë se JCPOA mund të jetë e vdekur para zgjedhjeve, si rezultat i presionit të SHBA-së, dhe se çdo marrëveshje e re - si ajo ekzistuese - mund të marrë vite kohë.

Ngecje, Rinegocim?

Edhe nëse JCPOA është ende gjallë, administrata e Bidenit do të mund ta ketë të vështirë ta detyrojë Iranin që të veprojë në përputhje me të, ka thënë Behnam Ben Taleblu, anëtar i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive, një institut me seli në Uashington.

Nëse Teherani nuk ndjen se ka nevojë për lehtësim ekonomik nga sanksionet, ai mund të kërkojë më shumë koncesione nga presidenti i SHBA-së, duke e vendosur administratën e tij në një pozitë të vështirë.

“Çfarë do të bënte [administrata e Bidenit]? Të kthehet te politika e presionit e Trumpit? Mbetet një pyetje e madhe”, ka thënë Taleblu për CNBC-në në gusht.

Michael Singh, drejtor menaxhues në Institutin e Uashingtonit, ka thënë se JCPOA është "efektivisht e vdekur", pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve në SHBA.

Sipas tij, Trump nuk do t’i kthehet marrëveshjes nëse fiton, ndërsa Biden mund të përballet me kërkesa për kompensim nga Irani, nëse ai përpiqet ta ruajë marrëveshjen./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat