Komisioni i OBT-së, tarifat ndaj Kinës të paligjshme

Amerika

Komisioni i OBT-së, tarifat ndaj Kinës të paligjshme

Më: 17 shtator 2020 Në ora: 06:23
Ilustrim

Një komision i Organizatës Botërore të Tregtisë vendosi të martën se tarifat e administratës Trump prej 200 miliardë dollarësh ndaj mallrave kineze janë të paligjshme.

Vendimi shënon herën e parë që një organ tregtar me bazë në Gjenevë vendos kundër një serie tarifash që qeveria e Presidentit Donald Trump ka vendosur mbi një numër vendesh, qofshin aleatë apo rivalë. Presidenti Trump ka pohuar në mënyrë të përsëritur se OBT-ja e ka trajtuar SHBA-në në mënyrë të padrejtë. Në vendimin e tij, komisioni i OBT-së që merret me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, vendosi kundër argumentit të qeverisë amerikane se Kina është angazhuar në praktika të dëmshme ndaj interesave amerikane për çështje përfshirë vjedhjen e pronësisë intelektuale dhe transferimin e teknologjisë.

Vendimi në teori, do të lejojë Kinën të vendosë tarifa hakmarrëse ndaj mallrave amerikane me vlerë miliarda dollarë. Por ai nuk ka gjasa të ketë shumë ndikim në praktikë, të paktën për një kohë të shkurtër, sepse SHBA-ja mund të apelojë vendimin dhe gjykata e apelit e OBT-së aktualisht nuk po funksionon më, kryesisht për shkak të refuzimit të Uashingtonit për të pranuar anëtarë të rinj për të.

Ministria kineze e Tregtisë tha se vendimi i OBT-së ishte "objektiv dhe i drejtë" dhe u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara ta respektojnë atë. Tarifat amerikane synojnë dy grupe të produkteve kineze. Tarifat prej 10 për qind u vendosën për rreth 200 miliardë dollarë mallra në shtator 2018 dhe u rritën në 25 për qind tetë muaj më vonë. Një tarifë shtesë ndaj mallrave kineze prej 25 për qind u vendosën në qershor të 2018-s me vlerë rreth 34 miliardë dollarësh. Administrata Trump i ka justifikuar sanksionet bazuar në nenin 301 të Aktit të Tregtisë të vitit 1974, dikur një mjet i zakonshëm i përdorur nga qeveria amerikane për të vendosur sanksione dhe i ringjallur kohët e fundit nga administrata Trump. SHBA ka argumentuar se veprimet e Kinës kishin arritur në “vjedhje të sanksionuara nga shteti” dhe “përvetësim” të teknologjisë amerikane, pronës intelektuale e sekreteve tregtare./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat