SHBA, 3 qytete mund të humbasin fondet federale

Amerika

SHBA, 3 qytete mund të humbasin fondet federale

Më: 22 shtator 2020 Në ora: 06:17
Prokurori i Përgjithshëm William Barr

Departamenti amerikan i Drejtësisë tha të hënën se tre qytete në SHBA kanë "lejuar dhunën dhe shkatërrimin e pronës" dhe kërcënoi se do të shkurtojë fondet federale nëse ato nuk marrin masa për të rivendosur rendin dhe ligjin.

Sipas një njoftimi për shtyp, Nju Jorku, Portlandi i shtetit Oregon dhe qyteti Siatëll i shtetit Uashington, rrezikojnë humbjen e fondeve.

"Kur udhëheqësit shtetërorë dhe lokalë pengojnë oficerët dhe agjencitë e tyre të zbatimit të ligjit të bëjnë punën, kjo rrezikon qytetarët e pafajshëm që meritojnë të mbrohen, përfshirë ata që përpiqen të mblidhen dhe të protestojnë në mënyrë paqësore", tha Prokurori i Përgjithshëm William Barr.

"Ne nuk mund të lejojmë që dollarët e taksave federale të shpenzohen kot kur në pikëpyetje është siguria e qytetarëve. Shpresoj se qytetet e identifikuara sot nga Departamenti i Drejtësisë do të ndryshojnë drejtim dhe do të tregohen serioze sa i përket kryerjes së funksionit themelor të qeverisë dhe do të fillojnë të mbrojnë qytetarët e tyre", tha kreu i Departamentit të Drejtësisë, Barr.

Kryebashkiaku i Portlandit, Ted Wheeler, ai i Nju Jorkut, Bill de Blasio dhe kryetarja e Bashkisë së Siatllit Jenny Durkan iu përgjigjën deklaratës së Departamentit të Drejtësisë.

Kjo është tërësisht politike dhe antikushtetuese. Presidenti po luan lojëra të ulta politike me fondet e akorduara nga Kongresi," thanë ata në një deklaratë të përbashkët. "Qytetet tona po bashkojnë komunitetet; qytetet tona po marshojnë përpara pasi luftuan me pandeminë dhe u përballën me krizën më të rëndë financiare që nga Depresioni i Madh."

Ata akuzuan administratën Trump si të papeshuar dhe se po i "shmanget përgjegjësisë, duke e hedhur fajin diku tjetër për të mbuluar dështimin e saj".

Lista e qyteteve të zgjedhura nga Departamenti i Drejtësisë ishte në përgjigje të një shkrese të nxjerrë nga Shtëpia e Bardhë më 2 shtator, ku i kërkohej Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit të shqyrtonte shkurtimin e fondeve federale në "juridiksionet anarkiste".

Departamenti i Drejtësisë tha se listës mund t’i shtohen edhe qytete të tjera.

Pas vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd në duart e policisë më 25 maj në Mineapolis të Minesotës, në qytetet e mbarë Amerikës shpërthyen protesta.

Sipas Departamentit të Drejtësisë, në qytetin e Nju Jorkut, incidentet me armë zjarri u shtuan 177% në korrik 2020 krahasuar me korrikun e një viti më parë. Në të njëjtën kohë, qyteti shkurtoi 1 miliard dollarë nga buxheti i policisë, tha Departamenti në deklaratë.

Në Portland pati më shumë se tre muaj protesta të dhunshme dhe një rritje prej 140% të incidenteve me armë zjarri në qershor dhe korrik, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, tha Departamenti i Drejtësisë. Gjatë asaj kohe, qyteti shkurtoi fondet e policisë dhe kryetari i bashkisë së qytetit, Wheeler, refuzoi ofertën e administratës Trump për ndihmë federale në zbatimin e ligjit dhe frenimin e dhunës, sipas Departamentit të Drejtësisë.

Zyrtarët në Siatëll lejuan protestuesit të krijonin një zonë "autonome" në pjesën e qendrës së qytetit, e cila qëndroi në gjendje të tillë për një muaj. Gjatë asaj kohe, krimi u rrit me 525%, sipas Departamentit të Drejtësisë, dhe dy adoleshentë u qëlluan për vdekje. Kryebashkiaku dhe guvernatori refuzuan ndihmën federale, tha Departamenti.

Në fillim të shtatorit, Presidenti Trump tha se administrata e tij "do të bënte gjithçka që ishte në dorën e saj për të mos lejuar kryebashkiakët e dobët dhe qytetet jashtë kontrollit që të marrin fonde federale pasi lejuan që anarkistët të dëmtonin njerëzit, të digjnin ndërtesa dhe të shkatërronin jetën dhe bizneset".

Nuk është e qartë se nga çfarë fondesh federale mund të privohen këto qytete.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat