Kamerat e sigurisë në metronë e Miamit, kanë fiksuar momentin kur një burrë ka dhunuar brutalisht një pasagjere pa ndonjë shkak.
Në videon e publikuar shfaqet Joshua James King, 25-vjeç, teksa dhunon pamëshirshëm 29-vjeçaren Andrea Puerta. Fillimisht i riu futet në tren dhe pa ndonjë arsye specifike nis të dhunojë Puertran, të cilën e grushton pamëshirshëm për më shumë se 20 herë.
“Më kujtohet që i kam thënë ‘mjaft, por ai nuk ndalej. Në një moment është ndalur dhe më tha ‘më fal’ dhe vazhdoi të më godasë, nuk e dija se çfarë po ndodhte. Kurrë nuk e kam takuar ndonjëherë atë person, kurrë”, ka deklaruar në polici 29-vjeçarja e dhunuar.
Menjëherë pas incidentit gruaja lajmëroi policinë e cila mbërriti menjëherë në vendngjarje. Oficerët arritën që të kapnin në kohë dhunuesin dhe pas hetimeve zbuluan se ai gjatë asaj dite kishte dhunuar edhe dy persona të tjerë.