Trump: Zgjedhjet do të përfundojnë në Gjykatën e Lartë

Amerika

Trump: Zgjedhjet do të përfundojnë në Gjykatën e Lartë

Më: 24 shtator 2020 Në ora: 07:22
Donald Trump/Gjykata e Lartë

Presidenti Donald Trump tha të mërkurën se ai mendon që zgjedhjet e vitit 2020 do të përfundojnë në Gjykatën e Lartë, duke shtuar se kjo është arsyeja se përse ka rëndësi që ajo t’i ketë të nëntë gjyqtarët.

Duke folur në një takim në Shtëpinë e Bardhë, ai tha se senatori republikan Lindsey Graham, i cili kryeson Komisionin e Gjyqësorit në Senat, as që është e nevojshme të zhvillojë një seancë dëgjimore për personin që do të emërohet për anëtar të Gjykatës dhe se procesi do të kryhej shpejt.

"Unë mendoj se çështja do të përfundojë në Gjykatën e Lartë dhe se është shumë e rëndësishme që të kemi nëntë gjyqtarë," tha Presidenti Trump kur u pyet nëse do të duhej një Gjykatë e plotë për të trajtuar ndonjë sfidë të mundshme për zgjedhjet e 3 nëntorit midis tij dhe rivalit demokrat Joe Biden.

Presidenti Trump ka hedhur dyshime mbi integritetin e zgjedhjeve, duke thënë pa prova se votimi me postë për shkak të pandemisë do të çonte në mashtrime.

"Ky mashtrim që po përgatisin demokratët … do të dalë para Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara dhe mendoj se të kesh një rezultat 4 me 4 nuk është një situatë e mirë," tha ai.

Deri tani, vetëm një garë presidenciale, ajo e vitit 2000 midis republikanit George W. Bush dhe demokratit Al Gore, është vendosur në Gjykatën e Lartë.

Presidenti Trump po lëviz me shpejtësi për të emëruar një pasardhëse të gjyqtares liberale Ruth Bader Ginsburg, e cila ndërroi jetë të premten.

Ndërkohë ish-Nënpresidenti Joe Biden, rivali demokrat i zotit Trump për zgjedhjet e 3 nëntorit, ka bërë thirrje që presidenti i ardhshëm, të përzgjedhë kandidatin për Gjykatën e Lartë, pas inaugurimit të tij në janar.

Aleatët republikanë të zotit Trump në Senat thonë se ata mund të zhvillojnë një votim para zgjedhjeve. Kjo do të vuloste një shumicë konservatore 6 me 3 në gjykatën më të lartë të vendit.

Presidenti Trump ka thënë se do ta shpallë të zgjedhurën e tij mes pesë grave kandidate të shtunën pasdite.

Të hënën, ai u takua në Shtëpinë e Bardhë me gjyqtaren Amy Coney Barrett, e cila shihet si pretendente kryesore.

I pyetur për gjyqtaren tjetër, Barbara Lagoa, ai u tha gazetarëve të mërkurën: "Nuk kam planifikuar një takim, por ajo është në listën time".

Gjatë mandatit të tij, Presidenti Trump ka emëruar dy konservatorë në gjykatën e Lartë, Neil Gorsuch në vitin 2017 dhe Brett Kavanaugh në vitin 2018.

Emërimet në Gjykatën e Lartë, anëtarët e së cilës shërbejnë për jetë, kërkojnë konfirmimin e Senatit. Aleatët republikanë të Presidentit Trump kontrollojnë 53 nga të 100 vendet e Senatit.

Dy senatore republikane, Susan Collins dhe Lisa Murkowski kanë njoftuar se do të votojnë kundër emërimit të zotit Trump para zgjedhjeve, kur mbeten më pak se 40 ditë në krahasim me 70 ose më shumë që zakonisht i është dashur Senatit për të shqyrtuar e miratuar kandidaturën për një vend në Gjykatën e Lartë gjatë administrave të kaluara.

Por asnjë senator tjetër republikan nuk u është bashkuar atyre në përpjekjen për të vonuar shqyrtimin e kandidaturës.

Udhëheqësi i shumicës së Senatit, Mitch McConnell ka thënë se është gati të veprojë, sapo Presidenti Trump të shpallë emërimin./Vo/a

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat