SHBA/ Pasojat e mundshme të përplasjes politike për votimin me postë

Amerika

SHBA/ Pasojat e mundshme të përplasjes politike për votimin me postë

Më: 26 shtator 2020 Në ora: 07:05
Ilustrim

Presidenti Donald Trump nuk pranoi të mërkurën të thoshte nëse angazhohej për një transferim paqësor të pushtetit po qe se humbet zgjedhjet dhe përsëri vuri në dyshim legjitimitetin e votimit përmes postës që është zgjeruar për shkak të pandemisë së koronavirusit. Sondazhet e fundit tregojnë se numri i demokratëve që planifikojnë të votojnë me postë është shumë më i madh sesa ai i republikanëve. Komentet e zotit Trump erdhën ndërsa të dyja palët përgatiten për një garë presidenciale të ashpër në nëntor.

Sipas ekspertëve, përplasja partiake mbi votimin përmes postës mund të çojë në një skenar sipas së cilit Presidenti Trump mund të shpallë fitoren pasi të sigurojë një avantazh të hershëm natën e zgjedhjeve, por përfundimisht të humbasë ndaj rivalit demokrat Joe Biden, pasi fletët e votimit me postë, numërohen në ditët në vijim. Duke e quajtur votimin përmes postës mashtrim dhe farsë, zoti Trump parashikon se mund të ketë sfida ligjore ndaj numërimit të votave dhe se çështja mund të përfundojë në Gjykatën e Lartë. Kjo është njëra nga arsyet që ai ka përmendur si nevojë për zëvendësimin e anëtares së kësaj gjykate, Ruth Bader Ginsburg para zgjedhjeve.

“Unë mendoj se çështja do të përfundojë në Gjykatën e Lartë dhe se është shumë e rëndësishme që të kemi nëntë gjyqtarë”, tha ai. Analistët vënë në dukje se ndërsa nuk ka prova manipulimesh të përhapura tek votimi me postë, siç pretendon presidenti, kjo mënyrë votimi rezulton në më shumë fletëvotime të pavlefshme, kryesisht sepse votuesit mund të bëjnë gabime në plotësimin e tyre. Gjithashtu, siç ndodhi gjatë zgjedhjeve paraprake të këtij viti mes pandemisë së koronavirusit, disa shteteve iu desh kohë të numëronin fluksin e votave me postë.

“Sa më shumë të nxitësh njerëzit të votojnë me postë, aq më i madh numri i atyre vota e të cilëve nuk numërohet dhe zhvlerësohet”, thotë Hans von Spakovsky, ish-anëtar i Komisionit Federal të Zgjedhjeve, eskpert në Fondacionin konservator, Heritage. Mbetet për t’u parë nëse Gjykata e Lartë do të luajë ndonjë rol dhe se cili do të jetë ai. “Shpresojmë të mos gjendemi në një situatë që t’i kërkojmë Gjykatës, që të përcaktojë rezultatin e zgjedhjeve. Unë mendoj se kjo do të ishte shumë problematike për demokracinë”, thotë analisti politik, Sam Berger i Qendrës për Progresin Amerikan.

Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2000, Gjykata e Lartë vendosi mbi një mosmarrëveshje të rinumërimit të votave në Florida që në thelb i siguroi republikanit George W. Bush fitoren ndaj ish nënpresidentit Demokrat Al Gore me një epërsi prej vetëm një vote elektorale. Zoti Gore e pranoi rezultatin, duke thënë se ishte për të mirën e vendit, pavarësisht se fitoi votën popullore. Presidenti Trump, kur u pyet të mërkurën nëse angazhohej për një transferim paqësor të pushtetit nëse humb zgjedhjet, tha vetëm, “Do të shohim se çfarë do të ndodhë”. Me tensione politike kaq të larta, të dyja palët kanë frikë se një rezultat i kontestuar ashpër mund të shkaktojë përplasje politike midis ekstremistëve të djathtë dhe radikalëve të majtë./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat