Në pritje të emërimit të kandidates që do të zëvendësojë Ruth Bader Ginsburg

Amerika

Në pritje të emërimit të kandidates që do të zëvendësojë Ruth Bader Ginsburg

Më: 26 shtator 2020 Në ora: 17:07
Gjykata e Lartë

Sot Presidenti Donald Trump pritet të emërojë gjykatësen federale Amy Coney Barrett për të zëvendësuar të ndjerën Ruth Bader Ginsburg si anëtare të Gjykatës së Lartë.

Njoftimi zyrtar pritet të jepet më vonë sot, ndërsa Shtetet e Bashkuara ndodhen në një vit zgjedhor, në mesin e pandemisë së koronavirusit dhe protestave mbi pabarazinë racore.

Gjykatësja Ruth Bader Ginsburg hyri në histori si gruaja e parë dhe personi i parë me origjinë hebraike që nderohet me një funeral shtetëror në ndërtesën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara.

Në një ceremoni emocionuese brenda Kapitolit, u nderua jeta e saj me momente prekëse, si dashurinë e saj për muzikën operistike...

...si dhe trajnerin e saj për ushtrime fizike prej 20 vitesh, i cili tha lamtumirë duke rikujtuar rezistencën e saj dhe betejën e gjatë me kancerin.

“Sot qëndrojmë të pikëlluar dhe nesër ne njerëzit duhet ta vazhdojmë trashëgiminë e gjykatëses Ginsburg”, tha rabinia që kryesoi shërbimin fetar.

Ligjvënëset gra, republikane dhe demokrate, u vendosën në shenjë respekti përgjatë shkallëve të Kapitolit. Megjithatë, momenti i rrallë dypartiak kalon me shpejtësi, ndërsa Presidenti Trump pritet të përzgjedhë gjyqtaren Amy Coney Barrett si kandidaten e tij për të zëvendësuar gjykatësen Ginsburg.

“Do të përcaktojmë të emëruarën tonë dhe të shpresojmë se do të jemi në atë gjykatë për 50 vjet”, tha Presidenti Trump.

Sidoqoftë, një sondazh i zhvilluar nga kanali ABC News dhe gazeta “The Washington Post” tregoi se shumica e njerëzve dëshirojnë që zëvendësimi i Gjykatëses Ginsburg të bëhet nga fituesi i zgjedhjeve të 3 nëntorit dhe të konfirmohet me votimin në Senat gjatë vitit të ardhshëm.

Me vetëm 39 ditë të mbetura deri në ditën e zgjedhjeve, Presidenti Trump vazhdon të ngrejë pa prova pikëpyetje për integritetin e zgjedhjeve, dhe ende nuk angazhohet për një transferim paqësor të pushtetit.

“Do të jetë një katastrofë dhe unë dua një tranzicion të qetë dhe të bukur, por ata nuk e shtojnë këtë pjesë. Por, duhet të jetë një votë e ndershme dhe të gjithë e dinë”, tha Presidenti Trump.

Joe Biden ndërkohë filloi një pauzë të fushatës së tij, së bashku me kandidaten për nënpresidente Kamala Harris, për të marrë pjesë në ceremonitë në nder të Gjykatëses Ginsburg.

Gjykatësja do të prehet javën e ardhshme në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, pranë bashkëshortit të saj të dashur, të ndjerin Martin Ginsburg./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat