Avokati i Breonas: Vendimi i jurisë, shembull i racizmit në sistem

Amerika

Avokati i Breonas: Vendimi i jurisë, shembull i racizmit në sistem

Më: 26 shtator 2020 Në ora: 20:59
Protestues të Lëvizjes "Black Lives Matter" in Luivill, Kentaki (25 shtator 2020)

Demonstruesit dolën në rrugë në një tjetër natë të premten në Luivill të shtetit të Kentakit, për të protestuar kundër vrasjes së Breonna Taylor-it, një punonjëse afrikano-amerikane e shërbimeve të urgjencës mjekësore, e cila u vra nga policët marsin e kaluar ndërsa po kryenin një bastisje për drogë.

Rreth 15 protestues u arrestuan të premten, tha policia, për shkeljen e ndalim-qarkullimit në orën 21:00.

Më herët të premten, familja e zonjës Taylor dhe avokati i tyre, Benjamin Crump, i bënë thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të Kentakit, David Cameron të publikojë pamjet e kamerave që mbanin oficerët në trup, dosjet e policisë dhe transkriptet e procedurave të jurisë që nuk ngriti akuza për vrasje ndaj oficerëve që vranë zonjën Taylor.

Avokati Crump tha se vendimi i jurisë është një shembull i racizmit sistematik që vazhdon në Amerikë. "Kjo nënvizon atë që kemi thënë gjatë gjithë kohës," tha ai.

E ëma e zonjës Taylor, Tamika Palmer, tha, se "policia dhe ligji nuk u krijuan për të na mbrojtur ne, gratë me ngjyrë". Zonja Palmer tha se vendimi i jurisë konfirmon faktin se ajo "nuk ka besim në sistemin ligjor".

Zonja Palmer tha se ajo "e dinte" që Prokurori Cameron "nuk do ta bënte kurrë punën e tij" dhe shtoi se, "Sistemi i tërë ka dështuar të mbrojë Breonna-n."

Zoti Cameron është prokurori i parë i përgjithshëm afrikano-amerikan i shtetit Kentaki

Kreu i maxhorancës në Senat, Mitch McConnell, që përfaqëson shtetin Kentaki, mbrojti hetimin gjatë një fjalimi të enjten në sallën e Senatit, duke thënë se zoti Cameron "zhvilloi pikërisht llojin e hetimit të paanshëm dhe të plotë që kërkon drejtësia". Ai i quajti protestat në Luivill, gjatë të cilave dy oficerë policie u qëlluan me armë, "evidencë e mëtejshme të paligjshmërisë, trazirave, dhe dhunës që kanë goditur qytetet amerikane kaq shpesh gjatë këtij viti".

Zoti Crump shkruajti në Twitter se ai shpreson që një hetim federal për vrasjen e zonjës Taylor do të ngrinte akuza ndaj oficerëve. "Shpresoj që hetimi i FBI-së të sjellë më në fund drejtësi për Breonna-n dhe familjen e saj".

Zonja Taylor u vra kur gjatë një operacioni anti-drogë, policia hyri në apartamentin e saj me një autorizim hyrjeje "pa trokitur" - një mekanizëm ligjor që u lejon policëve të hyjnë në një mjedis pa paralajmëruar, me qëllim ruajtjen e provave që mund të shkatërrohen. Në apartamentin e saj nuk u gjet drogë.

Megjithatë, zoti Cameron tha të mërkurën se një fqinj i zonjës Taylor kishte dëgjuar policinë të njoftonte prezencën e saj ndërsa hynin në apartamentin e zonjës Taylor dhe se hyrja e tyre nuk konsiderohej e llojit "pa trokitur".

Zoti Cameron tha se oficerët "ishin të justifikuar në përdorimin e forcës", pasi i dashuri i zonjës Taylor, Kenneth Walker, i cili nuk dëgjoi ndonjë njoftim nga policët, qëlloi me armë ndaj tyre i pari, kur ata hynë në apartament, duke menduar se ishin keqbërës.

Vëmendja është fokusuar tek të shtënat e zonjës Taylor dhe raste të tjera, pas vdekjes më herët këtë vit të George Flyod-it, një afrikano-amerikan, pasi një polic i bardhë i qytetit Minneapolis i vendosi gjurin në qafë. Vdekja e zotit Floyd ngjalli protesta në mbarë botën për padrejtësinë sociale./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat