Shteti Ohajo në prag të debatit të parë presidencial

Amerika

Shteti Ohajo në prag të debatit të parë presidencial

Më: 27 shtator 2020 Në ora: 20:19
Joe Biden dhe Donald Trump

Debati i parë presidencial mes Presidentit Donald Trump dhe kandidatit demokrat Joe Biden do të zhvillohet të martën në qytetin Klivlend të shtetit Ohajo. Ky është debati i parë ballë për ballë nga tre të tilla mes dy kandidatëve. Trump-Biden kanë një diferencë të vogël mes njëri-tjetrit si në shkallë kombëtare ashtu edhe në shtetin Ohajo, një shtet i pavendosur, ku opinioni i votuesve për të dy kandidatët ndryshon dukshëm nga një familje tek tjetra.

Një flamur për zotin Trump ishte shenja e parë politike në këtë lagje në Ohajo. Dolores Gentile është mbështetëse e Presidentit Trump.

“Debatova nëse do ta vendosja apo jo sepse kisha frikë se dikush do të qëllonte me armë shtëpinë time. Pastaj thashë, nuk do të jetoj në frikë”.

Në anën tjetër të rrugës, Patty Lucci mbështetëse e zotit Biden, ka një miqësi 44-vjeçare me zonjën Gentile.

“Kushdo që do të jetë në krye duhet të na udhëheqë, të jetë i zgjuar dhe demokrat”.

Ohajo është një shtet vendimtar për zgjedhjet. Asnjë republikan nuk ka fituar presidencën pa fituar Ohajon. Presidenti Trump fitoi garën në këtë shtet në vitin 2016, me një diferencë prej 8 përqindësh. Anketat e këtij viti tregojnë një përqindje të vogël që e ndan atë nga sfiduesi demokrat Joe Biden. Përveç fqinjëve edhe anëtarët brenda familjes kanë preferencat e tyre politike. Patty Lucci është mbështetëse e zotit Biden.

“Gjysma e fëmijëve të mi mbështesin zotin Trump. Ndaj nuk i ftojmë. Themi që nuk do flasim më për politikë, por pastaj futemi në politikë. Dhe pastaj e ndalojmë debatin”.

Në mbarë vendin, polarizimi i mbështetësve të të dy kandidatëve mund të ndikojë tek familjet amerikane. Joe White është profesor për politikën amerikane dhe çështjet që lidhen me presidencën në “Case Western Reserve University”.

“Republikanët shqetësohen se fëmijët e tyre mund të martohet brenda së njëjtës gjini, ose se mund të shndërrohen në transgjinorë. Demokratët janë shumë më të shqetësuar rreth idesë se fëmija e tyre mund të martohet me një republikan”.

Megjithatë zonja Dolores Gentile thotë se miqësia e saj me fqinjën Patty Luci qëndron mbi politikën.

“Unë pëlqej Trumpin, ata pëlqejnë Biden. E pastaj?! Njëri prej tyre do të fitojë”, thotë Dolores Gentile.

Debati i parë presidencial të martën në “Case Western Reserve University”, jo shumë larg nga shtëpitë e tyre, pritet të jetë i ashpër, thotë profesori Joseph White.

“Nënpresidenti Biden me sa duket do të përpiqet të mbajë një balancë. Por ai gjithashtu kërkon të gjejë mënyra për ta bërë zotin Trump të duket sa më keq, ta përdorë si karrem”.

Salla e debatit në qytetin Klivland pret dy kandidatët për të diskutuar arritjet e tyre, Gjykatën e Lartë, pandeminë, sigurinë për zgjedhjet dhe ekonominë.

Një temë tjetër do të jenë edhe protestat për drejtësi racore që herë pas here kanë shkaktuar trazira e plaçkitje.

“Kjo është arsyeja që do të votoj për Presidentit Trump sepse Partia Demokrate nuk ka dënuar asgjë nga këto”, thotë Dolores Gentile.

Fqinja e saj Patty Lucci, ka tjetër mendim.

“Trump duket shumë i keq kur flet dhe kjo më shqetëson. Ai thotë gjëra të këqija e tallet me njerëzit”.

Sipas një sondazhi të ri, dy në tre votues në Ohajo pajtohen se politika ka tensionuar marrëdhëniet mes familjeve dhe miqve. Ata thonë se po i bëjnë ballë situatës duke mënjanuar bisedat politike dhe duke ua lënë debatin elektoral dy kandidatëve./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat