Artikulli i New York Times, risjell taksat e Presidentit Trump në qendër të fushatës

Amerika

Artikulli i New York Times, risjell taksat e Presidentit Trump në qendër të fushatës

Më: 28 shtator 2020 Në ora: 23:50
Donald Trump

Pothuajse katër vjet pasi kandidati i atëhershëm për president, Donald Trump u përball për herë të parë me pyetjet lidhur me pagesën e taksave, kjo çështje është rikthyer në qendër të zgjedhjeve të 3 nëntorit, ndërsa zoti Trump dhe rivali i tij demokrat, Joe Biden bëhen gati për debatin e tyre të parë të martën në mbrëmje.

Sipas gazetës New York Times, Presidenti Donald Trump ka paguar vetëm nga 750 dollarë taksa federale në vitin 2016, viti kur kandidoi për presidencën dhe në vitin 2017, viti i tij i parë në Shtëpinë e Bardhë,.

Gazeta tha se analizoi formularët e taksave të Presidentit Trump, të afro dy dekadave dhe ato tregojnë se ai kishte humbur qindra miliona dollarë në marrëdhëniet e tij të biznesit, gjë që i bëri atij të mundur që të mos paguante taksa gjatë 10 prej 15 viteve para se të kandidonte për president. Gazeta tha se zoti Trump nuk kishte paguar taksa në 11 nga 18 vitet për të cilat ajo analizoi dokumentet.

Zoti Trump është i vetmi president amerikan në kohërat moderne që nuk i ka bërë publike taksat.

Detajet për taksat e ndërlikojnë imazhin që Presidenti është përpjekur të krijojë për veten e tij, si një biznesmen i mprehtë dhe patriot, duke nxjerrë në pah një sërë humbjesh financiare dhe të ardhurash nga jashtë vendit, që mund të bien ndesh me përgjegjësitë e tij si president.

Informacioni për financat e presidentit tregon se ai fitoi të paktën 434.9 milionë dollarë në vitin 2018, por në formularët për taksat, figuron një humbje prej 47.4 milionë dollarësh.

Madje presidenti kishte ndërmarrë sfida ligjore ndaj atyre që kishin kërkuar qasje tek të dhënat e tij për taksat, përshirë Dhomën e Përfaqësuesve, që ka hapur padi për të marrë informacionin për taksat e presidentit, në kuadër të një hetimi të kongresit.

Informacioni, që gazeta tha se është mbledhur nga të dhënat që kishte siguruar për taksat e mbi dy dekadave, vjen dy ditë para debatit të parë presidencial të martën dhe vetëm disa javë para zgjedhjeve ku presidenti dhe rivali i tij demokrat, Joe Biden po përballen në një garë të ashpër.

New York Times njofton se gjatë dy viteve të para si president, zoti Trump kishte marrë 73 milionë dollarë nga bizneset në vende të tjera, që përveç të ardhurave nga objektet e golfit në Skoci dhe Irlandë, përfshinin 3 milionë dollarë nga Filipinet, 2.3 milionë nga India dhe 1 milionë nga Turqia. Në vitin 2017, presidenti pagoi 145,400 dollarë taksa në Indi dhe 156,824 në Filipine, në krahasim me vetëm 750 dollarë në Shtetet e Bashkuara.

Zoti Trump kishte gjetur disa mënyra për të ulur faturën e taksave, sipas artikullit. Ai kishte bërë zbritje taksash duke pretenduar shpenzime personale si strehim, avionë dhe 70,000 dollarë për shërbime parukerie për flokët ndërsa xhironte serinë televizive "The Apprentice."

New York Times njoftoi se analiza e dokumentave të taksave të zotit Trump, tregon se në vitet gjatë të cilave ai nuk pagoi taksa, arsyeja kishte qenë kryesisht sepse humbjet që ai kishte deklaruar, ishin më të mëdha sesa të ardhurat.

Të dhënat për taksat nuk janë publike, por që kur president ishte Richard Nixon, kandidatët i kanë bërë ato publike vullnetarisht për të qenë transparentë për marrëdhëniet e tyre financiare dhe për t’i dhënë përgjigje çdo pyetjeje në lidhje me konfliktet e mundshme të interesit.

"Ne po e botojmë këtë artikull sepse besojmë që qytetarët duhet të kenë sa më shumë informacion për udhëheqësit dhe përfaqësuesit e tyre - përparësitë e tyre, përvojat e tyre dhe financat e tyre," tha në një deklaratë kryeredaktori i gazetës New York Times, Dean Baquet.

Trump e prishi këtë traditë gjatë fushatës së tij zgjedhore në vitin 2016, dhe tha atëherë se për shkak se taksat e tij ishin subjekt i një kontrolli të agjencisë së taksave, IRS, ai nuk mund t’i bënte ato publike dhe u zotua ta bënte këtë kur të lejohej.

IRS tha në atë kohë se nuk kishte asnjë ndalim të tillë.

Një avokat i Organizatës Trump, Alan Garten i tha gazetës New York Times se zoti Trump kishte paguar miliona dollarë taksa dhe se “shumica, në mos të gjitha faktet, duket të jenë të pasakta”. Vetë zoti Trump e hodhi poshtë artikullin në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë të dielën, duke e quajtur “lajme të rreme”.

Ai tha se kishte paguar taksa por nuk dha hollësi. Ai gjithashtu premtoi se informacioni për taksat e tij “do të bëhet publik”, por nuk tha se kur. Ai kishte bërë premtime të ngjashme në vitin 2016, por asnjëherë nuk i kishte bërë të njohura të dhënat.

Zoti Biden nuk bëri ndonjë koment publik për taksat e zotit Trump të dielën, por ashtu si kandidatja demokrate Hillary Clinton në 2016, ish nënpresidenti e ka sfiduar zotin Trump që të bëjë publike dokumentet për pagesën e taksave.

Në korrik, zoti Biden ishte shprehur se "Populli amerikan meriton të dijë se çfarë po fsheh Donald Trumpi në deklarimet e tij të taksave".

Zoti Biden, i cili ishte nënpresident tetë vjet dhe i ka bërë deklarimet e taksave publike, ka në faqen e tij të fushatës kopje të dokumenteve për taksat shtetërore dhe federale të viteve 2016, 2017 dhe 2018.

Ato tregojnë se ai dhe gruaja e tij, Jill, i detyrohej qeverisë 1.5 milion dollarë taksa federale në vitin 2018. Kjo shifër ishte 3.7 milion dollarë në 2017, dhe në 2016, vitin e fundit të plotë që zoti Biden ishte nënpresident, çifti duhej të paguante 93,339 dollarë taksa federale.

Richard Neal, anëtar demokrat i Kongresit dhe kryetar i një Komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve, që është përpjekur pa sukses të sigurojë informacionin për taksat e Presidentit tha se artikulli i New York Times, e bën edhe më të rëndësishme nevojën për t’i marrë këto dokumente.

"Duket se presidenti ka manipuluar kodin e taksave në avantazhin e tij dhe ka përdorur beteja ligjore për të shtyrë apo shmangur pagesën e detyrimeve të tij”, tha ai në një deklaratë.

Zoti Garten tha në një deklaratë për mediat se presidenti "ka paguar dhjetra miliona dollarë taksa personale dhe federale, përfshirë miliona dollarë që kur shpalli kandidaturën në vitin 2015.

New York Times tha se nuk kishte pranuar t’ia tregonte zotit Garten dokumentet për taksat që kishte siguruar, për të mbrojtur burimet e veta./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat