SHBA padit 6 agjentë rusë për sulm ndërkombëtar kibernetik

Amerika

SHBA padit 6 agjentë rusë për sulm ndërkombëtar kibernetik

Më: 20 tetor 2020 Në ora: 00:14
SHBA

Prokurorët amerikanë kanë ngritur padi ndaj gjashtë oficerëve rusë të zbulimit ushtarak në lidhje me një fushatë ndërkombëtare sulmi kibernetik në qendër të së cilës kanë qenë zgjedhjet presidenciale franceze në 2017-ën dhe Lojërat Olimpike Dimërore të 2018-ës në Korenë e Jugut, mes disa objektivash të tjerë. Fushata kibernetike përfaqësonte "serinë më çorientuese dhe me shkatërruese të sulmeve kompjuterike të kryer ndonjëherë nga një grup i vetëm", tha John C. Demers, kreu i sektorit për Sigurinë Kombëtare në Departamentin e Drejtësisë.

"Asnjë vend tjetër nuk e ka shndërruar në armë aftësitë e tij kibernetike me aq keqdashje apo papërgjegjshmëri sa Rusia, duke shkaktuar dëme të pashembullta për përparësi të vogla taktike si dhe për të kënaqur inatet", tha zoti Demers në një konferencë për shtyp.

Gjashtë hakerat, të gjithë oficerë të shërbimit të zbulimit ushtarak rus të njohur si GRU, "u përfshinë në ndërhyrje kompjuterike dhe sulme që synonin të mbështesnin përpjekjet e qeverisë ruse për të minuar, për t’u hakmarrë apo destabilizuar objektiva në të gjithë botën", tha Departamenti i Drejtësisë. Objektiv i sulmeve kibernetike ishin qeveria ukrainase dhe infrastruktura kritike e vendit, ndërmarrjet gjeorgjiane dhe subjekte qeveritare, zgjedhjet në Francë, një hetim rreth dyshimeve mbi helmimin nga Rusia të ish-agjentit rus Sergei Skripali në Britani si dhe Lojërat Olimpike Dimërore në PyeongChang, tha Departamenti i Drejtësisë.

Krahas kësaj hakerat duke përdorur programin dëmtues NotPetya, goditën spitalet dhe objektet mjekësore të sistemit Heritage Valley Health në Pensilvani, një filial i Korporatës FedEx si dhe një kompani farmaceutike amerikane, emri i të cilit nuk është bërë i ditur.

Departamenti i Drejtësisë ka paditur edhe më parë oficerë të GRU-së lidhur me hakerimin e postës elektronike të zyrtarëve të lartë demokratë gjatë zgjedhjeve presidenciale të 2016-s. Akuzat e fundit nuk ngrenë dyshime lidhur me ndërhyrje në zgjedhje nga ana e GRU-së.

Gjashtë të pandehurit u identifikuan si Yuriy Sergeyevich Andrienko, Sergej Vladimirovich Detistov, Pavel Valeryevich Frolov, Anatoliy Sergeyevich Kovalev, Artem Valeryevich Ochichenko dhe Petr Nikolayevich Pliskin. Ata përballen me akuza për konspiracion, pirateri kompjuterike, vjedhje identiteti në rrethana të rënduara dhe regjistrim i rremë. /VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat