Presidenti Trump kritikon ashpër Dr. Faucin

Amerika

Presidenti Trump kritikon ashpër Dr. Faucin

Më: 20 tetor 2020 Në ora: 06:44
Donald Trump

Presidenti Donald Trump ishte shumë kritik të hënën ndaj Dr. Anthony Faucit, shtypit dhe anketave që e tregojnë atë pas rivalit demokrat Joe Biden në shtetet fushëbeteja, ndërsa përpiqet të përhapë mesazhin e tij dy javë para zgjedhjeve.

Në ditën e tretë të fushatës në pjesën perëndimore të vendit, Presidenti Trump po përballej me presion të fortë për të ndryshuar prirjen e fushatës, me shpresën për rritje të mbështetjes të minutës së fundit që i dha atij fitoren katër vite më parë.

Por mesazhi i tij kontradiktor, rastet e reja të shtimit të infektimeve me virus dhe sulmet ndaj ekspertëve si Dr. Fauci, mund të minojnë përpjekjet e tij përfundimtare për të apeluar tek votuesit jashtë bazës së tij besnike.

Megjithatë, Presidenti Trump këmbënguli në besimin tek vetvetja ndërsa zhvilloi tubime të njëpasnjëshme pavarësisht nga pandemia.

“Ne do të fitojmë”, i tha ai stafit të fushtatës gjatë një mbledhje telefonike nga qyteti Las Vegas. “Ndoshta nuk do t’ju thosha këtë para dy ose tre javëve”, tha Presidenti ndërsa u referohej ditëve kur ai ishte i shtruar në spital me COVID-19.

Në përpjekje për të rritur moralin e ekipit, Presidenti Trump kritikoi ashpër ekspertët e qeverisë së tij si shumë negativë, ndërsa pandemia e koronavirusit u ka marrë jetën rreth 220 mijë amerikanëve dhe kjo mbetet një çështje e rëndësishme për votuesit.

“Njerëzit janë lodhur duke dëgjuar Faucin dhe të gjithë këta idiotë”,tha zoti Trump për ekspertin më të lartë për sëmundjet infektive. “Sa herë që del ai në televizor, gjithmonë ka një bombë. Por do të ishte një bombë më e fuqishme nëse e pushoja nga puna. Por Fauci është katastrofë.”

Gjatë një tubimi në Prescott të shtetit Arizona, Presidenti Trump sulmoi kundërshtarin Joe Biden për zotimin se do të udhëhiqej nga këshillat e ekspertëve shkencorë, duke thënë se kundërshtari i tij “dëshiron të dëgjojë Dr. Faucin.”

Zoti Fauci është njeri i respektuar dhe i njohur, ndërsa refuzimi nga ana e zotit Trump për këshilla shkencore për pandeminë ka nxitur kritika nga të dy krahët e politikës.

Në tubim, zoti Trump po ashtu shtoi sulmet ndaj mediave, duke veçuar Kristen Welket të rrjetit NBC, moderatoren e debatit të ardhshëm presidencial, si the rrjetin CNN për mbulim agresiv të pandemisë që tani po infekton dhjetëra mijëra amerikanë çdo ditë.

Gjatë një interviste në programin “60 Minutes” të rrjetit CBS të transmetuar të dielën, Dr. Faci tha se nuk ishte befasuar që Presidenti Trump u infektua me COVID-19 pasi mbajti një seri takimesh të mëdha ku pak njerëz mbanin maska. Dr. Fauci po ashtu kundërshtoi përdorimin e fjalëve të tij në një reklamë të fushatës së presidentit.

“U shqetësova se do të sëmurej kur e pashë atë në një mjedis krejtësisht të pasigurtë të mbushur me njerëz, pa distancë mes njerëzve, dhe pothuajse askush nuk përdorte maskë”,tha Dr. Fauci për presidentin.

Komentet e Presidentit Trump nxitën një reagim mbrojtës për Dr. Faucin nga Senatori republikan Lamar Alexander, i cili vlerësoi mjekun si një nga nëpunësit publikë më të shquar tëvendit.

Ndërsa zoti Trump e shndërroi mospërfilljen e tij ndaj këshillave shkencore në një linjë për duartrokitje në fushatë, zoti Alexander shtoi se, nëse më shumë amerikanë do të kishin dëgjuar këshillat e Dr. Faucit, ne do të kishim më pak raste me COVID-19, dhe do të ishte më e sigurtë hapja e shkollave, rikthimi në punë dhe në restorante.

Kandidati demokrat Joe Biden nuk zhvilloi fushtatë të hënën ndërsa të enjten do të zhvillohet debati i dytë dhe i fundit presidencial. Fushata e tij e vlerësoi Dr. Faucin ndërsa tha se, “udhëheqja e pamatur dhe neglizhente nga Trump kërcënon të vërë më shumë jetë në rrezik”.

“Mesazhi përmbyllës i zotit Trump në ditët e fundit të garës 2020 është të përqeshë publikisht Joe Biden për besimin në shkencë dhe ta quajë Dr. Faucin, zyrtarin kryesor të shëndetit publik për COVID-19, ‘një katastrofë’ dhe zyrtarët e tjetë të shëndetit publik ‘idiotë’”,tha fushata e zotit Biden. “Trump po tallet me Biden se dëgjon shkencën. Shkencën.”

Gjatë një mbledhjeje telefonike me pjestarët e fushatës së tij para tubimeve në Prescott dhe Tucson, Presidenti Trump u kërkoi mbështetësve të tij që të punojnë sa më shumë gjatë ditëve të fundit të garës së tij.

“Lërini telefonat dhe punoni,”u tha ai organizatorëve të fushatës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat