SHBA, përparim në negociatat mbi paketën e re të ndihmës

Amerika

SHBA, përparim në negociatat mbi paketën e re të ndihmës

Më: 20 tetor 2020 Në ora: 15:18
Nancy Pelosi

Ndërsa kanë mbetur vetëm disa orë nga skadimi i një afati të vetëimponuar, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi thotë se ajo dhe administrata e Presidentit Trump kanë bërë disa përparime në negociatat e tyre mbi një raund të dytë ndihme financiare për të adresuar pandeminë e koronavirusit. Gjatë një interviste televizive të hënën zonja Pelosi tha se ajo dhe sekretari i Thesarit Steven Mnuchin ngushtuan diferencat mes tyre gjatë një bisede telefonike që zgjati një orë. Ajo tha se administrata më në fund ka arritur në pikën që është gati të arrijë një marrëveshje dhe se palët do të flasin sërish të martën për të përcaktuar se ku qëndrojnë.

Zonja Pelosi ka caktuar të martën si ditën e fundit për të arritur një marrëveshje me administratën Trump përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Nëse negociatat mes Shtëpisë së Bardhë dhe Dhomës së Përfaqësuesve me shumicë demokrate dështojnë, mundësia tjetër për negociata mbi ndihmën do të jetë gjatë seancave të Kongresit në muajin nëntor dhe dhjetor, përbërja e të cilit nuk reflekton ndryshimet pas zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Zonja Pelosi ka thënë se palët janë shumë larg me qëndrime për të siguruar nevojat për fonde emergjente për qeveritë lokale dhe ato shtetërore që si dhe mbi një strategji gjurmimi dhe testimi të COVID-19.

Ligjvënësit amerikanë kanë dështuar në mënyrë të përsëritur të arrijnë një marrëveshje mbi një raund të dytë ndihme ekonomike për miliona amerikanë të ndikuar nga pandemia. Në shtator, republikanët e senatit dështuan të miratojnë një propozim prej 500 miliardë dollarë. Dhoma e Përfaqësuesve miratoi të ashtuquajturin Akti i Heronjve prej 2.2 trilionë dollarësh në qershor dhe deri më tani ka hedhur poshtë ofertën e administratës prej 1.8 trilionë dollarësh për një raund të ri ndihme.

Udhëheqësi i shumicës në Senat Mitch McConnell njoftoi se Senati do të votojë të mërkurën për një propozim tjetër prej 500 miliardë dollarësh. Ky projektligj do të siguronte fonde për një raund të ri të përfitimesh në rast papunësie si dhe mbi një program që ndihmon biznese të caktuara, persona të vetëpunësuar si dhe disa organizata jofitimprurëse që të vazhdojnë të paguajnë punëtorët e tyre.

Gjatë fjalës së tij në Senat të hënën, zoti McConnell kritikoi zonjën Pelosi për një qasje “o të gjitha o asgjë" ndaj një pakete të re lehtësuese. Ajo që ai e quajti akti i Mari Antonetës duhet të marrë fund, një referencë ndaj mbretëreshën franceze të shekullit të 18 me një reputacion për pompozitet.

Homologu demokrat i tij, udhëheqësi i minorancës Chuck Schumer, e quajti planin republikan "të dobët".

Paketa prej 2 trilionë dollarësh, miratuar me marrëveshje dypalëshe në mars, ishte një nga paketat më të mëdha të ndihmës në historinë e vendit. Falë saj u siguruan edhe 600 dollarë përfitime javore shtesë për amerikanët e papunë. Përfitimet javore skaduan më 31 korrik. Ekonomia amerikane po tregon disa shenja të rimëkëmbjes nga bllokimet e krijuara në fillim të këtij viti për të ndalur përhapjen e virusit. Më shumë se 11.4 milionë vende pune janë hapur sërish dhe ka shenja të rritjes së punësimeve në industritë e goditura rëndë siç është turizmi.

Megjithë një rritje javën e kaluar të aplikimeve për të përfituar pagesën në më shumë se 890 mijë, niveli më i lartë që nga mesi i gushtit, numri i amerikanëve që vazhdojnë të marrin pagesën e papunësisë ka rënë në 10 milionë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat