Trump në fushatë maratonë, Biden përgatitet për debat

Amerika

Trump në fushatë maratonë, Biden përgatitet për debat

Më: 21 tetor 2020 Në ora: 10:44
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe sfiduesi i tij në zgjedhjet e 3 nëntorit, Joe Biden.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, vazhdoi fushatën maratonë zgjedhore, ndërsa sfiduesi i tij demokrat, Joe Biden, për dy ditë nuk po merr pjesë në asnjë ngjarje publike, për t’u përgatitur për debatin presidencial, që do të mbahet të enjten.

Me vetëm dy javë deri në ditën e zgjedhjeve të 3 nëntorit, Trump mbajti një tjetër tubim në Pensilvani - njërin nga shtetet që konsiderohet se duhet fituar, për t’u rizgjedhur president.

Një mesatare e sondazheve tregon se Trump ndjek Bidenin me 3.7 pikë përqindje në atë shtet.

Duke folur para mbështetësve në qytetin industrial Eri, Trump u ndal tek arritjet e tij, ndërsa paralajmëroi për rreziqet, që, sipas tij, mund t’i sjellë fitorja e Bidenit.

"Më e mira pritet të vijë. Ne do të vazhdojmë të fitojmë, fitojmë, fitojmë", tha Trump.

Edhe pse Biden nuk po bën fushatë këto dy ditë, ai ka qenë në Pensilvani gjatë fushatës së tij.

Për të vënë në pah rëndësinë e shtetit, ekipi i Bidenit tha se ish-presidenti amerikan, Barack Obama, do të bëjë fushatë në Pensilvani të mërkurën, ndërsa senatori Bernie Sanders, një figurë e njohur e krahut të majtë të demokratëve, do të qëndrojë atje në fundjavë.

Trump, i cili vetë ka qenë i infektuar me koronavirus, po bën përpjekje t’i bindë amerikanët se pandemia po mposhtet, pavarësisht rritjes së numrit të rasteve në SHBA, javëve të fundit.

Për t’i minuar mesazhet e tij, Zonja e Parë, Melania Trump, i anuloi planet për ta shoqëruar presidentin në Pensilvani, për shkak të, siç tha zyra e saj, "një kolle të zgjatur", pas infektimit me koronavirus.

Kjo do të ishte paraqitja e saj e parë përkrah Trumpit qëkur çifti presidencial u infektua me koronavirus në fillim të këtij muaji.

Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur në botë nga koronavirusi, me mbi 8.2 milionë të infektuar dhe mbi 220,000 viktima.

Trump shpreson ta rrisë vrullin gjatë ditëve të fundit të fushatës, por sondazhet e opinionit e vendosin atë shumë prapa Bidenit.

Sipas Real Clear Politics - kompani që mbledh të dhënat e sondazheve - mesatarja e tyre tregon se Biden ka një epërsi prej 8.6 pikësh përqindjeje, në shkallë vendi.

Një faktor kyç në fushatën e këtij viti është votimi i hershëm, për shkak të pandemisë.

Deri më tani, sipas Projektit të pavarur të Zgjedhjeve në SHBA, rreth 34 milionë amerikanë kanë votuar.

Debati i ardhshëm dhe i fundit presidencial do të mbahet më 22 tetor. Moderatori do të ketë mundësi t’i heshtë mikrofonat për t'i lejuar kandidatët të flasin pa ndërprerje për secilën temë që do të diskutohet.

Ky ndryshim i rregullit synon t’i kufizojë ndërprerjet që kanë mbizotëruar debatin e parë presidencial, që është mbajtur në fund të shtatorit.

Debati i dytë, i planifikuar për 15 tetor, është anuluar, për shkak të infektimit të Trumpit me koronavirus.

Komisioni për Debatet Presidenciale ka dashur ta shndërrojë atë në debat virtual, por Trump nuk ka pranuar të marrë pjesë në një ngjarje të tillë.

Nënpresidenti Mike Pence dhe senatorja Kamala Harris - e emëruar për nënpresidente të ardhshme nga Biden - kanë mbajtur debatin e tyre më 7 tetor.

Zakonisht në SHBA mbahen tri debate presidenciale përpara zgjedhjeve dhe temat që diskutohen në to janë shpesh çështjet më kontroverse të kohës.

Debatet nuk janë të mandatuara me Kushtetutën amerikane, por konsiderohen tashmë pjesë e pandashme e procesit zgjedhor.

Sipas kompanisë së të dhënave Nielsen, rreth 73.1 milionë njerëz në Shtetet e Bashkuara e ndoqën debatin e parë presidencial Trump-Biden./REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat