A duhet t’u besojnë amerikanët sondazheve për zgjedhjet presidenciale 2020?

Amerika

A duhet t’u besojnë amerikanët sondazheve për zgjedhjet presidenciale 2020?

Më: 21 tetor 2020 Në ora: 18:18
foto ilustrim

A duhet t'u besojnë amerikanët të dhënave të sondazheve që tregojnë se kandidati demokrat presidencial Joe Biden kryeson ndaj Presidentit Donald Trump përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit? Korresponendentja e Zërit të Amerikës, Elizabeth Lee u hedh një vështrim shifrave.

Ndërsa kandidati demokrat për president Joe Biden nuk po bën fushatë këtë javë për t'u përgatitur për debatin përfundimtar presidencial Presidenti Donald Trump vazhdon të mobilizojë mbështetësit në shtetet vendimtare si Arizona dhe Pensilvania.

"Ne duhet t'u shkaktojmë demokratëve, një humbje të thellë më 3 nëntor. Dhe nëse nuk tingëlloj si një politikan tipik i Uashingtonit, arsyeja është se nuk jam politikan, kjo është e sigurt."

Fushata e zotit Biden është aktive, duke dërguar kandidaten demokrate për nënpresidente Kamala Harris në shtetin kritik të Floridës, ku ajo tha se zgjedhjet e 3 nëntorit janë kritike.

"Fati i reformës në drejtësinë penale vendoset në vitin 2020, fati i reformës së klimës votohet në vitin 2020.Fati i gjithçkaje vendoset në këto zgjedhje. Këtë vit votohet për Joe Biden."

Sipas sondazheve, zoti Biden kryeson ndaj Presidentit Trump – në disa prej tyre me mbi 10 për qind. Por epërsia është më e lehtë në shtetet vendimtare si Florida dhe Pensilvania. Këto shtete do të jenë kritike, thotë eksperti i shkencave politike, David Damore.

"Në fund të fundit, rezultati do të jetë shumë, shumë i ngushtë në këtoshtete. Dhe për këtë arsye mendoj se ekziston mundësia për një humbje të Bidenit, por edhe një fitore shumë, shumë të ngushtë të Trumpit".

Shumë firma sondazhesh po i analizojnë këto zgjedhje presidenciale ndryshe nga ato të vitit 2016, kur relativisht pak vetë parashikuan fitoren e zotit Trump që u nxit pjesërisht nga të bardhët pa studim universitar.

"Gabimi më i madh në vitin 2016 ishte që elektorati i bardhë nuk po anketohej i ndarë në bazë të nivelit arsimor. Pati një ndryshim me të vërtetë të konsiderueshëm mes atyre me arsim të lartë dhe atyre pa arsim të lartë. Nuk po e shoh këtë gabim këtë herë. Po asshtu në shumë prej këtyre shteteve, zoti Biden ka rreth 50 përqind mbështetje. Zonja Klinton nuk e kapi kurrë atë shifër".

Këtë herë ka edhe më pak votues të pavendosur, duke u dhënë anketuesve më shumë besim tek të dhënat e tyre.

"Ekonomia është ndoshta çështja më e fortë e tij (Trump), pasi ai mund ta përdorë atë si argument."

Ndërsa Trump trumbeton gjendjen ekonomike para pandemisë dhe premton një kthim të shpejtë, demokratët vazhdojnë të kritikojnë punën e zotit Trump në përgjithësi, ndërsa dy fushatat u bëjnë thirrje mbështetësve të votojnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat