Rendi Botëror që zbuloi presidenca e Donald Trumpit

Amerika

Rendi Botëror që zbuloi presidenca e Donald Trumpit

Nga: Tom McTague & Peter Nicholas Më: 23 tetor 2020 Në ora: 17:10
Donald Trump

Për kritikët e Donald Trumpit, 4 vitet e tij në Shtëpinë e Bardhë, janë parë dhe analizuar nga e gjithë bota. Presidenti nuk e ka bërë sërish të madhe Amerikën, argumentojnë ata. Ai e ka bërë atë më të dobët se sa ka qenë ndonjëherë:të pa respektuar, dhe që tani përqeshet dhe madje mëshirohet, teksa po përpiqet të menaxhojë pandeminë e shkaktuar nga koronavirusi i ri.

Trump ka dështuar të ribalancojë marrëdhëniet me Kinën, dështoi t’ia mbledhë Koresë së Veriut, nuk arriti t’i japë fund luftërave të pafundme në Lindjen e Mesme, dështoi t’ia mblidhë Iranit, nuk arriti t’i pengojë evropianët të bëjnë çfarë të duan në gjirin e aleancës, dhe as të përmirësojë marrëdhëniet me Rusinë.

Dhe kjo para se të merret parasysh rekordi i tij i shkatërrimit të traktateve ndërkombëtare mbi ndryshimin e klimës, tregtinë dhe armët bërthamore. Për mbështetësit e Trump, këto kritika janë padyshim të padrejta. Për ta presidenti i dha fund dobësisë së presidencës në kohën e Barak Obamës.

Ai ka përforcuar vijat e kuqe në politikën e jashtme, e ka vendosur Amerikën në plan të parë, ka anuluar marrëveshjet e këqija, i ka bindur aleatët të paguajnë më shumë për mbrojtjen e tyre, ka udhëhequr ndryshimin e qasjes globale ndaj Kinës, ka mposhtur Shtetin Islamik, dhe e ka mbajtur larg SHBA-në nga çdo lloj lufte e re.

Shtojini këtyre marrëveshjet e arritura së fundmi në Lindjen e Mesme, për normalizimin e lidhjeve mes Izraelit dhe botës arabe, dhe linjën e re të komunikimit me Phenianin. Gjithashtu SHBA-ja, është tani një vend më i sigurt dhe më i mirë për punëtorët amerikanë.

Nëse gjatë rrugës ai ka trazuar ujërat dhe ka ofenduar njerëz, nuk ka gjë. Por të dyja këtyreve qasje, u shpëton rëndësia e vërtetë të presidencës së Trump. Pas dekadave të aventurave ndërkombëtare që e mbingarkuan shsumë SHBA-në, ishte Trump ai që artikuloi të vërtetën e pakëndshme:politika e jashtme amerikane po dështonte prej dekadash.

Përmes një kombinimi të arrogancës, injorancës, instinktit dhe egos, ai vuri në dukje realitetin e hidhur, dhe kërkoi të dinte pse po vazhdohej ende në këtë rrugë. Pse Amerika po zhvillonte ende luftëra në Lindjen e Mesme dhe gjetkë? Pse nuk bashkëpunonte me Rusinë kundër xhihadistëve islamikë?

Pse lejohej Kina të abuzonte me rregullat e lojës? Pse punëtorët amerikanë po humbnin vendet e tyre të punës, të cilat transferoheshin në vendet më të varfra? Pse lejoheshin të ashtuquajturit aleatë në Evropë, të vendosnin tarifa të larta mbi prodhimin amerikan?

A mund të quhen aleatë vende të tilla? Dhe dikush nuk ka pse ta pëlqejë Trumpin apo të besojë se ai ka qenë një president i suksesshëm, për të pranuar se secila prej sfidave të tij përmban një të vërtetë.

Udhëheqësit amerikanë ishin naivë, që e lejuan Kinën të anëtarësohej aq lehtë në Organizatën Botërore të Tregtisë; marrëveshja e NAFTA-s ndihmoi në dëmtimin e prodhimit amerikan; Evropa iu privilegjua nga SHBA; ndërsa kjo e fundit u angazhua më shumë me angazhimet ushtarake.

Por megjithatë, ai ishte i saktë në argumentin më themelor:lidhja e drejtpërdrejtë midis forcës ekonomike të Amerikës në vend, dhe fuqisë dhe staturës së saj jashtë vendit. Kur libri i parë i Trump “Arti i Marrëveshjes”, ishte bestseller në fund të viteve 1980, i dyti në listë ishte një studim me temë “Ngritja dhe rënia e Fuqive të Mëdha”, nga profesori i Universitetit të Jeilit, Pol Kenedi.

Ai libër paralajmëronte se SHBA-ja nuk mund të ruante për shumë kohë politikën e epërsisë globale, ndërsa pasuria e saj relative vazhdonte të binte. Shtetet e Bashkuara, po e dominonin botën si pasojë e shkatërrimit të Evropës pas Luftës së Dytë Botërore, por argumentonte Kenedi, kjo ishte një anomali.

Sfida për Amerikën, shkroi më tej ai, ishte të vendoste në ekuilibër mjetet dhe angazhimet e saj. Libri u botua në vitin 1987, pra pak para rënies së Bashkimit Sovjetik dhe momentit unipolar të Amerikës. Por paralajmërimi i tij qendror, është kthyer sot në bumerangun kryesor.

Teza e Kenedit, se pushteti relativ ekonomik, është i lidhur me një fuqinë gjeopolitike relative, është sot argumenti thelbësor që përdorin sot ekspertët pranë Trumpit. Në këtë kuptim, fuqia e Amerikës, ka rënë dhe do të vazhdojë të bjerë.

Sipas Bankës Botërore, në vitin 1960, PBB-ja e SHBA-së përfaqësonte 40 për qind të totalit global. Në vitin 2018, kjo normë ka rënë në 24 për qind, dhe pritet të ulet në 14.78 për qind deri në vitin 2025, sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Por edhe pse Trump, i referohet vazhdimisht rendit botëror të ndërtuar nga amerikanët, që sot ka dështuar, ai s’ka asnjë plan koherent për ta zëvendësuar atë, dhe asnjë sistem që do të funksiononte më mirë. Ai nuk po përpiqet të riformatojë sërish botën; ai thjesht e tregon me gisht rendin aktual si fajtor.

Kritikët e tij argumentojnë (dhe mbështetësit e tij shpesh e pranojnë) se Trump nuk është i interesuar aspak mbi historinë, dhe se presidenca i ngjan një flete të bardhë, pa asnjë të shkuar. Edhe pse bota e vitit 2020, mund të jetë ende e dominuar nga SHBA. – dhe do të jetë edhe për disa dekada – ky nuk është më dominimi i stilit të viteve 1950.

Trump nuk ka qenë në gjendje t’i imponojë vullnetin e tij Iranit, që nuk ka kapitulluar pavarësisht bllokadës ekonomike. Bashkimi Evropian nuk i ka dhënë Trump atë që ai dëshiron për tarifat, dhe Gjermania nuk e ka anuluar projektin e gazsjellësit të përbashkët me Rusinë.

Kina nuk i ka hapur rrugën në fushën e tregtisë. Përkundrazi, qasja luftarake e Trump ka nxitur kërkesat në Pekin, Bruksel, Berlin dhe Paris për një autonomi më të madhe nga fuqia amerikane. Një zbulim i tretë i mandatit të Trump, është zemërimi i hapur i botës ndaj SHBA-së.  Ai zbuloi zbrazëtinë e premtimeve të NATO-s, për ndarjan e barrës në fushën e mbrojtjes.

Së fundmi, Trump ka zbuluar mungesën e tij të parashikimit strategjik. Të gjitha zbulimet e tij të tjera, nuk nënkuptojnë se ai ka ndonjë përgjigje për sfidat afatgjata apo të menjëhershme të politikës së jashtme të Amerikës. /Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat