SHBA: Rusia dhe Irani sulmojnë sistemet kompjuterike të qeverisë amerikane

Amerika

SHBA: Rusia dhe Irani sulmojnë sistemet kompjuterike të qeverisë amerikane

Më: 23 tetor 2020 Në ora: 19:37
SHBA

Zyrtarët e SHBA paralajmëruan se Rusia dhe Irani po shtojnë sulmet kundër rrjeteve dhe sistemeve kompjuterike të qeverisë amerikane ndërkohë që po forcojnë fushatat e tyre të dezinformimit, me shpresën për të tronditur besimin e votuesve në prag të zgjedhjeve.

Paralajmërimi i zyrtarëve të zbulimit dhe të sigurisë zgjedhore vjen më pak se 24 orë pas deklaratave të drejtorit të zbulimit kombëtar, i cili fajësoi Iranin për sulmin e parë të bujshëm ndaj zgjedhjeve të 3 nëntorit, duke akuzuar Teheranin se qëndron pas mijëra emaileve të falsifikuara me synimin për të frikësuar votuesit.

Byroja Federale e Hetimit dhe Agjencia për Sigurinë Kibernetike dhe të Infrastrukturës së Sigurisë thanë se emailet e dërguara si dhe aftësia e Rusisë dhe e Iranit për të hyrë në informacionin e regjistrimit të votuesve, janë vetëm fillimi i një fushate më të madhe për të minuar zgjedhjet amerikane.

Sipas tyre, sulmet e Rusisë filluan në shtator dhe kishin në shënjestër dhjetëra rrjete të qeverive lokale dhe shtetërore në aktivitete nga më të ndryshmet, nga aviacioni e deri te arsimi.

Zyrtarët thanë se aktori kibernetik rus i njohur si Beserk Bear "kompromentoi me sukses infrastrukturën e rrjetit dhe që nga 1 tetori 2020, mori të dhëna nga të paktën dy servera".

Ata arritën gjithashtu të marrin të dhëna që mund t'i lejonin të lëviznin nëpër rrjete, duke kërkuar informacione kritike që mund t’i shfrytëzonin më vonë, me gjasë për të goditur zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Zyrtarët nuk pranuan të ndajnë detaje shtesë në lidhje me veprimet ruse, ose të thonë se cilët serverë qeveritarë ishin komprometuar, por kompania e pavarur për sigurinë kibernetike Mandiant tha se gjithçka duket se ishte e orientuar drejt zgjedhjeve të 3 nëntorit.

"Këto aktivitete mund t'i bëjnë sistemet përkohësisht të paarritshme për publikun ose zyrtarët e zgjedhjeve, gjë që mund të ngadalësojë, por nuk do të pengojë votimin ose raportimin e rezultateve," thanë zyrtarët.

Ata paralajmëruan gjithashtu se aktorët kibernetikë iranianë kanë shtuar përpjekjet për dezinformim, "duke krijuar faqe mediatike fiktive dhe duke hakeruar faqe legjitime interneti për të përhapur të dhënat e vjedhura të regjistrimit të votuesve, për të bërë propagandë anti-amerikane dhe për të shpërndarë dezinformata rreth mashtrimit apo manipulimit në votime.”

Paralajmërimet e zyrtarëve amerikanë përfaqësojnë një ndryshim nga toni më optimist që dhanë në komentet e tyre muajin e kaluar./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat